Ndoshta të gjithë bënin shaka me nxënësit që testet eksterne që realizohen në shkollat fillore dhe të mesme të vendit me ose pa dashje i quanin teste ekstreme. Megjithatë koha e vërtetoi se ka një ekstrem në këto teste. Dje është mbajtur testi ekstern në lëndën e gjeografisë dhe nxënësit shqiptar që i janë nënshtruar provimit janë përballur me një gjuhë shqipe ekstreme në ato teste.
 
Të pyesësh nxënësin e shkollës fillore se me cilin shtet nuk kufizohet Franca, dhe në të gjitha përgjigjet e mundshme të jenë shtete me të cilat nuk kufizohet Franca, e ndërsa ke të drejtë të zgjedhësh vetëm një, është një absurd i llojit të vet më të cilin është dashur të përballen nxënësit shqiptar.
Portali Tetova1.com ka arritur të siguroj foto se si duket formulimi i pyetjeve në këto teste. Pyetjet e përkthyera nga njerëz joadekuat dhe me gabime trashanike kanë vënë në siklet të madh të nxënësit që i janë nënshtruar testimit në gjeografi.
Në teste shihen pyetje të pakuptimta, pyetje ku nuk ka asnjë përgjigje të saktë, pyetje të paforumuluara si duhet, gabime drejtëshkrimore dhe përdorim i sllavizmave.
“Në lëndën e Gjeografisë është primare që nxënësit të dijnë të orientohen në hartë, por me këta pyetje në test nxënësit vetëm se çorientohen dhe nuk mund të japin përgjigje të saktë. Ne si gjeograf nuk jemi kundër testimeve eksterne, por reagojmë ashpër kundër këtyre pyetjeve që çorientojnë nxënësit dhe normalisht që nuk mund të përgjigjen saktë” thotë një arsimtar i gjeografisë për portalin Tetova1.com.
Për gabime të tilla u raportua që në ditët e para të testimit ekstern. Realizimi i testimit ekstern është një projekt i cili ka lëshime të shumta, nga i cili përpos arsimtarëve, pasoja të mëdha do të kenë nxënësit. MASH-i, nuk duhet të lejoj që nxënësit të jenë mjet përmes të cilit do të sanksionohen arsimtarët sepse vetë institucionet kompetente për testim ekstern kanë bërë gabime katastrofale në pyetjet e testimit. /Tetova1.com/