Ata do të flasin për ndryshimin e së nesërmes së panjohur! Togfjalëshi i përhershëm i “zhgënjimit 22-vjeçar” qëndron si fashë e hequr nga plaga e një premtimi që nuk u realizua kurrë. Këtë mësojmë sot ne bijtë e së nesërmes të koalicioneve të mëdha me të njohur dhe të panjohur. Kështu, si dje, me shkopinj ndër duar për të hedhur në gropë doçen, e për të lëshuar në zgrip kundërshtarin. Po kaq e vjetër loja e zhgënjimit dhe po kaq e mjerë, historia e krijimit të partive me të njëjtën dorëzënie; atë të një Shqipërie të zhvilluar. Kështu së fundi, lindi edhe një parti e re, kushedi e sata në radhën e qindra partive që lulëzojnë në këtë vend, sigurisht me premtimin e njëjtë me çështje diametrikisht të lidhura me njëra-tjetrën. Madje, krejt për të qeshur, rënkon e dëgjon që edhe vetë ata që firmosën shkresa për varje e pushkatime, janë shndërruar kësisoj në të zhgënjyer të 22-vjeçarit të sotëm pos tyre. Madje, kanë edhe një premtim për viktimat: të vdekurit, për t’i rehabilituar dhe të gjallët për t’i paguar!
Dhe ata janë prapë të zhgënjyer, të zhgënjyer ngase 500 mijë eurot u derdhën në llogarite e tyre bankare, sigurisht të fshehura nën mëngët e pushtetit që nuk punuan që të jenë ata në shërbim të shtetit, por që shteti të jetë në shërbim të tyre. Ne, populli i thjeshtë, nuk jemi të zhgënjyer. Ne jemi të zhgënjyer pse ata janë të zhgënjyer dhe pse barqet e tyre nuk kanë të ngopur. I shohim me habi teksa dëgjojmë recitimet e tyre të përditshme për nder të kombit. S’jam patriot, por më thoni se ç’kuptim ka e gjithë kjo demagogji e përditshme e llustruar dhe e veshur me atë pelerinë po kaq të vjetër sa vetë bota?! Ne, prapë nuk jemi të zhgënjyer! Të zhgënjyer janë ata që gjysmën e tenderit të ndërtimit të një rruge e çuan në drejtimin që deshën dhe prapë nuk u ngopën, aq për të mos u besuar është gjykimi i tyre. Të zhgënjyer janë ata që partitë politike i krijuan për të ruajtur kokat e tyre nga mallkimi i historisë dhe i zullumit që i ndoqi pas edhe kur ata nuk e kuptuan. Të zhgënjyer janë ata, që ligjin e bënë për të shpëtuar veten, ndërsa sistemin e drejtësisë e drejtuan sipas motos “shoferit kurrë nuk i duhur folur, pasi ai e di vetë rrugën, edhe kur është e gabuar”. Të zhgënjyer janë ata që e gënjyen kaq shumë këtë popull, dhe e shfrytëzuan kaq shumë duke ngarendur nëpër mitingje të detyruara për t’i dhënë një copë bukë diskreditimi për dinjitetin. Dhe ata ecën pas, për t’i ndjekur, për t’i shoqëruar me të njëjtën formë besnikërie dhe besimi të kauzës që ndryshoi vazhdimisht emër dhe përfytyrim, e aq më shumë ngjyrë. Të zhgënjyer janë ata që na e thanë kaq shumë se do t’iu çojmë në Evropën e bekuar, saqë sot jemi populli me evropian se sa vetë evropianët. Si gjithnjë era e mashtrimit ndihet lehtë dhe shumë vonë, pasi për momentin, pritet vetëm prodhimi i stilolapsit për të firmosur 300 mijë punësimet e të tërë të papunëve, madje edhe të atyre që nuk dihet nëse jetojnë në këto anë, përveç se kanë një emër në gjendjen civile. Edhe nëse kjo nuk u bë këtë mandat, do të bëhet mandatin tjetër. Krejt koha është me ne dhe e përdorim atë si të duam, por poshtë lumi i jetës ikën në rrjedhën e vet, duke na lënë prapë në ëndrrën e mashtrimit që partitë politike na i zbukurojnë në të gjitha stinët e vitit. Përpos kësaj, të nesërmen do të Rilindim, madje më të rinj seç jemi, më trima e më bujarë, njësoj si qelqi e si bora të bardhë!
Ndaj si shenjë zhgënjimi, kam vendosur të krijoj një parti politike. Motoja: të gjithë të bashkuar për në parajsë, ejani në trenin tonë….!!!!!