Ko5ova si duket i ka harruar disa që e kanë bërë atë të duket Ko5ovë! Krenaria që e ndien secili banorë i këtij shteti për 5 vjetorin e shpalljes se pavarësisë është e madhe. Kushtimisht në këtë festë secili përmend meritat e atyre që kontribuan për shtetësinë e këtij vendi. Ndoshta kujtimi i asaj se ku ishim më parë dhe ku jemi tani, na bënë t’i harrojmë disa që me të vërtetë kanë kontribuar me gjithcka kishin për këtë vend, dhe e vazhdojmë festën në mënyrë normale!
Situata në vendin tonë pas përfundimit të luftës ishte e atillë, që disa që ishin nga kontribuesit e mëdhenjë në luftën e UCK-së të vriten, e vrasjet e tyre ende të mos zbardhen edhe në këto ditë kur shteti ynë i mbushë 5 vite. Kur një gjë e tillë është bërë në liri dhe në kohë feste të pas clirimit, sa mund të themi që edhe gjatë luftës mund të kishte vrasje të tilla?! Nëse do bëhej një hetim i disa rasteve, dhe të mos ndikohej gjyqësori nga politika, a mund të dilnin fakte të reja, që disa nga figurat kyce në luftën e fundit të jenë ekzekutuar nga vetë dora e disa patriotëve të pas luftës?! Sa nga ata që llogariten të jenë të zhdukur, dhe ende nuk dihet asgjë për ta, mund të jenë lënë në kurth nga disa që sot kanë pozita të larta në institucionet e vendit dhe urojnë të tjerë për 5 vjetorin e pavarësisë?!
Nëse shteti është i qytetarëve, cfarë po bën për ta? Në cdo të dytën familje në Kosovë mund të gjesh përsona që kanë rënë për këtë vend, ose janë të zhdukur, ose kanë marrë pjesë në ndonjë prej luftërave për clirimin e Kosovës. Në shumicë, secili qytetar i këtij vendi ka dhënë kontribut për cdo pëllëmbë toke. Simbolikisht, po të pyetet secila nga to, do thonë që janë të kënaqur me shtetin e tyre. Jo nga ajo që është bërë deri më tani, por nga krahasimi me gjendjen e mëparshme. Në përgjithësi, me 17 shkurt të gjithë do ndihen të gëzuar dhe të kënaqur, dhe secili do e festojë këtë ditë. Në këtë ditë do ndihen tonet nacionaliste dhe nderimi i dëshmorëve të rënë nga secili udhëheqës shtetëror dhe partiak. Ndoshta disa do i marrin të gjitha meritat për këtë ditë shkaku i pozitës që kanë. Jo pse atë pozitë e kanë merituar, por pse dinin t’i përdornin të tjerët për arritjen e qëllimeve të tyre.
Në përgjithësi, edhe zemra e nënës së thyer për humbjen e djalit, zemra e gruas për humbjen e burrit, zemra e fëmijës jetim, do ndiejë një pikë gëzimi për këtë ditë.
Por si ndihen këto familje jashtë kësaj feste? Ose më mirë të themi “Si ndihet luftëtari/ja e lirisë?”. Ata që sot janë gjallë dhe e presin këtë ditë, por kanë përjetuar shumicën e betejave të UCK-së, dhe sot janë lënë anash nga vetë shteti i tyre!
“Një herë, në një kohë, në një vend, kam përjetuar shumë, dhe kam dhënë gjithcka për vendin tim!”
Kujt nga ju këtë ditë do i shkojë mendja për disa që sot enden rrugëve për të siguruar një kafshatë goje për fëmijët e tyre! Ndoshta do thoni të tillë ka shumë, dhe ajo cka i është caktuar nga Allahu i Madhërishëm secilit nga ne, duhet të pajtohemi, edhe nëse jemi në rrugë. Mund të takosh një të tillë në rrugë me një kamionetë, ose mjetë më të rëndë transporti, që gjatë tërë ditës pret për ndonjë që do i kërkojë transport. Të ka shkuar ndonjëherë mendja ta pyesësh për të kaluarën! Mos të habitë përgjigjja e tij, ai ka qenë ushtarë i UCK-së! Madje ka qenë i pranishëm në betejat më të mëdha të zhvilluara kundër pushtuesit serb! Mund t’i shihen qartë rrudhat e ballit dhe mundimi, por edhe dëshpërimi i thellë për gjendjen e tij dhe të shumë bashkëluftëtarëve tjerë që kanë mbetë rrugëve. Ai nuk kërkonë ndonjë pozitë, për këtë nuk ka luftuar. I duhet së paku një trajtim më i mirë, një jetë më e dinjitetshme, ose të paktën një respekt dhe një ndalje në rrugë për t’i zgjatur dorën nga disa bashkëluftëtar që janë në pozita të larta shtetërore.
A është pyetur luftëtari/ja i/e lirisë që sot shitet si punëtor/e krahu që t’i sigurojë fëmijëve të tij/saj ushqim në mbrëmje, si ndihet në ditën e pavarësisë? A është pyetur ai/ajo luftëtar/e i/e lirisë që sot mbanë fëmijët e tij/saj, dhe fëmijët jetim të vëllaut të rënë gjatë luftës, e që gjatë gjithë ditës lufton për 1 Euro! A është pyetur se si ndihet ajo familje që nuk i njihet statusi i dëshmorit pjesëtarit të saj të rënë në luftën për clirimin e Kosovës?! A është pyetur se si ndihet luftëtari/ja i/e lirisë , kur shikon dokumentare në television për luftën ku ai/ajo ishte pjesëmarrës/e, dhe ku ai/ajo nuk paraqitet në të dhe nuk i përmendet emri, por as nuk është pyetur nga regjisori i dokumentarit për rrjedhen e asaj lufte, dhe në të cilin flasin figura që nuk kanë ndjerë erë baroti?! A janë pyetur ndonjëherë se si ndihen kur e shohin që luftën sot po e shkruajnë tradhëtarët dhe ata që nuk kanë marrë pjesë në asnjë prej betejave të UCK-së, komandantët dhe luftëtarët e pas luftës. Të ka shkuar ndonjëherë në mendje se, pse në Kosovë po nderohen aq shumë vetëm disa nga komandantët e rënë gjatë luftës, dhe po harrohen të tjerët që kanë dhënë kontribut më të madh se ta?! Ndoshta e keni harruar Fondin “Vendlindja thërret”, 3 përqindëshin, thasët me të holla që hynin në Kosovë gjatë luftës. Ku shkuan vallë ato?! Mos është e mundur që këto dokumentare dhe këngë patriotike të jenë financuar nga to?! Mos ndoshta gjithë ato restorante e hotele, pika karburanti, e firma të mëdha të pas luftës, të jenë ndërtuar nga to?! A thua vallë, këta që sot e quajnë vetën komandant lufte dhe kontribuesit më të mëdhenjë, mos të kenë qenë të tillë në të vërtetë?!
A është pyetur luftëtarja e lirisë që është detyruar ta lëshojë Ko5ovën, për të cilën kishte dhënë rininë e saj, dhe kishte dalë në front të luftës, si ndihet në këtë ditë. Ajo sot nuk është më në vendin e saj të dashur. Ajo është dëshpëruar thellë me situatën në këtë vend, dhe mundësitë që i ofrohen secilit nga qytetarët e këtij vendi dhe nuk kishte zgjidhje tjetër pos ikjes nga ky vend. Asaj i ishte mohuar cdo mundësi punësimi këtu, jo pse nuk kishte kualifikime, ajo plotësonte të gjitha kriteret, dhe kishte kualifikime më të lartat, por sepse vendin e saj do e zinte një nga të afërmit e pushtetarëve. Kjo nuk kishte ndodhë një herë. Ajo ish ballafaquar me një gjë të tillë që nga pas lufta. Ajo tani urrenë të kthehet në këtë vend, edhe pse e do shumë, edhe pse e ka pjesën tjetër të familjes këtu, edhe pse më nuk mund ta vizitojë si më parë varrin e motrës apo shoqes/shokut të rënë gjatë luftës. Kjo vetëm për disa individ, të cilët e kanë bërë këtë shtet të padëshiruar për shumicën e të rinjve kosovar. Ajo është luftëtare e lirisë, dhe nuk është e vetmja, raste të tilla ka shumë!
Sa ka bërë vendi ynë për nënat që i kanë bijtë dhe bijat e zhdukura, për familjet e të zhdukurve në përgjithësi. Mendoni se si ndihet një nënë, një familje, kur emri e pjesëtarit të saj të zhdukur keqpërdoret në fushata zgjedhore, dhe këta individ që e përdorin emrin e atij personi të zhdukur nuk kanë vizituar asnjëherë këtë familje!
A mos vallë vendi ynë i ka harruar gjithë ato nëna, nuse e vajza të dhunuara gjatë luftës?! Pse lihen ende plagët e tyre të hapura?
A thua vallë, burgjet e Ko5ovës të jenë të mbushura me luftëtar të lirisë, të cilët mbahen padrejtësisht me vite të tëra që nga pas lufta. Disa nga ta nuk kanë gëzuar asnjë ditë lirie, edhe pse për të kishin dhënë shumë. Ata luftuan të jenë të lirë, që të largohet pushtuesi serb, i cili burgoste padrejtësisht prindërit e tyre dhe të shokëve të tyre, dhe nuk donin që gjeneratat e ardhshme të gëzonin fatin e njejtë. Mirëpo sot ata mbahen njejtë në ato burgje ku janë maltretuar keq gjeneratat e mëparshme. Për dallim, këta mbahen në burgje nga shokët e tyre të luftës, ose më mirë të themi nga komandantët e pas luftës!
I ka shkuar në mendë instituconeve të këtij vendi që të bëjë analiza të gjendjes së ajrit në tërritorin e Ko5ovës pas luftës, që kishte bombardime të shumëta?! Nga vijnë vallë gjithë këto sëmundje të ndryshme?! Mos ndoshta gjithcka që hynë në vendin tonë nuk kontrollohet dhe mund të jetë me afat të skaduar?!
Ko5ova me qëllimin e saj të jashtëzakonshëm në rritjen e numrit të njohjeve, ka harruar se kush ishte dhe nga kush ka ardhë këtu. Vendi ynë i mbuluar tërësishtë nga hajnija ( më butë “korrupsioni”), i kontrolluar nga disa individ, me ekonomi të rënduar dhe jo në ngritje të duhur, me një papunësi në ngritje, me një kaos ndërtimesh pa leje, me shumë ligje, por pa funksionim të tyre, me probleme të mëdha, por që nga media dhe institucionet tona mbulohen me probleme më banale, të dielën me 17 shkurt 2013 mbushë 5 vite ekzistence si shtet. Në këto 5 vite është harruar fëmija, ose i moshuari, apo nxënsi dhe studenti, apo edhe familja në tërësi, që banon në veri të vendit. Mitrovica ka qenë e pranishme në media gjatë tërë kohës, por secili nga ne, dhe secili nga pushtetarët nuk ka menduar për gjendjen e tyre, edhe pse ne të tjerët deri në vitin 1999 ishim në një gjendje të tillë.
Po të shohësh në dokumentaret e prodhuara pas luftës, historinë e Ko5ovës që nga viti 1997, dalin shumë figura që kanë kontribuar mjaft për këtë ditë. Ndoshta vetëm janë deklaruar si të tillë edhe pse nuk kanë kontribuar fare!
Që nga pas lufta, janë deklaruar shumë veteran të UCK-së, që nëse në të vërtetë do ishin pjesëtar të saj, nuk do kishte edhe aq nevojë të madhe për ndërhyrjen e ndërkombëtarëve, ose të paktën do mënjanoheshin disa nga masakrat serbe mbi popullatën civile.
Në dokumentare ngriten në hyjni disa nga komandantët e rënë, madje në ceremonitë përkujtimore vetëm për ta flitet. Ka komandantë të pas luftës që nuk kanë përvojë lufte, dhe nuk kanë qenë asnjë ditë gjatë luftës së UCK-së, të tillët i ke në këto dokumentare! Në to të rastisë të shohësh aktorë profesonist që tregojnë për trimëri në shumë beteja të luftës, por të cilët nuk ishin pjesëmarrës në to. Të bazohesh në to, ne jemi ndërtuar në mite!
Nëse publikisht të tillët marrin meritat e kësaj dite, ne i urojmë me gjithë zemër ata që në të vërtetë kanë kontribuar për këtë ditë, dhe të cilët nuk janë të paraqitur në ndonjë dokumentar, në ndonjë këngë patriotike, në ndonjë përvjetor përkujtimor, dhe që janë lënë rrugëve, por të cilët janë në zemrat dhe në lutjet e secilit prej neve. Ne me gjithë zemër dhe me lutje jemi pranë secilit nga ju që jeni jashtë Ko5ovës në këtë ditë, dhe keni dalë jashtë saj shkaku i dëshpërimit me këtë gjendje, dhe urojmë që sa më parë vendi ynë të shkojë në rrugën për të cilën ju jeni munduar. Ne e ndiejmë dhimbjen e secilës nënë, nuse, vajzë, të dhunuar gjatë luftës së fundit. Sinqerisht, ne jemi më pranë se kurrë ndaj atyre luftëtarëve të lirisë që mbahen padrejtësisht në burgjet e Ko5ovës sonë të dashur. Ne me të vërtetë jemi të bindur se ju që jeni lënë anash, keni kontribuar me tërë qënien tuaj, dhe nuk keni luftuar për asnjë pozitë, por ende shpresoni për ditë më të mira. Ne ndajmë cdo dhimbje me ju, me familjet e të zhdukurve, të invalidëve të luftës, dhe me secilin që në një formë ose në tjetrën është prekur nga lufta. Ne presim që sa më parë ju ta gëzoni me gjithë zemër këtë ditë. Ne do jemi zëri i juaj kurdoherë, do e njohim kontributin tuaj, dhe do e transmetojnë gjeneratë pas gjenerate.
Liridon Shala