Këto fjalë janë të një të pasuri të varfër,
Që shpirtin e vet e ka larg, botën afër.
Që drita e diellit herë-herë po i bëhet terr,
Dhe meqë natën nuk e ka parajsë, edhe ditën ferr.
Këto fjalë janë të blerësit të shpeshtë të rrobave,
Që bleu gjithë botën, pasi shiti shpirtin e vet.
Kur gjatë rrugëtimit të jetës kalonte gropave,
Tha se trupin e kishte në rregull, por shpirti iu tret.
Kur i humbi edhe shpirti, vetëm unë i mbeta në jetë,
Që, dikur, më kishte blerë dhe kishte harxhuar pasurinë.
Iu kishte djegur gjithçka, pos meje në vitrinë.
Nga djegiet e pronarit, unë u mbulova me pluhur e hi.
Mbeta natën e pluhurosur, e ditën e prangosur.
Për të ardhmen e brengosur, nga e kaluara e syrgjynosur.
Dhe gati e varrosur…
O ti ballë i dëlirë!
Bjer në sexhde natën, që ditën kijamin ta kesh të mirë.
Në mos mundsh të biesh me trup, bjer me zemër.
Fito sa të mundesh mbiemra, por mos harro kë e ke emër.
Që postat horizontale të të arrijnë ku do ditën,
Dërgoji natën vertikalet, pasi njerëzit të fikin dritën.
Mos harro Madhërinë, që për ty zbret dhe të pret
Cilën postë do ta dërgosh duke qarë e bërë medet!
Ato që janë pa lot, janë si letrat pa adresë,
Loti është dëshmia se përmbajtja ka rëndesë!
O ballë i mirë!
Ma hiq natën pluhurin e fytyrës sime,
Nëse do të të jepet nur nga burime intime!
Në raste eklipsesh, fytyra jote do të shkëlqejë,
I verbër e sytar atë do ta vërejë!
Arsim Jonuzi, 22.04.2014