Forumi Rinor Islam në kuadër të fushatës “Ta njohim Muhamedin a.s.” realizoi panel diskutimi në Bushi Resort & Spa në Shkup. Nga konkursi i shpallur nga Forumi Rinor Islam, morrën pjesë dymbëdhjetë studentë me punimet e tyre. Komisioni që kontrolloi dhe shpalli pesë punimet më të mirë, ishte i përbërë nga: Mr. Muhamed Murtezi, kryetar i Qendrës për Mirëkuptim dhe Bashkëpunim Institucional, Dr. Drita Mamuti Fazlija, profesoreshë universtitare, Dr. Bashkim Aliu dhe Hasan Baftijari, nënkrytar i Forumit Rinor Islam. Studentët që u zgjodhën nga ky komision morrën pjesë në këtë panel diskutimi duke prezantuar punimet e tyre, të cilët ishin të shkruar kryesisht për jetën dhe veprën e Muhamedit a.s. shikuar nga këndi që ata studiojnë.

Fillimisht para të pranishmëve mbajti fjalim përshëndetës kryetari i përgjithshëm i Forumit Rinor Islam, Fisnik Shabani, i cili mes tjerash tha “Për dallim nga vitet e kaluara, këtë vit në kuadër të kësaj fushate lindi si ide ky aktivitet me qëllim që të nxisim studentët të hulumtojnë e të shkruajnë për Muhamedin a.s shikuar nga drejtimi që studiojnë ata, dhe sot ne këtu të shohim e dëgjojmë kajmakun e hulumtimeve të tyre.”

Studentët të cilët u zgjodhën dhe prezantuan në këtë panel ishin: Ajshe Zilbehari me temë “Poetizimi i përkthimeve të disa haditheve të Muhamedit a.s”, Meriton Arsllani me temë “Tejkalimi i konceptit të drejtësisë dhe barazisë në islam”, Shpresim Jagubi me temë “Shëndeti i Muhamedit a.s. dhe kujdesi ndaj tij”, Arbëria Abdushi me temë “Drejt gjurmëve të tij” dhe Emira Rexhepi me temë “Komunikimi dhe elokuenca e Muhamedit a.s.”. Pas prezantimeve të tyre kishte hapësirë për të diskutuar dhe për t’i pyetur panelistët.

Poashtu në këtë panel ligjëroi edhe teologu Qenan Ismaili me temë “Kam fituar me rininë”, i cili gjatë këtij prezantimi përmendi shumë shembuj të të rinjëve të cilët kanë jetuar në kohën e Muhamedit a.s. dhe si ai i mësoi, i edukoi dhe u besoi atyre punë shumë të mëdha, përskaj moshës shumë të re.

Në fund anëtari i komisionit Dr. Muhamed Murtezi mbajti fjalim dhe përgëzoi Forumin Rinor Islam për organizimin e kësaj fushate tashmë tetë vite, në një kohë kur shumëkush flet kundër Muhamedit a.s., përgëzoi poashtu edhe studentët që kanë ndërmarrë këtë iniciativë për të hulumtuar rreth figurës së Muhamed Mustafasë.

Lëvdata iu shpërndanë të gjithë pjesëmarrësve në këtë konkurs si dhe anëtarëve të komisionit, ndërsa pesë më të mirët përveç certifikatave u shpërblyen edhe me nga 50 euro.

anigif