Teknologjia e baterive është përmirësuar ndjeshëm gjatë dekadës së fundit, megjithatë kërkuesit dhe shkencëtarët vazhdojnë të insistojnë në përmirësimin e mëtejshëm të tyre.
Tashmë, ata premtojnë se kanë bërë një hap të rëndësishëm përpara (ose më saktë, një hap gjigand) për sa i përket fuqisë së baterive dhe kohës së karikimit të tyre: 30 herë më tepër fuqi dhe 1000 herë karikim më të shpejtë.
Padyshim që ky mund të quhet një lajm i jashtëzakonshëm në botën e teknologjisë. Sipas krijuesve të kësaj baterie të re, “është një mënyrë komplet e re konceptimi mbi bateritë.” Skuadra e Universitetit të Ilinois-it në SHBA shprehet se teknologjia e re i le pas të gjitha ato ekzistueset.
Udhëheqësi i projektit, profesori William King, shprehet se bateria është aq e fuqishme sa mund të ndezë edhe atë të makinës suaj.
Por si e ka arritur këtë mrekulli skuadra e tij? Sekreti qëndron tek minimizimi ekstrem i elementeve që përmbajnë bateritë e zakonshme, anoda dhe katoda. Duke i bashkuar këto elemente në një mikrostrukturë 3D, kërkuesit kanë zhvilluar një mënyrë të re integrimi mes dy komponentëve për t’i dhënë baterisë një performancë superiore.
Cili është hapi i radhës? Ashtu si me pjesën më të madhe të teknologjive të reja, shkencëtarët po punojnë për ta bërë të përballueshme ekonomikisht baterinë dhe për ta adaptuar atë në pajisjet e sotme elektronike si smartfonët etj.
I pyetur se kur mund të jetë e disponueshem për publikun, King u shpreh se aktualisht kanë përfunduar testet laboratorike dhe tashmë po punohet me integrimin në sisteme.
Në aspektin e kohës, profesori tha se kjo fazë mund të përkthehet në 1 – 2 vjet. Zbatimet e para të kësaj teknologjie priten të shihen në radiot dhe pajisjet elektronike. (PCWorld Albanian)