“O ju që besuat, agjërimi u është bërë obligim sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm.” (Bekare, 183)

Kush është njeriu?

Ç’do ai në Tokë?

Cili është qëllimi im këtu?

Përse jam krijuar?

Bismilah…

Të qenit njeri, në fakt është një barrë e rëndë… dhe është ende më e rëndë ta kuptojmë këtë barrë, derisa nuk i referohemi Kuranit.

Nëse lëmë në një anë trajtesat, shpesh të pavlera, filozofike, e t’i referohemi Kuranit, si një përgjigje të madhe mrekullike, na jepen përgjigje të qarta e madhështore, lidhur me qëllimin e krijimit.

Kurani na flet, kryesisht, për dy qëllime kryesore të njeriut, që në vete janë edhe dy detyrat kryesore për neve.

  1. “Unë po krijoj (po përcaktoj) në tokë një zëvendës!” (Bekare, 30)
  2. “Unë nuk i krijova xhinët dhe njerëzit për tjetër pos që të më adhurojnë.” (Dharijat, 56)

Pra, të qenit mëkëmbës, dhe adhurimi ndaj Allahut… që mund t’i përkthejmë edhe si obligimi ynë ndaj tokës e tokësorëve, dhe obligimi ndaj Zotit.

Kur flet Zoti për mëkëmbësinë, na len të kuptojmë që ne jemi vetë në këtë detyrë; dmth jo xhinët, dhe jo engjëjt, janë njerëzit mëkëmbës dhe janë ato përgjegjës të plotë në tokë.

Përkrah kësaj, ajetin që flet për adhurimin, unë do ta kuptoja kështu. Në adhurim, nuk jemi të vetëm… pra Allahu vazhdimisht adhurohet, dhe vetë përmendja e xhinëve në këtë ajet, mendoj që është një sfidë për të dy botët, ngaqë ne jemi të lirë të zgjedhim nëse do të jemi adhurues e besimdrejtë, apo do të devijojmë. Po të jemi nga besimdrejtët, adhurimi do të jetë lidhje me Allahun në këtë botë, që në fakt është një burim i madh energjie për tu ballafaquar me mëkëmbësinë, por edhe shpëtim në botën tjetër… në të kundërtën do të jemi nga të humburit; pohime këto që i vërejmë edhe në Kuranin Fisnik.

Të dy ajetet dhe ngarkesat hyjnore për njeriun janë sende që kërkojnë përpjekje të vazhdueshme dhe përpikshmëri në raport me tokën dhe Krijuesin. Për të na e bërë më të lehtë këtë, Allahu na flet për një koncept shumë fisnik: devotshmërinë.

Devotshmëria, ndoshta sot është një nga konceptet të cilin besimdrejtët kanë tendenca për ta keqkuptuar. Nëse e shohim devotshmërinë nga prizmi i mëkëmbësisë dhe adhurimit, pra duke mos i ndarë këto dyja, na del në pah një portret tjetër i të devotshme nga ajo që jemi mësuar ta dëgjojmë.

Devotshmëria, përkrah asaj që tregohet në relacion me Allahun, duhet të shfaqet edhe në raporte tokësore… në të kundërtën do të ishte dyshues edhe sinqeriteti hyjnor; sepse, mos ta harrojmë, hyjnorja është baza e burimit të së mirës në Tokë, dhe shpëtim në botën e amshueshme.

Devotshmëria, nuk është diçka që e kemi të lindur… pra medoemos duhet ushtruar dhe bërë pjesë e jetës, ashtu që të jetë një çelës për realizimin konkret të detyrave tona.

Ajeti i cituar në fillim, na thotë “Agjëroni… që të bëheni të devotshëm”; dhe në fakt ka sens. Agjërimi është një stacion shumë i rëndësishëm për ushtrimin e virtyteve të mira e posaçërisht devotshmërisë. Agjërimi është privim nga të mirat, për të ushtruar ndalimin nga të këqijat. Ai që agjëron, në një formë thotë kështu: Unë për Ty, o Allah, heq dorë edhe nga e mira… e ç ‘është e keqja për të mos u mënjanuar.

Të agjëruarit ka edhe një anë tjetër. Qëllimin e adhurimit.

“O Allah për Ty agjërova, Ty të besoj e në Ty u mbështeta!”

Qëllimi është shumë madhështor, sepse është shfaqje shumë e hapur e besimit të fuqishëm, dhe mbështetjes së plotë në Zot.

Nëse e rrumbullakojmë, agjërimi në vete përfshin përgatitjen fizike e shpirtërore për sfidat tokësore; adhurimin, pra relacionin korrekt me Allahun; dhe ushtrimin e devotshmërisë që është virtyt fisnik për të gjitha sfidat… dhe nuk është i rastësishëm vlerësimi që i ka dhënë Allahu këtij akti dhe këtij muaji.

Le të jetë ky agjërim shkak për t’i rregulluar lidhjet tona në tokë e në qiell. Le të jetë ky Ramazan urë për të takuar versionet më të mira të vetëve dhe shoqërive tona!

Qofshi në mbrojtën e Allahu dhe ju qoftë e bekuar rruga për te devotshmëria!

Demir Kasami