Autor: Hasan Baftijari

“E kur fillova ta dëgjoj Kur’anin, thashë: ‘Sa fjalë e bukur dhe bujare qenka kjo’. Zemra m’u zbut e sytë më rridhnin rrëke. Kjo edhe më shtyu ta pranoj Islamin”. (Omer ibnul Hatab r.a.) All-llahu nuk i ka krijuar njerëzit shkel e shko, e as që i ka lënë mbi tokë të pa udhëzuar. I mençur është ai i cili e kupton urtësinë e ekzistencës së vet, e vazhdon dhe zhvillon jetën me mendjehollësi, e lë këtë botë pas vete pa u nënshtruar e përbuzur. Qysh herët në histori njerëzit i kanë munduar këto pyetje: Nga kemi ardhur? Si jetojmë? Ku do të shkojmë? Kur’ani është zëri i të vërtetës më të cilin janë ndërtuar toka e qiejt. Kuptimet e tij janë rreze në të cilat reflektohen kuptimet e Shpalljes së lartë hyjnore. Më këtë Shpallje u ballafaquan të parët dhe të fundit. Përmes këtyre kuptimeve, të gjithë ata që deshën të dinë të vërtetën, arritën të kuptojnë se prej nga erdhën, si jetojnë dhe ku do të shkojnë. Kur’ani është Libri gjithëpërfshirës i legjislacionit më të madh Hyjnor, për zbatuesin e të cilit Zbritësi i tij ka garantuar lumturi në të dyja jetët, ndërsa atij që i kthen shpinën i është kërcënuar me mjerim në të dyja botët. Ai është Libri i vetëm për të cilin All-llahu ka garantuar paprekshmërinë, ruajtjen nga të shtuarit apo të pakësuarit prej tij, ndryshimin apo shtrembërimin e tij dhe mbetjen e tij në tokë deri sa ta ngrejë atë në fund të jetës në këtë botë. Kur’ani, mrekullia e përhershme e Zotit të Plotfuqishëm, i ka zbritur Pejgamberit të nderuar të Islamit në periudha dhe kohëra të ndryshme, sipas nevojës së njerëzimit. Ajetet e Kur’anit, ashtu siç tërhiqnin zemrat drejt vetes, e pastronin pluhurin e paditurisë (injorancës) dhe i njihnin njerëzit me mëshirën dhe të mirën. Shumica dëshirojnë të njihen me shkaqet e shpalljes së ajeteve kur’anore dhe të informohen me ngjarjet të cilat u bënë shkak i shpalljes se ajeteve në sfera të ndryshme. Kur’ani i ndershëm përmban shkenca të ndryshme brenda tij, megjithëse njeriu të cilit ai iu shpall ishte analfabet i cili nuk dinte shkrim e lexim dhe as që kishte shkuar ndonjëherë te ndonjë mësues apo në shkollë. Në Kur’an gjejmë shkencat: Astronomi, Mjekësi, Histori, Gjeografi, Legjislacion dhe Drejtësi, Politikë dhe Strategji luftarake etj. Përmbajtja e Kur’anit këto shkenca të ndryshme është argument i fortë se ai është Fjalë e Allllahut të Lartësuar dhe shpallje nga Ai, pasi që është absurde që të gjitha këto shkenca të burojnë nga një njeri analfabet i cili nuk di shkrim e këndim. Sikur që edhe ka sfiduar Kur’ani oratorët dhe gjuhë- tarët arab për të përpiluar dhjetë sure sikur ai, apo madje të një sureje të vetme, ata nuk arritën ta bënin një gjë të tillë. Ky ishte argumenti më i madh dhe prova më e fortë se Kur’ani është Fjalë e Allllahut dhe në asnjë mënyrë nuk është fjalë e njeriut. Sot mediat në botë, me propagandat e tyre të shumta, përpiqen të prishin pamjen e Islamit dhe ta paraqesin Kur’anin si një libër të vjetër. Fuqitë e mëdha, duke përdorur mjetet më moderne, përpiqen të dobësojnë muslimanët dhe të ulin ndikimin dhe përhapjen e Islamit në botë. Në këtë mes ne shikojmë se Kur’ani i shenjtë, duke qenë si një dritë e madhe e Zotit të Vetëm, në mënyrë shumë të qartë paraqet të vërtetën e tij. Kur’ani tërheq pas vetes mendjet dhe kjo është vetëm një nga veçoritë e tij. Kur’ani është një udhëzues që të fton për tek e vërteta, një Libër lutje e përmendje të shpeshta të Krijuesit, emrit të Zotit. Ai ka karakter konstruktiv, sepse ndikon mbi botën e ndjenjave të njeriut. Kur’ani ndërron dhe rregullon vlerësimin e gabuar të njerëzimit të zhytur në errësirën e mohimit dhe herezisë mbi gjithësinë, jetën dhe njeriun, duke realizuar kështu transformimin më të madh. Kur’ani i magjepsi arabët që nga çasti i parë, pa marrë parasysh a ishin prej atyre që All-llahu ua zgjeroi gjokset për Islamin apo ata në zemrat e të cilëve vuri perde. Nëse e lëmë anash grupin e vogël në fillim të paraqitjes së kësaj feje, te të cilët shkak i besimit të tyre ishte vetë personaliteti i Muhammedit a.s., si bashkëshortja e tij Hadixheja, shoku i tij Ebu Bekri, djali i axhës Aliu, shërbëtori i tij Zejdi e të ngjashmit me ta, do të shohim se Kur’ani është faktori vendimtar ose njëri prej faktorëve vendimtarë për pranimin e besimit të atyre që besuan në ditët e para të da’ves (thirrjes islamike), atëherë kur Muhammedi a.s. nuk kishte krah as pozitë, kurse Islami nuk kishte pushtet e as aleatë. Disa vite më parë, në Toronto tregohej historia e një njeriu i cili punonte në marinën tregtare për të siguruar jetesën. Një musliman i dha atij një kopje të përkthimit të Kur’anit për ta lexuar. Tregtari i detit nuk dinte asgjë për Islamin, megjithatë ishte shumë i interesuar në leximin e Kur’anit. Kur ai e mbaroi atë se lexuari, ia ktheu librin muslimanit dhe pyeti: “A ishte Muhammedi detar?” Ai kishte ngelur i mahnitur nga mënyra se si Kur’ani përshkruante një shtrëngatë në mes të detit. Kur atij iu tha “Jo, në fakt Muhammedi ka jetuar vetëm në shkretëtirë”, kjo ishte më se e mjaftueshme për të. Ai e pranoi Islamin menjëherë. Ky njeri ishte mahnitur me përshkrimin e shtrëngatës në Kur’an, sepse vetë e kishte provuar një diçka të tillë. Ai e dinte se përshkrimi “… një dallgë, mbi të një tjetër dallgë dhe mbi të retë në qiell.” (Kur’an, En-Nur: 40) nuk mund të vijë nga një person që vetëm do të kishte imagjinuar stuhinë në det; kjo patjetër ishte shkruar nga dikush që e dinte se çdo të thotë një stuhi në det. Ky është vetëm një shembull i cili tregon atë se Kur’ani në fakt nuk është i lidhur me një vend apo kohë të caktuar. Pa dyshim, idetë shkencore të shprehura në të, gjithashtu, nuk e kanë origjinën nga shkretëtirat e 14 shekujve më parë. Kur’ani nuk është quajtur i mrekullueshëm vetëm nga muslimanët të cilët e vlerësojnë, e besojnë dhe janë të kënaqur me të, por ai është quajtur i habitshëm edhe nga jomuslimanët. Çudia më e madhe për ata jomuslimanë të cilët e kanë parë Kur’anin me një sy kritik, ka qenë se Kur’ani nuk ka qenë kurrë ashtu sikurse ata kanë menduar. Ata mendojnë se Kur’ani është një libër i vjetër, i cili e ka origjinën rreth 14 shekuj më parë nga shkretëtirat arabe; kështu ata presin që libri të ketë një pamje të tillë, një libër i vjetër nga shkretëtirat. Më vonë zbulojnë që libri nuk i ngjan aspak atij që ata kishin pritur. Për më tepër, nga mendimet e para që disa njerëz kanë është që, përderisa ai është një libër i vjetër që vjen nga shkretëtira, ai duhet të flasë për shkretëtirat vetëm. Në fakt, është e vërtetë që Kur’ani flet edhe për shkretëtirat, imagjinata e tij përshkruan edhe shkretëtirat, por ai gjithashtu flet edhe për detin – apo ç’do të thotë të jesh në një shtrëngatë në mes të detit. Hulumtuesi anglez Kenet Grejk, metodën e lehtë të kuptuarit të ajeteve të Kur’anit e cilëson si shkakun kryesor të depërtimit të tij në zemra dhe thotë: “Në qoftë se Pejgamberi i Islamit do të ishte një filozof sikur Hegeli dhe për përhapjen e Fesë Islame, në vend te rregullave të thjeshta dhe të buta, të parashtronte në Kur’an teori filozofike si ato të Hegelit, do të ishte e pamundur qe Islami në botën e para 14 shekujve të krijojë rrënjë dhe të përhapet kaq shumë nëpër botë”. Por, ja, natyra butë e Kur’anit bën që edhe Velid bin Mugire, mohues i Muhammedit a.s. dhe i Kur’anit, të detyrohet ta shfaqë dashurinë e tij ose besnikërinë, ku thotë: “Pasha Allllahun, fjala e tij ka ëmbëlsi, në të qëndron një mrekulli, s’ka bukuri mbi të, afër tij çdo fjalë shkrihet, andaj edhe s’ka fjalë më të lartë dhe asgjë nuk mund t’ia kalojë”. Ky Kur’an përshkruan përshtypjen që e
lë në shpirtrat e atyre që i besojnë dhe në shpirtrat e K atyre që u erdhi dituria më parë (Libri i shenjtë) dhe se atyre: “Prej (dëgjimit të) tij rrëqethen lëkurët e atyre që i kanë dronë Zotit të tyre, e pastaj me përkujtim të All-llahut u qetësohen lëkurët dhe zemrat e tyre.” (Zumer: 23) “Kur u lexohet atyre, ata hedhen me fytyra (për dhé) duke i bërë sexhde. Dhe thonë: ‘I lartësuar qoftë Zoti ynë, premtimi i Zotit tonë është i realizuar’. Dhe duke qarë bien me fytyra (kur dëgjojnë Kur’anin) dhe ai ua shton edhe më tepër përuljen (ndaj All-llahut).” (Isra: 107-109) Ky Kur’an i siguroi Rilindjes Islame elemente të ekzistencës dhe kompletimit, në atë mënyrë që nuk do arrinin ta formonin njëmijë ministri të propagandës që do të rreshtoheshin për të ushqyer ndjenjat e emocionet dhe mendimet me mijëra filma dhe oratorë vigjilentë të rangut të lartë. Ky Kur’an ishte për Lëvizjen Islame gazetë, radio, libër dhe oratori e saj. Nga ajetet e tij u lëkundën e dridhën breza e breza të stagnuar, më ndihmën e tij i thyen prangat e injorancës së parë dhe ndërtuan një renesancë të re e cila u karakterizua më të vërtetat e veta. Kjo rilindje dhe ky rizgjim nuk u nis dhe ngrit vetëm nga një njeri, në mënyrë që të vdesë bashkë me të, por buron nga thellësitë e shpirtrave të cilët besuan fuqimisht dhe me bindje. Kur’ani arriti të ketë këtë ndikim tek miqtë dhe armiqtë përmes sekreteve e mrekullive të cilat i prezantuan dijetarët nga Libri i Zotit dhe sekreteve të amshueshmërisë të cilën ia dha Zoti ajeteve të tij. Adhuruesit e mrekullive materiale nuk i pëlqenin këto konsekuenca të ndikimit të tij. Ata thonin duke shpresuar: “Sikur të ishte ndonjë Kur’an që me të do të ecnin malet, që më të do të plasej toka, që më të do të flisnin të vdekurit.” (Er-Rra’d: 31) Por, JO u themi atyre. Më këtë Kur’an ecin burrat (njerëzit), më të rregullohet toka, më të flasin të gjallët. Ky Libër riformon jetën në modele të reja; shpirtrave ua kthen shikimin e shëndoshë; njerëzit i mbron nga e keqja e djajve, ndyrësitë e të marrëve dhe traditat e injorantëve dhe mohuesve. Ky është Libri i ekzistencës, atë e njeh kush njeh vetveten dhe kush di qëllimin e jetës së vet që nga fillimi e deri në mbarim, përderisa mohuesit do ta kuptojnë të vërtetën nesër nëse nuk e kuptojnë sot: “… Jo, (ata nuk besojnë) se e tërë çështja i takon vetëm All-llahut. A nuk e kanë të qartë ata që besuan se, sikur të donte All-llahu do t’i drejtonte në rrugë të drejtë të gjithë njerëzit; por ata që nuk besuan, e për shkak të asaj që bënë, do t’i godasë vazhdimisht fatkeqësi e kohës ose do ta rrethojë (fatkeqësia) vendin e tyre deri sa të vijë urdhri i All-llahut. All-llahu nuk e thyen premtimin.” (Er-Rra’d: 31) Kur’ani është burim i dritës, mëshirës dhe behar i zemrave. Kjo mrekulli e madhe e Profetit është fjala e shpalljes Hyjnore e cila me ligjet humane dhe të plota e çon njeriun drejt së vërtetës. Kur’ani është i ngjashëm me drurin Tuba (një dru në Xhennet), i cili origjinën dhe rrënjët i ka në Xhennet, ndërsa degët i ka të lëshuara në gjithësi. Pra, njeriu i cili arrin të kapet në njërën prej degëve të këtij druri, vetë do të bëhet një lulishte me dritë dhe gëzim, si dhe në trupin e tij mëshira dhe dashuria do të lëshojnë rrënjë. Ajetet e Kur’anit janë degët e drurit Tuba, kurse një nga këto degë thotë: “Me njerëzit flisni me të mirë”. Kur’ani është si një lum që rrjedh nëpër kohë dhe çdokush që e shfrytëzon atë fiton jetë dhe lumturi. Kur lexohet Kur’ani, nga qielli bie shiu i mëshirës dhe bereqeti Hyjnor mbi shpirtin e njeriut. Leximi i Kur’anit duhet të jete me ide dhe logjikë, sepse Kur’ani është recitali më i bukur i jetës dhe përjetësisë. Sado që të përparojë dija dhe shkenca e njerëzimit, njeriut i paraqiten pamje dhe recitale të reja nga ky dokument qiellor. Secili në Kur’an do të gjejë aq sa vlen ai në të vërtetë.