Me rastin e Natës së Israsë dhe Miraxhit, për ta shënuar këtë datë të rëndësishme në kalendarin islam, Forumi Rinor Islam – Dega Shkup organizoi një ligjëratë me temë “Miraxhi, udhëtim madhështor”, të cilën para të pranishmëve e ligjëroi hoxha i mirënjohur nga Tetova, Omer Dauti.
“Pa të meta është Lartmadhëria e Atij që robin e Vet e kaloi në një pjesë të natës prej Mesxhidi Haramit (prej Qabes) gjer në Mesxhidi Aksa (Bejti Mukaddes), rrethinën e të cilës Ne e kemi bekuar, (ia bëmë këtë udhëtim) për t’ia treguar atij disa nga argumentet Tona. Vërtet, Ai është dëgjuesi (i fjalëve të Muhamedit), pamësi (i punëve të Muhamedit)” Isra, 1; me leximin e këtyre ajeteve të Kuranit Fisnik nga hafizi Musli Musliu filloi kjo ligjëratë.
Hoxhë Omer Dauti fillimisht sqaroi këtë ngjarje të rëndësishme për muslimanët por në veçanti u fokusua në mësimet që duhet të nxjerrë çdo besimtar nga kjo ngjarje. Mes tjerash theksoi: “Para nisjes për në Miraxh, Xhebraili a.s ia pastroi zemrën Muhamedit a.s
dhe ia mbushi me urtësi, si mësim nga kjo, ne çdo vepër që ndërmarrim së pari duhet të pastrojmë nijetin. Piu nga ena me qumësht, duke dhënë shembull se jemi pasues të fesë së pastër.
Një mësim tjetër është se edhe pse ishin meleku dhe njeriu më i zgjedhur në atë udhëtim, ata përsëri zbatonin rregullat dhe kërkonin leje që të kalonin më tutje. Si mësim tjetër duhet ta marrim edhe këshillimin me njëri-tjetrin, duke i treguar përvojat tona negative, që mos të dështojë edhe tjetri, sikur që Musai a.s këshilloi Muhamedin a.s se 50 namaze do të jenë shumë për umetin tënd.”
Kjo mbrëmje u plotësua edhe më mirë me këndimin e disa ilahive nga hafizi Musli Musliu.