Ngjarjet e fundit në Republikën e Kosovës, ku viktimë e krimit ishin dy bashkëshorte, jo vetëm që e tronditën shoqërinë, por edhe fuqishëm hapën dilema dhe pyetje për funksionimin e shtetit ligjor, në veçanti, në raste kur ka masë ligjore për mbrojtje. Krahas këtij aspekti, këtu shtrohet pyetja edhe për atë që quhet “vrasje për mbrojtje të nderit”, e ku viktimë, si zakonisht, janë gjinia femërore, qoftë motra, nëna, bashkëshortja, etj. Kjo çështje mund të trajtohet në disa kontekste, e ne këtu do ta ndalemi në kontekstin  islam.

Këto vepra penale, në të shumtën e rasteve janë rezultat i dyshimeve, paragjykimeve, propagandave, gënjeshtrave, shpifjeve dhe nxitjeve nga qëllimkëqinjë, të cilët në vend që ta pengojnë të keqen, e sforcojnë edhe më tepër kryerjen e saj. E gjithë kjo shoqërohet me thirrjen e fuqishme që personi ta mbrojë nderin, po qoftë edhe me derdhjen e gjakut, ngase njeriu jeton për nderë, e nëse i shkilet nderi, nuk i ngelet kuptim jetës. Shkelja e nderit dhe pragut të shtëpisë, ndodh që të jetë thjeshtë një propagandë dhe shpifje, e cila nuk ka të bëjë asgjë me të vërtetën, por, për fat të keq, kur preken ndjenjat, njeriu është i prirur t’u besojë gënjeshtrave, shpifjeve dhe nxitësve për të keq. Dhe për rrjedhojë, ndodhin edhe krime, të cilat më pas marrin ngjyrime të ndryshme, dhe nuk ngelen vetëm në rrafshin individual.

Në raste të këtilla, nuk ngelet pa u prekur dimensioni religjioz, konkretisht dimensioni religjioz islam, ashtu që telallët e “mbrojtjes së të drejtave të njeriut” dhe “barazisë gjinore”, nuk lënë pa derdhur mllef mbi parimet fetare, duke i paraqitur si ato fajtorë kujdestarë për çdo gjë që ndodh në shoqëri, edhe pse kryerësi i një vepre penale, ka mundur të jetë narkoman, apo i varur prej konsumimit të alkoolit.

Islami klasifikon veprime të caktuara si mëkate, fjala vjen si që është “zinaja”, gjegjësisht marrëdhëniet jashtëmartesore, si dhe nuk e lejon dhe e sanksionon tradhtinë bashkëshortore. Megjithatë, kjo nuk don të thotë se çdo kush mund ta merr vendimin për një vlerësim të tillë, dhe as që don të thotë se çdo kush mund t’ia atribuojë vetes rolin e autoritetit gjyqësor dhe ekzekutiv për ta zgjidhur problemin. Në Islam ka rregulla të rrepta se si vërtetohet se është kryer një vepër penale sipas legjislacionit islam. Nga ana tjetër, ndalohen rreptësisht paragjykimet, dyshimet, shpifjet dhe fjalët e pa vërtetuara në këtë drejtim. Historia e gjyqësorit islam, shënon raste shumë të rralla të ndëshkimit për tradhti bashkëshortore, edhe atë, me pranimin e vetë palës, ndërkaq gati sa nuk shënohet rast që një vepër e tillë është vërtetuar me prova valide të parapara në legjislacionin islam, pa pranimin e palës. Në raste të kontesteve bashkëshortore, Islami e ka legalizuar ndarjen, gjegjlsisht sipas Islamit kurore prishet, e nuk është e përjetshme, siç është rast në Krishterizëm. Po ashtu, veprimet të cilat Islami i konsideron mëkate, i ven në të njejtin nivel, si për meshkujt ashtu edhe për femrat. Me fjalë tjera, ajo që është mëkat dhe haram, është edhe për meshkujt, edhe për femrat, e nuk bën ndarje të mëkateve sipas gjinisë. Ata që e akuzojnë pa të drejtë Islamin se bën dallim, në fakt, i kanë ngatërruar traditat lokale dhe regjionale, me parimet fetare. Ajo që dëgjohet në mesin e popullatës se është “më mbare për femrën”, ka të bëjë me zakonet e një vendi dhe me një mentalitet të caktuar, por jo edhe me kualifikim fetar. Harami është haram, si për mashkullin, ashtu edhe për femrën.

Thënë përmbledhtas, kualifikimi i një veprimi si i ndaluar në legjislacionin islam, nuk u jep të drejtë individëve  ta marrin drejtësinë në duart e veta, dhe të thirren se janë duke vepruar për ta vënë drejtësinë në tokë, apo për ta larë “turpin”. Islami nuk lejon dalje prej sistemit, dhe as që lejon që vetë individi të bëhet gjykatës dhe ekzekutues. Kjo kuptohet nga vetë trajtimi i të Dërguarit të Allahut rastet e këtilla. Kur e kanë pyetur se si është statusi i një personi që e ndëshkon dikë që bën një gabim fetar, ai çështjen e ka kthyer në sistemin e drejtësisë dhe në rrugë institucionale, duke thënë: “Ose do të sjellish prova, ose ti ndëshkohesh”. Pra, e ka luftuar ashpër dhe e ka përjashtuar mundësinë e zgjidhjes jashtë institucionale të problemeve.

Në lidhje me çështjen në fjalë, gjegjësisht atë që quhet “Krime nderi”, një shpjegim të shkëlqyer ka dhënë edhe dijetari i shquar Jusuf El Karadavi, i cili në librin e tij “Fetva Bashkëkohore”, pjesa IV, f.558-561, në mes tjerash, shënon: “…Krimi në esencë është i njejtë si për burrat, ashtu edhe për gratë. Në legjislaturën islame nuk ka diçka të tillë që veprimi i një personi është krim, bile krim i madh, gjegjësisht krimi më i madh, kur është në pyetje gruaja, ndërkaq, atij nuk i mveshet krim dhe nuk ndëshkohet, kur është në pyetje burri. Kjo nuk ka kurgjë të përbashkët me logjikën e Islamit. Ne shohim se disa njerëz nuk turpërohen, nuk u skuqet fytyra dhe nuk e qorton djalin nëse bën zina-amoralitet, ndërkaq i njejti shpërthen si vullkan dhe mendon se nëse vajza e bën të njejtën, meriton të vritet. Kjo dhe ky veprim, pra zinaja-amoraliteti, është i ndaluar njejtë, si për djalin ashtu edhe për vajzën. Gjithsesi, zinaja është haram-e ndaluar, si për burrat ashtu edhe për gratë dhe është mëkat i madh, dhe kjo nuk lidhet me gjininë e bërësit të këtij mëkati. Allahu i Madhërishëm ka thënë:<<Dhe mos iu afroni amoralitetit (zinasë), sepse vërtet ai është vepër e shëmtuar dhe është një rrugë shumë e keqe.>> [El Israë: 32].

Në lidhje me mëkatet fetare të natyrës së shkeljes së nderit, bëhen disa gabime fetare:

-Bëhet dallim mes burrave dhe grave, apo mes djemve dhe vajzave, ashtu që babai apo vëllezërit, nuk i thonë asnjë fjalë djalit që bën amoralitet, ndërkaq, të njejtit e vrasin vajzën nëse bën amoralitet.

-Ata, në të shumtën e rasteve, gjykojnë për të se ka bërë amoralitet, ndërkaq, në fak ajo këtë nuk e ka bërë, por, ndoshta është kufizuar në atë vepër që renditet në grupin e asaj që Kur’ani e quan “lemem” (gabime të vogla). Allahu i Madhërishëm, bamirësit i përshkruan si vijon:<<Ata që largohen prej mëkateve të mëdha dhe prej punëve të ndyta, përpos ndonjë punë të imët…>> [En Nexhm: 32]; <<Nëse largoheni prej mëkateve të mëdha, të cilat u janë të ndalueshme, Ne ju shlyejmë mëkatet e vogla dhe ju fusim në një vend të ndershëm.>> [En Nisaë: 31]. Kjo që konsiderohet mëkat i vogël, në këtë rast, pa dyshim është haram. Megjithatë, nuk e detyron vrasjen, bile as që e lejon vrasjen.

-Ata, në të shumtën e rasteve, u besojnë propagandave dhe akuzave të pa baza, e nuk i vërtetojnë këto akuza dhe propaganda përmes rrugës valide dhe të drejtë ligjore. Ata e harrojnë, apo shtirren se e kanë harruar prezumciumin e pafajësisë së njeriut, gjegjësisht të të akuzuarit, në veçanti kur akuza ka të bëjë me amoralitet, që legjislatura islame ka qenë e rreptë në vërtetimin e tij si në asnji rast tjetër, ashtu që ka vënë kusht që akti i amoralitetit-zinasë të vërtetohet prej katër dëshmitarëve të drejtë të cilët e kanë parë aktin e zinasë-amoralitetit aq qartë, sa që nuk ka asnjë dyshim dhe nuk len asnjë dilemë. Realisht, ata ia mveshin vetvetes së bashku si funksionin e muftiut, ashtu edhe të gjykatësit, të hetuesit dhe të policit.

Nuk është çudi që ata të bëjnë gabime të rënda, të cilat i kuptojnë se kanë qenë gabim pasi ta ekzekutojnë vajzën. Atëherë ata pendohen për atë që kanë bërë, por pendimi më nuk bën dobi.

Në këtë çështje duhet ndalur në kufijtë e përcaktuar nga Allahu i Madhërishëm dhe duhet përmbajtur ligjeve islame duke u dhënë përparësi para traditave dhe zakoneve fisnore, të cilat në masë të madhe janë të devijuara, armiqësore dhe të padrejta:<<A thua mos po kërkojnë gjykimin e kohës së injorancës, po për një popull që bindshëm beson, a ka gjykim më i mirë se ai i Allahut?>> [El Maide: 50]”.

 

Bashkim Aliu