Në kohën e dominimit osman termi Ballkan kishte konotacion pozitiv. Konotacionin negativ këtij termi ia dhanë krimet serbe, greke e bullgare gjatë luftërave ballkanike.
 
Emri Ballkan rrjedh nga fjala perse Balak, që ka kuptimin e shtëpisë së lartë apo malit. Në literaturën evropiane termi Ballkan është përdorur për herë të parë më 1809 nga gjeografi gjerman A. Zeune. Emërtimi i gjithë gadishullit me këtë emër daton nga viti 1827.
Në këtë kohë fjala Ballkan kishte konotacion jashtëzakonisht pozitiv: kishte kuptimin e “shtëpisë së lartë”, vendit të PERENDISE, aty ku u zhvillua qytetërimi. Këtë konotacion termi Ballkan e posedonte deri në kohën Perandoria Osmane u zbua prej gadishullit.
Konotacioni negativ i emrit Ballkan nisë me luftërat Ballkanike. Përkatësisht, me mizoritë serbe, malazeze, greke e bullgare ndaj popullsisë myslimane të kohës në Luftën e Parë Ballkanike dhe vazhdon me mizoritë serbe e greke ndaj bullgarëve në Luftën e Dytë Ballkanike. Konotacionit negativ të termit Ballkan në fakt më së shumti i kontribuuan miqtë e Serbisë.
“Iracionaliteti i ballkanikëve” – devizë për të barazuar agresorin me viktimën
Meqë krimet serbe ishin evidente dhe nuk mund të fshiheshin, sepse Serbia doli përfituesja më e madhe në këto luftëra, atëherë ato duheshin arsyetuar. Arsyetimi ishte se nuk janë vetëm serbët të këqij, por të gjithë janë njësoj. Miqtë e serbëve, që në shumicë ishin të grumbulluar në qarqet politike e intelektuale angleze e franceze, u angazhuan me tërë qenien që të mblidhnin dëshmi për iracionalitetin e fiseve ballkanike. Kjo bëhej me qëllim që Perëndimit t’i jepej mesazhi: lëreni ballkanikët të vriten mes veti, mos ndërhyni në iracionalitin e tyre, le të jetojnë me ligjet e tyre.
Natyrisht, ligjin e bën më i forti, dhe ky më i forti ishte Serbia. Ishte më i forti sepse gëzonte përkrahje ruse, angleze e franceze. Ky stereotip furnizohet edhe sot e kësaj dite.
“Balkan ghosts” (“Fantazmat ballkanike”)
Një shkrimtar amerikan, pak kohë pra fillimit të shpërbërjes së ish Jugosllavisë, shkroi librin, shumë të lexuar në Amerikë, “Balkan ghosts” (“Fantazmat ballkanike”).
Libri në dukje të parë nuk duket pro-serb, madje ai i trajton edhe serbët njësoj si edhe popujt tjerë ballkanikë: irracionalë, emotivë, të egjër etj, për të lënë përshtypjen e një autori objektiv. Në mesin e margaritarëve tjerë, gjithsesi atraktivë për zbavitjen e lexuesit perëndimor, autori paska takuar një shqiptar i cili nuk e pika rakinë vetëm e vetëm se këtë e pinë serbët, armiqtë e tij të përbetuar! Hilja është kjo: nëse ndodhë ndonjë gjë e keqe në Ballkan, mos u çuditni dhe mos lodhni kot të gjeni shkaktarin, kjo do të jetë vetëm një shprehje e irracionalitetit të tyre që i karakterizon të gjithë ato fise primitive.
Në kohën kur po shkruhej libri, serbët  i kishin planet e gatshme për të gjitha ato të këqija që do t’i bënin. Dhe libri pati efektin e vet. Thuhet se kur Presidenti Clinton e lexoi këtë libër ndryshoi mendimin e tij për ndërhyrje në Bosnje më 1992. U desh të bëhen edhe tri vjet të tjera lufte e të vdisnin 200.000 boshnjakë që administrata amerikane t’i kthehej opcionit për ndërhyrje në Bosnje. Në ndërkohë serbët ia arritën qëllimit të tyre për copëtimin e Bosnjës.
Mirëpo, ashtu siç me fundin e dominimit osman në gadishull i erdhi fundi konotacionit pozitiv të termit Ballkan, tani kur po përfundon periudha e dominimit serb në Ballkan po i vjen fundi edhe konotacionit negativ të tij. Indikatori më i qartë është transformimi i opinionit të publikut të zakonshëm në Amerikë.
Stereotipi për ballkanikët irracionalë i dha kohë Serbisë
Kur filloi lufta slloveno – serbe, amerikanët e zakonshëm morën vesh se në një vend të quajtur Jugosllavi po ndodh diçka, por nuk e dinin se çka po ndodh dhe ku i bien Jugosllavia.
Kur filloi lufta kroato – sërbe, publiku i zakonshëm amerikan kuptoi se po bëhet një luftë në një shtet të Evropës, por nuk e dinin se kush janë palët në konflikt dhe për çka po luftojnë.
Kur filloi lufta mes serbëve dhe boshnjakëve, meqë mediet përgjithësisht boshnjakët i quanin Myslimanë, publiku i zakonshëm amerikan e kuptoi se njëra palë qenkan myslimanë dhe sigurisht që këta duhet të jenë të këqijtë, ngase të krishterët duhet të jenë si ne.
Pas tri viteve të luftës në Bosnje, më në fund u kuptua se viktima janë pikërisht këta myslimanët dhe se logjika e thotë se të këqij janë ata që shkaktojnë viktima dhe këta na qenkan serbët. Dhe meqë serbët na qenkan të krishterë ata po na turpëruakan edhe ne. Kështu zemërimi amerikanëve të zakonshëm ndaj serbëve u shumëfishua.
Kur filloi lufta në Kosovë, amerikanëve të zakonshëm nuk u interesoi se kush janë shqiptarët, por u mjaftuan me shfryrje dufi: “prapë këta serbët”. Kësisoj e keqja më në fund e mori emrin e vet të vërtetë.
E vërteta është se trazirat në Ballkan nuk i shkakton irracionaliteti i ballkanikëve, por sjellja makiaveliste e serbëve. Por, meqë Ballkani si term politik pësoi të dyja konotacionet, atë pozitiv dhe atë negativ në një mënyrë u konsumua dhe tani, kohëve të fundit, ky term gjithnjë e më shumë po zëvendësohet me termin Evropa Juglindore.
Faik Konica shpiku i pari termin Evropa Juglindore
Në terminologjinë politike termi Evropa Juglindore i përket këtyre viteve të fundit.
Sikur Faik Konica ta kishte botuar librin e vet të lënë përgjysmë “Shqipëria, kopsht shkëmbor i Evropës Juglindore” do të kishte ngelur në analet e shkencave politike si pagëzuesi i gadishullit. Fatkeqësisht, libri i Konicës, i shkruar para gati 8 dekadave, është botuar tani vonë dhe atë vetëm i përkthyer në shqip.
Termi Evropa Juglindore po e zëvendëson termin Ballkan për të njëjtat arsye të cilat i përmend edhe Faik Konica. Botimi në anglisht i librit të Konicës i lënë përgjysmë, qoftë edhe me 8 dekada vonesë do të ishte një kontribut për shkencat politike në përgjithësi dhe një interes i veçantë për shqiptarët, pasi ky libër, fatkeqësisht i lënë përgjysmë, do të shënonte kontributin e një shqiptari në kthesat politike.
Natyrisht, termi Evropa Juglindore, nuk ia kthen këtij rajoni në kuptimin politik prestigjin e dikurshëm si djep i qytetërimit, si rajon nga ku edhe rrjedh emri Evropë (fillimisht Evropë është quajtur vetëm rajoni i Ballkanit të sotëm), por thjesht i jep kuptimin politik se ky rajon është pjesë e Evropës ashtu si edhe pjesët e tjera.