Kryetari i Forumit Botëror Boshnjak, ish-kreu i Bashkësisë Islame në Bosnje dhe Hercegovinë, reis-ul-ulema Mustafa Ceriç ka reaguar në lidhje me vrasjen brutale të ushtarit britanik Lee Rigby që ndodhi javën e kaluar në mes të ditës pranë kazermës në lagjen Woolwich, në jug të Londrës, duke theksuar se keqpërdorimi i emrit të Allahut duhet të ndalet.
Dy persona sulmuan dhe vranë një ushtar britanik, i cili ishte vetëm 20 vjeç, mediat botërore publikuan inçizimet e njërit prej tyre, me duar të përgjakshme, duke thirrur Allahu Ekber (Allahu është më i madhi.).
Ceriç është profesor në Universitetin e Shkencave dhe edukimit islam në Aman, ku aktualisht jeton dhe punon.
„Për vite të tëra, me sytë e mi, kam shikuar si derdhej gjaku i njeriut në rrugët e Sarajevës. Megjithatë, gjaku në duart e xhelatit me thikë kasapi, të cilin e kam parë në rrugët e Londrës më ka tronditur më shumë se kurrë. Jo pse gjaku i njërit është më i vlefshëm se gjaku i një qenieje tjetër njerëzore. Por, më ka tronditur fakti se ai gjak ishte derdhur mu në mes të ditës, në rrugët e Londrës, e vrasësi thërriste “Allahu Ekber”, me dëshirë për hakmarrje për politikën e huaj britanike ndaj muslimanëve”, tha Ceriçi.
Ai mendon se është koha që muslimanët, sidomos ata në Evropë, por jo vetëm në Evropë, të marrin hapa serioz dhe të përgjegjshëm për të zbuluar se kush është prapa keqpërdorimit të fjalës shumë të vlevshme “Allahu Ekber” dhe kush janë ata të cilët përhapin frikë dhe terror në emër të Islamit në rrugët evropiane.
„Njerëz të tillë mund të quhen gjithqysh, por jo muslimanë. Ata njerëz janë vrasës dhe duhet të trajtohen në të njëjtën mënyrë siç trajtohet vrasësi Anders Behring Breivik. Ne tashmë e dimë emrin e vrasësit në Woolwich. Por, atij i është vënë edhe një emër tjetër: Islamikë. Sa herë duhet përsëritur se Islami është i pafajshëm nga terrorizmi? Çfarë duhet shtuar që mediat të kuptojnë se shpërblimi më i madh për terroristët është t’i quash “islamistë”? Unë jam i sigurt se qeveria britanike do të shqyrtoj këtë vrasje nga të gjitha aspektet, por a do ta shohin vrasjen në Woolwich të gjitha bashkësitë muslimane në mbarë botën në mënyrë serioze dhe të përgjegjshme“, pyet Ceriçi.
Ai shpresën se po, por jo për shkak se, siç tha ai, të marrin lëvdata nga qeveria britanike, e as të tregojnë se pajtohen me politikën e jashtme britanike, por për të ruajtur emrin e Islamit kundër abuzimit dhe për të ruajtur fëmijët e tyre nga paragjykimet për shkak të besimit të tyre.
„Sigurisht, askush nuk duhet të injorojë fenomenin islamofobi, por askush nuk duhet të anashkaloj shenjën e islamoprofanisë. Mu për këtë, ne sot ballafaqohemi me profanizimin brutal të Islamit nga ata që pretendojnë se janë ftuar të “sakralizojnë” Islamin. Ne duhet t’i pyesim, edhe sa duhet të përdhoset shenjtëria e Islamit për “sakralizimin” tuaj të Islamit?! Edhe sa herë duhet thirrur “Allahu Ekber” për vrasjet tuaja?! Për kë, dhe në emër të kujt jeni duke bërë këtë?! Sigurisht që jo në emër të Allahut dhe Islamit? Jo, kjo nuk është thirrja “Allahu Ekber”, të cilën e mbaj në zemrën dhe në shpirtin tim! Jo, Islami nuk lejon që në emër të tij të derdhet gjaku në rrugët e Londrës! Jo, Islami nuk ka ardhur për t’i friguar njerëzit në shtëpitë e tyre. Jo, Islami nuk është fe e vetvrasësve, bombëhedhësve, shpërthimeve të makinave dhe vrasjes së njerëzve të rastit“, tha Ceriçi.
Sipas fjalëve të tij, misioni fisnik i Islamit ka dëshmuar që jeta e njeriut është më e shenjtë se vetë shenjtëria e Qabes, vendi i shenjtë i të gjithë muslimanëve të botës.
„Islami erdhi për të na mësuar se si të duam njëri-tjetrin dhe si të respektojmë unitetin e racës njerëzore. Islami është mëshira e Zotit dhe drita e gjithë njerëzimit. Kështu na ka mësuar Profeti ynë Muhamedi a.s. në fjalimin e tij të fundit në kodrën e Arafatit, e kjo është që shenjtëria e jetës së njeriut është si shenjtëria e ditës së shenjtë të Arafatit. Profeti do të turpërhej nëse do të vinte dhe t’i shikonte veprimet e disa njerëzve të papërgjegjshëm duke u thirrur në emrin e lartësuar të Allahut dhe duke përdorur kuptimin e shenjtë të Islamit, i cili është paqe dhe gëzim për të gjitha botat. Sot, çdo musliman ndihet i turpëruar dhe i frikësuar, për shkak të vrasjeve që ndodhin jo vetëm në rrugët e Londrës, por edhe në rrugët e Bagdadit, Damaskut, Kabulit dhe Lahores. Islamofobia është shpikje jomuslimane, por islamoprofanija është produkt musliman, prandaj muslimanët duhet vetë të kujdesen që të shërohen nga kjo sëmundje e tmerrshme“, tha Ceriçi.
Çfarë është më e rrezikshme se islamofobia?
Sëmundja e Islamoprofanisë, sipas tij, është më e rrezikshme për bashkësinë muslimane se sa islamofobia, sepse ajo vret thelbin e qenies së saj.
„Është koha që studiuesit dhe intelektualët muslimanë të të gjitha shkollave dhe mësimeve të bashkohen dhe të lëshojnë një deklaratë të fuqishme për fjalën e përbashkët, për fatin e përbashkët të muslimanëve kundër atyre që e keqpërdorin emrin e Allahut dhe të Islamit në mënyrë të gabuar. Duhet të ekzistoj një mënyrë që të mbrohet emri i Allahut dhe misioni paqeruajtës i Islamit nga ata që përhapin frikë rreth nesh, dhe të cilët vrasin të ardhmen e fëmijëve tanë. Bashkësia muslimane në Angli ka mbështetjen tonë të plotë në dënimin e vrasjes në Londër, por kjo nuk është e mjaftueshme. Muslimanët britanik janë mjaft të pjekur që të njohin rrezikun e islamoprofanisë dhe për këtë arsye duhet të nisin një iniciativë për mbrojten e Islamit nga profanatizmi brutal“, tha Ceriçi.
Lufta kundër keqpërdorimit të emrit Allah dhe Islamit
Siç vuri në dukje, zëri i muslimanëve kundër islamoprofanisë duhet të jetë i lartë dhe i qartë.
„Lufta kundër keqpërdorimit të emrit të Allahut dhe Islamit është një detyrë për muslimanët dhe,për këtë arsye, ata vetë duhet ta zhvillojnë, duke mos pritur që t’i thërret dikush tjetër. Kushti i parë për shërimin e kësaj sëmundje të rëndë eshte që ta kuptojmë se ku na dhemb. E ne këtë e dimë shumë mirë, na dhemb zemra dhe shpirti. Ata që Islamin e paraqesin përmes vrasjes duhet të identifikohen dhe të izolohen nga bashkësitë tona. Duhet të ndalet abuzimi i Islamit për qëllimet e tyre profane. Mentorët e tyre duhet të kapen dhe të ndalen që mos t’na shkaktojnë më dhimbje në zemër dhe në shpirt“, përfundoi Ceriçi./igj/