Categories
Lajme

Zvicër, sulmohet xhamia e shqiptarve të Winterthurit

Natën e të shtunës, xhamia e Bashkësisë Islame Shqiptare në Winterthur ka qenë objekt i një sulmi vandal të bërë nga persona ende të panjohur. Me këtë rast nga maja e minares prej alumini, është shkëputur dhe është marrë me vete gjysmëhëna me yll, simbol i islamit.
Sipas deklarimeve të kryetarit të Bashkësisë Islame Shqiptare të Winterthurit, Nimetulla Saliu, vandalët që ishin ngjitur në minare kanë bërë përpjekje që ta shkëpusin minaren nga baza, gjegjësisht nga kulmi i objektit ku funksionon xhamia, por nuk kanë pasur sukses. Ajo që kanë bërë ka qenë heqja e gjysmëhënës me ç`rast janë shkaktuar edhe dëme materiale.
“Jemi shumë të pikëlluar me këtë akt. Prej më shumë se dhjetë vitesh jemi këtu dhe gjithmonë kemi pasur raporte të shkëlqyera me fqinjët”, thotë Saliu. Ai pyet se çfarë motivesh kanë mundur të çojnë në këtë akt. “Pavarësisht nëse është fjala për faltoret e krishtera, hebreite ose islame, një veprim i tillë është i papranueshëm”, shton Saliu.
Para pak vitesh objekti i xhamisë ka qenë cak i një sulmi të një lloji tjetër: atëbotë persona të panjohur kishin hyrë këtu për të vjedhur të holla, kështu që çdo motiv religjioz ishte i përjashtuar, transmeton albinfo.
Më tutje kryetari i Bashkësisë Islame Shqiptare të Winterthurit thotë se bashkësia është e shqetësuar dhe planifikon që sa më shpejtë që të jetë e mundur të sigurojë aparatet e alarmit dhe videokamerat për të pasur në mbikëqyrje gjendjen.
Xhamia e shqiptarëve të Winterthurit është e vetmja, krahas një xhamie në Cyrih dhe një tjetre në Gjenevë që disponon me një minare. Për ndryshim nga dy të tjerat, minarja e këtushme është më shumë e karakterit simbolik dhe ka dimensione të vogla.
Para tri vitesh në Zvicër u zhvillua një votim popullor për futjen në kushtetutë të ndalimit të ngritjes së minareve nëpër faltoret e këtushme myslimane. Shumica e votuesve u shprehën për këtë ndalim, gjë që shkaktoi një valë pakënaqësie te besimtarët islamë dhe te një pjesë e madhe e opinionit zviceran dhe botëror./albinfo

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Exit mobile version