Ndeshja e barazuar 1-1 me Norvegjinë në “Qemal Stafa” ishte e fundit e sezonit për të gjithë futbollistët e Kombëtares shqiptare. Tani ata mund të shijojnë pushimet, që gjithsesi për shumë prej tyre do të jenë të trazuara për shkak të tratativave për të ndryshuar ambient gjatë merkatos së verës.
Sigurisht që jehona e dy rezultateve pozitive radhazi ndaj norvegjezëve dhe mbi të gjitha klasifikimi i Shqipërisë në vendin e 38-të në renditjen e FIFA-s, ka ndikuar në rritjen e vlerës së kartonit të kuqezinjve. Gjithsesi, lojtarët tanë zënë një vend modest në tregun e madh botëror të shitje-blerjeve të futbollistëve.
Por sa vlen në total skuadra e Xhani De Biazit?
Duke u bazuar te shifrat e publikuara nga ueb-faqja e specializuar gjermane “Transfermarkt.com”, vlera totale e Përfaqësueses shqiptare arrin në 31  150  000 euro. Këtu përfshihen 26 futbollistët e listës anti-Norvegji, 3 të pezulluarit (Cana, Roshi, Lila), të dëmtuarit (Meha, Kukeli), si dhe Vangjeli, Bakaj e Sadiku, pra në total 34 lojtarë.
Lorik Cana mbetet lojtari i Kombëtares shqiptare me vlerën më të lartë të kartonit, që kap shifrën 3.3 milionë euro. Pas futbollistit të Lacios vijnë Samir Ujkani, i cili sipas “Transfermarkt” vlen 3 milionë euro, Mërgim Mavraj 2.25 milionë, Armend Dallku 1.5, Amir Abrashi 1.25, Hamdi Salihi dhe Elis Bakaj me nga 1.1 milion euro.
I vetmi futbollist kuqezi që nuk është vlerësuar për çmimin e kartonit, ndoshta për mungesë informacioni, është mbrojtësi i Orebros në kampionatin suedez Ilir Berisha, i cili u thirr për herë të parë nga De Biazi por pa mundur të debutojë kundër Norvegjisë.
Ja renditja e plotë:
Etrit Berisha (24 vjeç) 1 milion euro
Samir Ujkani (24) 3 milionë
Orges Shehi (35) 125 mijë
Lorik Cana (29) 3.3 milionë
Renato Arapi (26) 600 mijë
Kristi Vangjeli (27) 1 milion
Admir Teli (32) 400 mijë
Tefik Osmani (27) 300 mijë
Ilir Berisha (21) ?
Debatik Curri (29) 1 milion
Mërgim Mavraj (27) 2.25 milionë
Ansi Agolli (30) 350 mijë
Elseid Hysaj (19) 900 mijë
Armend Dallku (29) 1.5 milionë
Andi Lila (27) 750 mijë
Burim Kukeli (29) 600 mijë
Ergys Kaçe (19) 900 mijë
Ervin Bulku (32) 400 mijë
Sabien Lilaj (24) 425 mijë
Migjen Basha (26) 1 milion
Alban Meha (26) 1 milion
Jurgen Gjasula (27) 800 mijë
Vullnet Basha (22) 600 mijë
Odise Roshi (22) 600 mijë
Elis Bakaj (25) 1.1 milion
Armando Vajushi (21) 1 milion
Valdet Rama (25) 1 milion
Amir Abrashi (23) 1.25 milionë
Emiliano Vila (25) 550 mijë
Azdren Llullaku (25) 700 mijë
Edgar Çani (23) 750 mijë
Hamdi Salihi (29) 1.1 milion
Erion Bogdani (36) 300 mijë
Armando Sadiku (22) 600 mijë
Totali: 31.15 milionë euro
/Start/