Ka ardhur koha që të mos pyesim më për dëshirën tonë historike të së mirës dhe moralin. Por, një gjë është gjithnjë e papranueshme: të mos kesh respekt për të vdekurin, (respekti ndaj tyre ka lindur në agimin e njerëzimit). Nuk ka se si, pasi tanimë historitë tona të përditshme janë bërë çështje “gjiri”, një lloj prostitucioni fitimprurës me anë të pushtetit. Sot, kur të mbetur të zbuluar bash në errësirën e mbrëmjeve gala të kompromiseve për ndarje “buxhetesh”, socialistë e demokratë, jo vetëm që kanë mbetur pa kauzë, por janë edhe të hutuar. S’ka se si, kur në lojë nuk janë më vetëm të gjallët, por edhe të vdekurit, viktimat e atyre që sot flasim me demek për një kauzë të madhe, atë të kombit. Mbi ta, po shkelet jo me arsyen se nuk ka rrugë tjetër, por me dëshirën e flaktë për të kapërcyer thjesht e vetëm për të arritur më shpejt pazarin e radhës. Kjo është marrëdhënia jonë me historinë, dhe qoftë e mallkuar nëse këtë të tashme do ta shënojë të lavdishme thjesht dhe vetëm për hir të kombit, siç tentuan të na e thonë këto ditë. Dhe ata do të besojnë ende, dikush i mëshiruar, dikush i punësuar e dikush i mbetur vetëm në shpresë se prej tyre do të vijë ajo e bardhë ditë me taksa progresiste e me lojëra ordinere “kumarxhinj” të nxehur në “gjinjtë” e tyre të epshit kundërmues për pushtet dhe para. E gjitha kjo s’ka asnjë domethënie tjetër vetëm se lojëra të nëndheshme llogarish financiare që çojnë ujë gjithnjë në mullirin e tyre që bluajnë brenda vetes edhe vetë kombin, atë për të cilën atyre iu pëlqen të flasin. Por, tre ditë është kjo e mjerë histori dhe njerëzit do të ngazëllohen në turma për tek ta, për të ushqyer edhe një herë shpresat të kauzës së tyre që mbeti gjithnjë e paarritur, ngase ata nuk duan që të arrihet. Duhet një shkop që ta përzihej këtë kaçamak dhe atë e bëjnë më së miri për t’ua dhënë pastaj qytetarëve në formën më të bukur, paçka se në brendësi rezervon “vrerin” që të vret nga pak, por kurrë përgjithmonë.
Rikthimi tek “gjinjtë”, jo tek ato i mbërtheckave siç ndodh zakonisht, është një dëshirë e zjarrtë e atyre që moralin e shohin vetëm në objektet e kultit dhe jo në shoqëri, për të cilën kanë edhe përgjegjësi. Nuk e kam çështjen tek Gjiri i Lalzit, por meqë kemi kaq shumë “gjinj” ku të strukemi e ku të bëjmë mëkatin e radhës, po mundohem t’iu flas për rikthimin në gjirin e së majtës. Ata u bashkuan ton dhe “marrëdhënia” e re nuk lë shumë shteg për interpretime jo vetëm moral, por as edhe logjike.
Në fakt, nuk ka moral në politikë dhe ne nuk kemi pse ta kërkojmë atë. Ne na duhet të kërkojmë përgjegjësi në lidhje me sjelljen ndaj nesh, më së paku, për viktimat e tyre. As kjo nuk duhet kujtuar më si çështje, dhe drejtësia bashkë me pushtetin e tyre, do t’i harrojë edhe këto histori kriminale për të cilat askush nuk përgjigjet në këtë vend. Armikun do ta gjejmë si gjithnjë për të transferuar “makinën” e akuzave për fushata elektorale, pa harruar edhe 300 mijë të punësuarit që mbetën vetëm histori imagjinare. Kemi një shekull që bëjmë kompromise, duke shkelur edhe veten. Edhe tani e njëjta histori.