Besnik Sinani
Pas vrasjes së tre muslimanëve në Shtetet e Bashkuara nga një i vetëdeklaruar ateist, komentatori i CNN dhe pedagogu në Morehouse College,Marc Lamont Hill ironizoi në Twitter: “po pres që komuniteti ateist të dënojë këtë krim të tmerrshëm në Universitetin e North Carolina, Chapel Hill. A është heshtja e tyre implikuese? Pse e përjashtojmë rolin e ideologjisë sot, kur në raste të tjera shqetësohemi rreth Islamizmit radikal dhe efektit mbi dhunën botërore?”
Shumë prej lexuesve shqiptarë të mediave kryesore të vendit ka shumë gjasa që mos jenë informuar për vrasjen në Karolinën e Veriut ku një i vetë-deklaruar ateist vrau me plumb në kokë studentit e stomatologjisë, Deah Barakat 23 vjec, të shoqen Yusra, 21 vjec – edhe ajo studente stomatologjisë, dhe motrën e saj Rozanën, studente për arkitekturë, 19 vjec. Pjesa më e madhe e mediave shqiptare, përherë të vëmendshme ndaj dhunës së kryer nga muslimanët, nuk kanë të njëjtën vëmendje ndaj dhunës kundra muslimanëve. Shumica e mediave shqiptare thjesht nuk e raportuan, edhe pse pati jehonë ndërkombëtare, pati reagim krerësh shteti, dhe prononcim të Presidentit të ShBA-së, Barack Obama. Për shumicën dërmuese të mediave shqiptare, nuk përbënte lajm.
Por për t’ju kthyer pyetjes së Marc Lamont Hill: Pse nuk deklarojnë distancimin ndaj këtij krimi opinionistët atesitë shqiptarë? Shumëkush do kujtojë që pas vrasjeve terroriste në Francë, u kërkua që muslimanët shqiptarë të distancohen, sepse dhuna e terroristëve në Francë i implikonte edhe ata.
A mos ka njeri në Shqipëri iluzionin se terrori e dhuna mund të shkaktohet vetëm nga njerëzit fetarë? Diktatura që sundoi vendin per gjysëm shekulli prodhoi të vetmin vend të deklaruar ateist në botë, e cila ndër të tjera, në mënyrë sistematike persekutoi, burgosi e vrau klerin, shkatërroi objektet e kultit e penalizoi cdo praktikë fetare. Në Shqipëri kemi parë formën më të qartë të terrorit atesit.
Promovuesit militantë të ateizmit në ShBA sot konsiderohen anti-teistë dhe qëndrimet e tyre nuk janë kufizuar në shpalljen e qëndrimeve për Zotin apo fenë, por në promovimin e përdorimit të forcës ushtarake në avancimin e kauzave të tyre. Kjo është arsyeja, ndoshta, pse njëri prej tyre, Richard Dawkins (vrasësi në Karolinën e Veriut ishte admirues i Dawkins)ndjeu nevojën të distancohej në Twitter. Po ata opinionistë ateistë në Shqipëri, që shkruajtën se muslimanët shqiptarë duhet të distancohen nga krimet në Francë, a nuk duhet të distancohen edhe ata nga krimet e sivëllait të tyre në Karolinën e Veriut? A nuk duhet të shpjegojnë ata nëse sistemi i tyre i bindjes mbi fenë – ateiszmi – përbën nxitje për dhunë? A përbëjnë këta opinionistë ateistë rrezik për sigurinë e jetës së njerëzve fetarë?
Duhet vënë në dukje, megjithatë, se Farris Barkat, vëllai i një prej viktimave, u pyet në një intervistë për distancimin e ateistëve. Ai u përgjegj se eksperienca e tij si musliman e ka bërë të ndërgjegjshëm për absurdin e fajeve kolektive, për fajësimin e gjithë muslimanëve për shkak të dhunës së pak individëve. Ai tha në intervistë se ky krim i një atesti nuk implikon ateistë të tjerë dhe nuk kundërshton faktin që shumë ateistë janë njerëz të mirë, që kujdesen për të tjerët.
Në të njëjtën mënyrë, nuk po sugjerojmë këtu që opinionistët shqiptarë, të deklaruar ateistë e që sugjerojnë faje kolektive të muslimanëve shqiptarë për akte terrorizmi në Francë, janë ata vetë përgjegjës për krimet në Karolinën e Veriut. Por do shpresonim se nga akte të tilla dhune do rezultonte reflektimi për të treguar se sa absurde janë denoncimet e fajësimit kolektiv. Ata nuk janë përgjegjës për vrasjet në Karolinën e Veriut. Ata janë përgjegjës për nxitjen e paragjykimeve, dyshimeve, frikës irracionale kundra muslimanëve që nuk kanë bërë asnjë krim. Kjo nxitje është bigotry, e nga kjo ata duhet të distancohen.