Dekada e dytë e shekullit XXI, do të shënojë përfundimin e botës unipolare dhe krijimin e botës multipolare. Lufta e ftohtë, zgjati plot gjysmë shekulli, dhe u karakterizua me prezencën e botës bipolare, në njërën anë blloku perëndimor në krye me SHBA-në dhe blloku lindor në krye me ish Bashkimin Sovjetik. Me shembjen e komunizmit dhe shpërbërjen e ish Bashkimit Sovjetik, pasoi periudha kohore 20 vjeçare e cila kaloi në shenjë të supremacisë botërore të SHBA-ve, e që ishte periudha e shkurtër kohore 20 vjeçare e botës unipolare. Pika kthesë e fillimit të përfundimit të botës unipolare dhe nisma e krijimit të botës multipolare ishte shtatori i vitit 2013, kur u evitua sulmi i proklamuar amerikan ndaj Sirisë pas trusnisë ruse dhe pozicionimit të saj në mbrojtje të Sirisë. Ngjarjet aktuale që po ndodhin në Ukrainë, veç edhe më tej po e përforcojnë këtë trend të kalimit të botës unipolare drejt botës multipolare. Gjysma e parë e shekullit XXI do të kalon në shenjë të botës multipolare në të cilin rolin kryesor apo faktorë kyç në këtë botë multipolare do të jenë SHBA-ja, Bashkimi Evropian( si forcë motorike e saj Gjermania), Federata Ruse( shkurt Rusia), Kina, Japonia dhe India. Kjo botë multipolare është e ndarë prapë në dy blloqe apo aleanca të cilët i karakterizon interesi i tyre i përbashkët ekonomik, strategjik, rajonal, energjetik, sigurisë e kështu me radhë.
Në njërën bllok apo aleancë të pashpallur gjenden SHBA-ja, Bashkimi Evropian dhe Japonia, ndërsa në bllokun apo aleancën tjetër të pashpallur gjenden Rusia, Kina dhe India. Shumica e këtyre shteteve janë poseduese edhe të armatimit nuklear, sikurse SHBA-ja, Britania e Madhe, Franca, Rusia, Kina dhe India, që paraqet edhe rrezik shtesë për botën në tërësi.
Për Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA-ja), Bashkimin Evropian (BE-në) dhe Japoninë nuk do të ndalem në këtë qasje, por tjetër herë, pasi për opinionin e gjerë është i njohur kapaciteti i zhvillimit të tyre ekonomik, politik, teknologjik, informativ, ushtarak e kështu me radhë, por do të ndalem në tri shtetet tjera që janë në zhvillim në rritje e sipër dhe të cilët do të jenë pjesë të botës multipolare të gjysmës së parë të shekullit XXI, dhe do të jenë konkurrent dhe rival në të ardhmen treshes së parë, SHBA-së, BE-së dhe Japonisë.
Rusia, pas shpërbërjes së ish Bashkimit Sovjetik, ra në stagnim të saj gati njëzet vjeçar në të gjitha fushat, në raport me shtetet të zhvilluara evropiane dhe SHBA-së. Por në fillim të shekullit XXI filloi rikthimi i saj në zhvillimin ekonomik dhe teknologjik, e me ardhjen në pushtet të Vladimir Putinit në krye të saj, edhe me të madhe e forcoi pozitën e saj politike, ushtarake, strategjike dhe u bë faktor kyç në sajimin e politikave të saja të sigurisë nacionale, rajonale e tani edhe në nivele botërore. Për prodhimin e saj të gasit dhe si furnizues kryesor i Evropës, por edhe të një pjese të Azisë është e njohur, pasi që Rusia e mban vendin e parë në botë për prodhimin dhe eksportin e gasit. Por, gjatë vitit 2013 Rusia kaloi në vendin e parë edhe në prodhimin e naftës, pasi që tejkaloi Arabinë Saudite, duke prodhuar 10,5 milion barel naftë në ditë, që është për 500.000 barelë në ditë me tepër se Arabia Saudite, e cila tani ra në vendin e dytë në prodhimin e naftës në nivel botëror me 10 milion barelë naftë të prodhuara në ditë. Krahas kësaj edhe në aspektin e armatimit dhe zhvillimit të saj ushtarak, tani është në vendin e tretë në botë, në planifikimin e buxhetit ushtarak të saj prej 70 miliard dollar. Këtu do të përmend edhe një fakt shtesë, për përgatitjen e Lojërave Olimpike Dimërore në Soçi shpenzoi 50 miliard dollar, që me të vërtet është një shumë bukur e lartë për zhvillimin dhe përparimin e sportit dimëror dhe si rezultat i kësaj doli edhe e para në garat olimpike dimërore të Soçit 2014, duke fituar më së shumti medalje, pas së cilës u radhitën SHBA-ja në vendin e dytë dhe Norvegjia në vendin e tretë. Kësaj kur i shtojmë edhe disa parametra tjerë të zhvillimit ekonomik të saj, e bënë me të vërtet një forcë me rritje ekonomike, teknologjike ushtarake, zhvillimore në rangun botëror si dhe faktori i pazëvendësueshëm në skenën politike ndërkombëtare.
“GDP-ja kombëtare për kokë banori në Rusi është dyfishuar, rezervat e saja devizore dhe të arit kanë arritur në 500 miliard dollar, me këto rezerva zë vendin e tretë në botë, i ka paguar të gjitha borxhet dhe detyrimet e jashtme ndaj kreditorëve të huaj botëror, suficiti tregtar ka arrit në 200 miliard dollar, për momentin gjendet në vendin e pestë të ekonomive më të zhvilluara në botë”.
Kina është në stadin e rritjes dhe zhvillimit të hovshëm ekonomik, duke i tejkaluar edhe gjigantët e tillë që kanë qenë gjer tani, sikurse Gjermania, Japonia dhe SHBA-ja. Para se të ceki disa nga parametrat e zhvillimit të saj ekonomik, teknologjik, ushtarak, informativ, do të cek thënien e ushtarakut të shquar francez, gjeneralit Napoleon Bonaparta, i cili para dy shekuj, në kohën kur ka jetuar dhe vepruar, për Kinën pat thënë në atë kohë:” Kina është në gjumë, dhe duhet të flejë sa më tepër që është e mundur, atë ditë kur do të zgjohet nga gjumi, s’ka kush dot që ja ndal hovin”. Në kohën në të cilin gjendemi Kina është “zgjuar nga gjumi” dhe me hapa të mëdha ec drejt forcimit dhe shndërrimit të saj në një konkurrent të fuqishëm në politikën globale dhe në tregun global botëror. Sipas hulumtimeve të OECD-së (Organizatës për Zhvillim dhe Kooperim Ekonomik): ” Kina në vitin 2016 do të tejkalojë fuqinë më të madhe ekonomike botërore, SHBA-në, dhe do ta zë vendin e parë në botë”.
Ndërsa sipas agjencisë Euromonitor International, e njohur për hulumtimin e tregjeve shpenzuese, në një hulumtim të saj cek se: ” gjer në vitin 2020, Kina, Rusia dhe India, do të jenë në mesin e pesë ekonomive më të fuqishme botërore, krahas SHBA-ve dhe Japonisë, me pjesëmarrjen prej 30% të GDP- së në nivel botëror, e vetë Kina do të jetë në vendin e parë në botë me pjesëmarrjen prej 19% të GDP-së botërore”. Kina është edhe kreditori më i madh amerikan, sipas shënimeve të ministrisë së financave të SHBA-ve, posedon 1280 miliard dollar të borxhit publik amerikan të letrave me vlerë shtetërore. Kina ka edhe pjesëmarrjen më të madhe në shkëmbimin tregtar në mes shteteve që gjenden në detin jugor kinez, e cila arrin shumën prej 5300 miliard dollar në vit, e pjesëmarrja e SHBA-së këtu është 1200 miliard dollar. Po ashtu edhe për buxhetin ushtarak Kina gjatë vitit 2013 ka shpenzuar 70 miliard dollar, është e dyta pas SHBA-së në nivel botëror, ndërsa për vitin 2014 ka planifikuar rritjen e buxhetit ushtarak për 10 miliard dollar, saktësisht në 80 miliard dollar.
India është shteti i tretë aziatik me një zhvillim dhe rritje ekonomike, pas Kinës dhe Rusisë, e cila si i tillë planifikohet në një ardhme jo të largët gjatë shekullit XXI të jetë një faktor me rëndësi në botën multipolare. Duke pas nevojë për shpenzim të madh të energjisë, gjatë këtyre ditëve është në negociata me Iranin dhe Omanin për ndërtimin e gazsjellësit nënujor prej Omanit dhe Irani drejt Indisë, për të plotësuar drejtpërsëdrejti nevojat e saja gjithnjë më të mëdha për naftë dhe gaz.
Rusia, Kina dhe India, krahas zhvillimit të tyre ekonomik, dita më ditë po rrisin edhe ndikimin e tyre politik në përmasa botëror duke marrë rol aktiv në politikën globale botërore, krahas Shteteve të Bashkuara Amerikane, Bashkimit Evropian dhe Japonisë.
Në përfundim të kësaj qasjeje do të shtoja storien për “Perimetrin” rus, pas së cilës çdo gjë është e qartë për gjendjen aktuale në të cilin është katandisur bota në përgjithësi dhe civilizimi njerëzor në veçanti:
“Sistemi antiraketor i quajtur “Perimetri” është i projektuar në atë mënyrë që të mund të përballojë sulmin më shkatërrues raketor të Perëndimit, dhe më tej të mbetet operativ si i tillë. Në rast se sulmi raketor ndodh, dhe për një kohë të caktuar nuk pranon urdhër nga operatori, “Perimetri” është i programuar në atë mënyrë që, edhe nën kushtin që të ndodh më e keqja ( në mesin e operatorëve të mos mbet gjallë askush për të aktivizuar kundërsulmin), atëherë ai në mënyrë automatike mund të lansojë raketat nukleare ruse drejt shteteve të Perëndimit. Perimetri akoma është aktiv edhe tani në ditët e sotme”.
EDITOR
11 years ago
previous article
Janina 1912
next article
Kush e krijon frikën?
you might also like
JO KRIME, NË EMËR TË NDERIT! – Dr. Bashkim Aliu
2 years ago
Agjërimi shkollë e durimit
3 years ago
Një vazo me shumë lule!
3 years ago