Categories
Lajme

Arritje historike për Tunizinë

Editorial – “The New York Times”
Me miratimin e neneve të fundit të kushtetutës së re të Tunizisë të dielën, ligjvënësit u ngritën në këmbë me shenja fitoreje si dhe duke duartrokitur para këndimit të himnit kombëtar. Kishin arsye të mira për të festuar. Pas një procesi të gjatë dhe shpesh të ngarkuar, Tunizia ia doli të miratonte kushtetutën më liberale në Botën Arabe, dhe këtë e arriti falë konsensusit.
Pranvera Arabe zuri fill tre vite më parë në Tunizi kur një shitës i dëshpëruar frutash i vendosi flakën vetes, duke sjellë shpërthimin e një vale protestash të qytetarëve të zemëruar kundër regjimeve tiranike anekënd Lindjes së Mesme. Egjipti, Jemeni dhe Libia u zhytën në trazirat që pasuan. Tunizia po ashtu përshkoi kohë të vështira, përfshirë përçarjet e thella politike, vrasjen e dy liderëve politikë dhe kërcënimeve terroriste. Por ligjvënësit e spektrumit politik nuk u dorëzuan kurrë mbi të ardhmen e vendit të tyre, duke harxhuar më shumë se dy vite në përpilimin e çdo neni të kushtetutës derisa çdokush ta mbështeste atë. Në fund, kushtetuta u miratua nga 200 ligjvënës tunizianë nga 216 syresh që ka Asambleja Kombëtare.
Kushtetuta e re e Tunizisë quan Islamin si fe të vendit, teksa garanton lirinë e adhurimit dhe sundim sekular të ligjit. Kushtetuta po ashtu ndalon torturën dhe garanton barazinë e grave në organet politike. Pushteti i është dorëzuar një qeverie të përkohshme të udhëhequr nga Mehdi Jomaa, ish-ministër Iindustrisë, inxhinier në profesion. Zgjedhjet pritet të mbahen më vonë gjatë 2014-ës.
Tunizia ende përballet me sfida. Ekonomia e saj është copë-copë teksa papunësia është ngulur tek 17 për qindëshi. Më herët këtë muaj shpërthyen protesta për kushtet ekonomike. Jo të gjithë islamistët janë të kënaqur me lëshimet që u deshën të bënin.
Qeveritë perëndimore, grupet e të drejtave të njeriut dhe shoqërisë civile i dhanë mbështetje të madhe Tunizisë gjatë procesit të hartimit të kushtetutës së re. Kjo nuk është kohë që institucionet huadhënëse ndërkombëtare, të etur që Tunizia të shkurtojë shpenzimet publike dhe të reduktojë deficitin e saj, të mëshojnë fort në të tyren. Gjëja e fundit për të cilën ka nevojë qeveria tuniziane është një arsye tjetër që qytetarët e përvuajtur të vendit të dalin  në rrugë për protesta.
Arritja historike e Tunizisë fakton se konsensusi mes rivalëve të ashpër politikë është i mundshëm, dhe që respekti për të drejtat dhe liritë demokratike është në përputhje me besimet fetare dhe vlerat kulturore të mbajtura thellë. Ky është një mësim i vlefshëm për pjesën tjetër të Botës Arabe dhe përtej.

Exit mobile version