PYETJA: Selam Alejkum a quhet agjerimi nese flen ne ramazan deri ora 3 ose 4 pasdite?
Dhe pyetja tjeter:
A lejohet per ramazan duke agjeru pasdite nuk ke cka te bejsh a mundesh me flejt?
Bashkim Aliu
PËRGJIGJA: Esselamu alejkum. Së pari, më duhet të theksoj se Ramazani nuk duhet të kuptohet si kohë kur ndrrohet orari i gjumit, ashtu që njerëzit natën qëndrojnë pa gjumë deri në syfir, e ditën flejnë deri në drekë apo edhe pas dreke. Po as që duhet të kuptohet Ramazani si kohë kur do të flejmë më tepër se sa jashta tij. Por, Ramazani duhet të kuptohet si kohë e aktivitetit të shtuar shpirtëror, marrë parasyshë vlerën që ka ky muaj, si dhe të aktiviteteve tjera në fushën e davetit-thirrjes islame, gjë që nuk na japin komoditet të flejmë tepër. Normalisht, njeriu do të flejë sa ka nevojë trupi me qëllim që të forcohet për adhurim dhe aktivitete tjera, ngase gjumi është shumë me rëndësi për trupin dhe koncentrimin e njeriut, por jo ta teproj. Unë nuk do të flas këtu me numra sa orë të flejë, por them se gjumi i tepërt është i dëmshëm si në aspektin trupor, ashtu edhe në atë shpirtëror, si dhe në aspekt të davetit.
Poashtu, Ramazani ka qenë muaj i aktiviteteve dhe lëvizjes në kohët e arta të umetit islam, gjegjësisht në kohën e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. dhe të brezave të artë të historisë islame. Ata Ramazanin e kanë kuptuar si mundësi të jashtëzakonshme për adhurim dhe afrim te Allahu i Madhërishëm, dhe ashtu edhe ne duhet ta kuptojmë. Bile, në këtë muaj, ata e kanë lënë mangut gjumin, ngase e kanë kuptuar mirë se është një rast që nuk përsëritet më gjatë vitit, për atë e kanë shfrytëzuar në maksimum, e këtë, edhe ne duhet ta kuptojmë kështu. Transmetohet në dy sahihet, nga hadithi i Ajshes r.anha se ka thënë: “Kur hynin dhjetë netët e fundit të Ramazanit i Dërguari i Allahut sal-all-llahu alejhi ve selem e shtrëngonte izarin, e ngjallte natën e tij dhe e zgjonte familjen e tij”, ndërsa në transmetimin e Muslimit thuhet: “…bënte adhurim në dhjetë netët e fundit me shumë se në netët tejra.“ Aisha r.a. ka thënë:” I Dërguari i Allahut s.a.v.s. kur vinin dhjetë ditët e fundit të Ramazanit, do të ndizte vajgurin e mesnatës, do të shmangte marrëdhëniet me gratë e tij, do të merrte gusël në mes të Akshamit dhe Jacisë dhe do të darkonte në kohën e Syfyrit.” Për gjumë ka kohë edhe pas Ramazanit, por jo edhe atëherë ta teprojmë, se edhe atëherë nuk bën teprimi, por të flejmë me masë sa na duhet për trupin, ndërkaq Ramazanin le ta shfrytëzojmë në maksimum dhe le të jetë një mundësi që edhe pas Ramazani të vazhdojmë të përkushtuar në fe, e jo vetëm në Ramazan. Besoj se është e njohur se në Ramazan është bërë beteja e Bedrit, në Ramazan është çliruar Mekeja, dhe në Ramazan kanë ndodhur edhe shumë ndodhi tjera të rëndësishme në historinë islame. Kjo duhet të jetë shkollë për ne që Ramazanin ta shndërrojmë në muaj të aktivitetit dhe ngritjes tonë dhe të shoqërisë në stade sa më të larta të besimit. Allahu i Madhërishëm ka thënë:<< O ju që besuat, agjërimi u është bërë obligim sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm(183)>>[el-Bekare: 183].
Ndërkaq, për sa i përket pyetjes suaj konkretisht, se a të quhet agjërimi nëse flen deri në ora katër pas dite, normalisht se nga aspekti i sheriatit, nëse agjërimi i ka të plotësuara kushtet, është valid dhe i pranuar juridikisht, edhe nëse flen deri në ora katër pas dite.
Poashtu, nga aspekti i sheriatit, nuk është e ndaluar që të flejshë pas dite kur je agjërueshëm.
Por, kjo ka të bëjë me aspektin juridik islam kur e trajtojmë agjërimin si dispozitë juridike. Përndryshe, duhet të kihen parasyshë edhe aspektet tjera të Ramazanit, të cilat i përmendëm më lartë.
Allahu e di më së miri.
EDITOR
10 years ago
previous article
Derdhja e parasë për derdhje në bronz
next article