Është një këngë e vjetër qytetare që këndohet në të gjitha trevat e Gadishullit Ilirik.., në Shqipëri, Greqi, Bullgari, Serbi, Kosovë, Mal të Zi dhe në Maqedoni. Sikur t’i pyesësh këta popuj se kush e ka shkruar tekstin dhe “pronë” e kujt është kjo këngë, gjithsecili nga këta do thonë se është e tyre.
Historia e Paktit të Varshavës i njeh figurat politike si vijon: Erich Honeker (Gjermania Lindore), Todor Zhivkov (Bullgari), Ludvik Svoboda (Çekosllovaki), Janosh Kadar (Hungari), Vlladisllav Gomulka (Poloni), Nikollae Çaushesku (Rumani), Josif Visarionoviç Xhugashvilli, ndryshe Stalini. Ishin edhe ca të tjerë që nuk i takonin kësaj aleance, si për shembull: Josip Broz Tito (Jugosllavi) dhe Enver Hoxha (Shqipëri).
Të gjitha këto figura të lartpërmendura karakterizohen me diktaturën, “autoritetin vertikal komunist” si dhe me ca barsoleta të përbashkëta për ta. Para se t’i shpjegojmë barsoletat që ua “faturuan” atyre, ne na duhet të hetojmë edhe një provë që rrok një segment nga privatësia e tyre. Njohësit e kësaj historie thonë se asnjëri prej këtyre diktatorëve (hiqe mënjanë Enver Hoxhën), asnjëherë nuk u rimartuan me gratë e tyre të divorcuara!? Po e vazhdojmë me barsoletën e parë ku, pos të tjerash, mjeshtrit hokatarë japin edhe këtë shpjegim: Tito, në një vjeshtë të vonshme, me rekomandim të urologut dhe reumatologut personal, kishte degdisur në Igallo të Malit të Zi, e cila në atë kohë njihej si një ndër qendrat më të mira të Ballkanit për shërimin e reumës dhe prostatës!? Tito kishte kërkuar prej shefit të protokollit që t’i gjejë një plak hokatar për ta argëtuar me barsoleta. Kur ishte futur në rezidencën e presidentit të shtetit, plaku malazez që vinte nga një katund i varfër, aq shumë ishte shtangur a hutuar nga ajo hapësirë skajshmërisht luksoze sa që kishte harruar udhëzimet e shefit të protokollit. Tito, duke e vërejtur habinë e plakut, filloi të ligjërojë për “Luftën nacional-çlirimtare” si dhe për të arriturat e popullit punonjës të Jugosllavisë!? Plaku duke u gjendur në pozitë “palakmueshme”, me një sintaksë të çoroditur malaziase, iu drejtua “Plakut” : “Shoku Tito, para se të dukem këtu pari, më thanë që unë të ju tregoj barsoleta e jo unë t’i dëgjoj tuat”.
Thonë se edhe Enver Hoxha pati thërritur njëherë një plak të vjetër që t´i tregonte përralla. Kështu, ai e mori plakun te kopshti i tij me lule për t´ia treguar aty përrallat.
– Shumë të bukur e paske bërë kopshtin me lule – i tha plaku.
– Unë kopsht të tillë me lule kam bërë tërë Shqipërinë – ia preu Enveri, duke gjetur rastin për të bërë pak propagandë.
– A kam ardhur unë të të tregoj përralla ty, apo ke ardhur ti të më rrëfesh përralla mua? –kishte thënë plaku.
Me këtë barcoletë ishin ballafaquar të gjithë diktatorët e lartpërmendur me përjashtim të Stalinit, i cili kur kishte vajtur për pushim në pushimoren ruse Soçi, kishte parapëlqyer që pranë vetes të kishte një hokatar nga një fshat i Siberisë. Shefi i protokollit të tij kishte angazhuar një plak që do t’i tregonte përralla Josifit me mustaqe, por paraprakisht i kishte thënë: “Do të shkosh në pushimoren e kryetarit të shtetit, ki parasysh dhe mbaje mend që barsoletat të mos shkojnë në llogari të tij”!? Plaku, si plak, me të folmen e tij të bukur dhe të rrjedhshme veproi njësoj si hokatari jugosllav, ai shqiptar dhe të tjerët si ata. Por Stalini nuk e duroi dot “shakanë” dhe plakun siberian e vari në litar. Kështu, “shakaja e plakut shkoi në dreq të mallkuar”!…, njashtu siç shkoi njëmendësia në bythë të historisë së saj!
Të nderuar lexues, nëse nuk ju “bezdisa” me këto përralla që i shkarravita në paragrafin e parë të këtij shkrimi gazetaresk, do të më lejoni që t’i referohem edhe një vakie nga koha e mbretit të shqiptarëve, Ahmet Zogollit. Një pasaniku ia kishin vjedhur në vijimësi shtëpinë hajdutët. I ndodhur në siklet, pasaniku kishte angazhuar “rojtarë me pagesë të majme” për t’u kujdesur për pasurinë e tij. Megjithëkëtë, hajdutët prapëseprapë ia kishin “bastisur” shtëpinë dhe çekmexhenë ku kishin gjetur lekët e vjedhur nga arka e shtetit. Pasaniku, i zhgënjyer nga “rojtarët”, kishte kërkuar ndihmë nga oborri mbretëror…, por as kjo nuk ia zgjidhi problemin. Një “kumarxhi” nga një mëhallë e hajdutëve e kishte dëgjuar këtë “haber”, i ishte drejtuar pasanikut me fjalët: “…, ti, miku im i nderuar që ke prapanicë të dhjamosur, për ta ruajtur shtëpinë tënde, duhet të angazhosh një hajdut…”. Vërtet ky sugjerim i kumarxhiut zuri vend!
Nëse ky shkrim imi ka ndonjë gjymtim, atëherë ai do konsistojë në faktin se autori nuk është në gjendje të japë prova se “pronë” e kujt është kjo barsoletë. Rusët mund të thonë se është e tyre, po të njëjtën mund ta thonë edhe sllavët e tjerë dhe në fund edhe shqiptarët e Shqipërisë londineze!? Se ku kishte ndodhur vakia e vjedhjes së shtëpisë së pasanikut…, edhe për këtë asnjeri nuk do të mund të thotë gjë. Unë nuk e kam ndërmend që në këtë shkrim të kërkoj a të gjej krimbin, moralin e dyfishtë dhe cinizmin e barsoletës…, nuk do të bëj as avokatinë e saj (larg qoftë), nëse do ta bëj këtë me qëllim a pa qëllim, atëherë do të bie në grackën e saj dhe, së fundi, ky shkrim toptan me autorin do të shndërrohet në tabelë qitjeje!? Unë do të parashtroj pyetjen se a mos vallë “monarkët” e partive politike në Tiranë, në vigjilje të 23 qershorit a në prag të zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri, do të hezitojnë ta hapin “arkivin” e kësaj barsolete, a mos vallë do të kërkojnë ndihmën e “arkeologut politik”…, a mos vallë gjithsecili prej tyre nuk do të angazhojë atë plakun “shakaxhi” nga Skrapari, i cili në fushatat zgjedhore të tyre do obligohet që trupit votues t’u tregojë barsoleta në kërkim të votës së tyre deliberative…, a mos vallë hokatari plak nga Skrapari do të duhet të dëgjojë barsoletat e politikanëve të cilët aktualisht ushtrojnë pushtetin absolut dhe makiavelist…, dhe të atyre që janë opozitarë…, a mos vallë plakut “shakaxhi” nga Skrapari do t’i duhet ta besojë vakinë nga koha e mbretit Ahmet Zogolli…, a mos vallë pushtetarëve dhe atyre që mëtojnë ta “pushtojnë” qeverinë do t’u duhet të angazhojnë “rojtar burgu” që ta ruajë arkën boshe të shtetit a edhe të komunës…, a mos vallë opozitarët pas 23 qershorit do të arrijnë t’i vënë pikë “potikëbërjes putiniste” (sipas presidentit rus, Putin) në Shqipëri dhe përreth saj…, dhe nëse këtyre do t’u mungojë takati mental për ta bërë këtë ndryshim, atëherë u mbetet që të shpresojnë në një të ardhme më të mirë…, ose, në instancë të fundit, do të detyrohen të pajtohen me “realitetin politik” si dhe me atë recidivizmin e barsoletës!? Ndryshe nuk bën…, po edhe nëse do bëhet nuk do të jetë e hijshme dhe e lezetshme.
Unë, si një shkarravitës i thjeshtë, nuk dua të besoj se kjo barsoletë që përflitej gjithandej hapësirave të ish-shteteve të bllokut komunist, si dhe ajo vakia e vjedhjes së pasurisë së pasanikut (nuk) do të përsëriten në fushatën zgjedhore në Tiranë, Vlorë a në ndonjë kasaba tjetër të Shqipërisë. Në do të ndodhë e kundërta, atëherë ky shkrim “toptan” me autorin le të shkojnë në theqafje. Fundi i fundit, ngado që të rrotullohesh, bythët i ke gjithmonë mbrapa!
EDITOR
12 years ago
previous article
Kam vendosur të krijoj një parti!
you might also like
JO KRIME, NË EMËR TË NDERIT! – Dr. Bashkim Aliu
2 years ago
Agjërimi shkollë e durimit
3 years ago
Një vazo me shumë lule!
3 years ago