Maqedonia ka numrin më të vogël të punonjësve shkencor në mesin e të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor, ku përveç nesh – bëjnë pjesë Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi, Serbia, Kroacia dhe Shqipëria. Maqedonia nuk qëndron aspak më mirë as në fushën e publikimit të kërkimeve shkencore. Këtë e vërteton edhe dokumenti i Programit Nacional për Veprimtari Kërkimore – Shkencore në Maqedoni (PNSH) si dhe të dhëna zyrtare të publikuara nga EUROSTAT dhe Enti Shtetëror i Statistikave. Shqetësuese në këtë histori është se ka një rënie drastike të kapaciteteve kërkimore-shkencore në sektorin e biznesit. Të dhënat e ESHS-së vërtetojnë se në këtë sektor, është zvogëluar më shumë se sa dy herë numri i kuadrove shkencore, krahasuar me vitin 2000. Konkretisht, nëse atëherë kishte 241 persona me kualifikime shkencore që punonin në sektorin e biznesit, në vitin 2009 këta kapacitete kanë zbritur në 89 punonjës shkencor.
Në ndërkohë, në Maqedoni shënohen rritje frapante numri i magjistrave dhe doktorëve shkencor, mirëpo të njëjtët nuk kanë mundur të gjejnë veten nëpër sektorë zhvillimor sikurse janë institucionet kërkimore shkencore dhe ai i biznesit.
Vetëm në vitin 2012 kishim 21.2 për qind magjistra dhe doktorë shkencash më shumë se në vitin 2011. Kështu ka ndodhur edhe në të kaluarën, edhe pse jo në nivel kaq të lartë. Mirëpo, si tani ashtu edhe në të kaluarën jo shumë të largët, numrin më të madh të magjistrave dhe doktorëve të shkencave i thithë sektori arsimor. Pas tij vjen në radhë sektori qeveritar dhe në fund – sektori i biznesit. Të dhënat e EUROSTAT-it tregojnë se në vitin 2009, në sektorin e biznesit kishte vetëm 89 kuadro shkencore, në sektorin qeveritar 609 kuadro të këtilla, ndërsa në sektorin e arsimit të lartë – 1.353 magjistra dhe doktorë shkencash. Kjo e vendosë Maqedoninë në vendin e fundit sa i përket angazhimit të kapaciteteve kërkimore-shkencore në sektorë zhvillimor.
“Numri i të punësuarve në sektor kërkimor-shkencor dhe zhvillimor në Maqedoni është më i ulët në krahasim me të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor”, qëndron në dokumentin e PNSH-së, të vlefshëm për periudhën e viteve 2012-2016. Numri më i madh i kuadrove shkencore, sikurse vëren ky dokument, “është i angazhuar me sektorin arsimor edhe atë në veprimtari mësimore, gjë që zvogëlon mundësinë e etablimit në aktivitete kërkimore-shkencore”. Për tejkalimin e kësaj situate, PNSH thotë se është e domosdoshme të ndërtohen standarde të qëndrueshme, të cilat do të mundësojnë angazhim të balancuar të kuadrove në sektorin arsimor dhe kërkimor-shkencor. Ata mbështesin iniciativën e Ministrisë së Arsimit për bursimin e studentëve që do të regjistrohen në 20 universitete prestigjioze të Evropës dhe në 100 më të mirat sipas ranglistës së Shangait. Megjithatë, kërkojnë “hapa aktiv për mbështetje dhe kthimin e tyre nga shtet e huaja, pasi me gjithë rezultat e dëshmuara shkencore, kanë interes që të vazhdojnë karrierën në Maqedoni”. Zvogëlimi i kapaciteteve kërkimore-shkencore në sektorin e biznesit paraqet efekt të dyfishtë negativ sa i takon zhvillimit të shkencës. Prandaj, për periudhën e pesë viteve të ardhshme, sipas dokumentit të PNSH-së, duhet ndërmarrë disa aktivitete, në mesin e të cilave edhe “rritjen e mbështetjes financiare për zhvillim të resurseve njerëzore, e veçanërisht mjetet për punësimin e kuadrit shkencor”. Kërkohet gjithashtu “përmirësimi i kualitetit të kuadrit ekzistues, si dhe përmirësimi i kushteve për veprimtari shkencore”. Në funksion të kësaj të fundit, Qeveria tashmë ka ndarë 41 milionë euro për pajisjen e universiteteve publike me 191 laboratorë. Me këtë shpresohet që Maqedonia të largojë veten prej vendit të fundit në listën e shteteve sa i takon numrit të publikimeve e shkencore nëpër revistat ndërkombëtare me faktorin e impakit. Sipas të dhënave në përpilim të PNSH-së, Maqedoni rezultonte të ketë vetëm 2.051 publikime, apo 11 herë më pak se Sllovenia, për shembull, me të cilën ka numër të përafërt banorësh dhe të kaluar të përbashkët historike, si ish-federata Jugosllave. Maqedonia është gjithashtu në nivelin e shteteve me më pak investime në shkencë, konkretisht me vetëm 0.20 për qind të Bruto Prodhimit Vendor. Një prej synimeve të BE-së, pjesë e së cilës dëshirojmë të bëhemi edhe ne, është që deri në vitin 2020 investimet të shkencë të arrijë nivelin e 3 përqindëshit. /koha/