Tashmë nxënësit e ciklit fillor, nëntë-vjeçar dhe të mesëm po bëhen gati për të marrë dëftesat, një pjesë e tyre edhe mund t’i kenë marrë.
Para marrjes së dëftesave përjetohen emocione të forta si nga nxënësit ashtu dhe nga prindërit. Për këtë arsye psikologët japin sugjerimet dhe këshillat e tyre rreth mënyrës së sjelljes ndaj rezultateve të fëmijës, sido qofshin ato.
Në të vërtetë dëftesa e fëmijës është dhe dëftesa e nënës dhe babait. Ashtu siç mund të jenë emocionuese dhe të gëzuara mund të sjellin dhe mërzi. Sido që të jetë dëftesa, ajo është treguese që ndikon direkt në komunikimin e brendshëm familjar dhe në psikologjinë e fëmijës. Si duhet ta lexojmë dëftesën e fëmijës?
“Ka shumë faktorë ndikues në suksesin e fëmijës. Edukimi i mirë i fëmijës, të mësuarit, zgjuarsia dhe aftësitë në lidhje me zgjuarsinë, qetësia familjare, ekzistenca e një ç’rregullimi psikik  apo fizik, mënyra e disiplinës se treguar nga prindërit, motivimi i fëmijës dhe shumë faktorë të tjerë. Në shumicën e rasteve familjet mendojnë se notat e dobëta në dëftesë janë shenjë treguese e dembelizmit të fëmijës. Por harrojnë se suksesi i fëmijës varet nga shumë faktorë të tjerë. Ndonjëherë  suksesi lidhet direkt me tipin e fëmijës. Zakonisht prindërit presin që fëmijët e tyre të shkëlqejnë në matematike dhe fizikë por shumë fëmijë  mund të kenë prirje për sport dhe art. Familjet duhet ta kenë parasysh këtë.
Stimulimi  përforcon sjelljen 
Stimulimi i një sjelljeje e përforcon më shumë atë sjellje. Por duhet pasur kujdes në zgjedhjen e çmimit apo shpërblimit.
Si duhet të sillen prindërit ndaj fëmijës me nota të dobëta?
Në të vërtetë kjo është dhe dëftesa e nënës dhe babait. Një nënë e kujdesshme  i kupton më parë notat e fëmijës dhe gjendjen e tij dhe mund të marrë masat e nevojshme. Një fëmijë me një dëftesë me nota të dobëta është shumë i mërzitur. Në vend të dënimit të fëmijës preferohet zgjidhja e problemit. Suksesi nuk duhet të bëhet kushti i parë i dashurisë. Një prind duhet t”i shfaqë dashurinë e tij fëmijës edhe kur ai dështon. Duhet të kërkohen zgjidhje të përbashkëta për problemin. Kuptimi i disa problemeve vetëm ditën e dëftesave është i padobishëm.
Kujdes me ceremonitë e shpërndarjes së dëftesave
Ceremonitë e shpërndarjes se dëftesave stimulojnë nxënësit më nota të mira dhe nënvizojnë faktin e marrjes së notave të mira, por nga ana tjetër fëmijët arrijnë t”i përshtaten këtij stili rivalist. Por, nëse situata të tilla hiperbolizohen mund t’i nxisin fëmijët drejt makievalizmit, i cili lejon çdo lloj rruge që të shpie te suksesi./Start/