Këshilli i Akademisë së Fikhut Islam

  VENDIMET E SESIONIT TË GJASHTËMBËDHJETË, I MBAJTUR PREJ 21-26SHEVAL 1422H/ 5-10 JANAR 2002

 

VENDIMI I GJASHTË

BARNAT QË PËRMBAJNË ALKOOL DHE NARKOTIKË

 
Falënderimi i takon Allahut, përveç të Cilit nuk ka tjetër, bekimi dhe paqa qofshin mbi atë pas të cilit nuk ka pejgamber tjetër, zotëriun dhe pejgamberin tonëMuhammedin.
Këshilli i Akademisë së Fikhut Islam, në sesionin e gjashtëmbëdhjetë të mbajtur në Mekke, prej 21-26/ X/ 1422h që përputhet me  datën 5-10/ I/ 2002, pasi i shqyrtoi studimet e paraqitura për barërat që përmbajnë alkool dhe narkotikë dhe pasi diskutoi për çështjen në fjalë; si dhe duke u nisur nga fakti se sheriati islam e largon vështirësinë dhe ngushtimin në dispozita, i eviton dëmet në kufij të nevojës, se gjërat e domosdoshme i lejojnë gjërat e ndaluara dhe  aprovimin e demit më të lehtë për ta evituar atë më të lartë, miratoi si vijon:
(1)   Në asnjë mënyrë nuk lejohet që pijet dehëse të përdoren si bar. Këtë konstatim e mbështesim në fjalët e të dërguarit të Allahut s.a.v.s.:” Allahu nuk e ka bërë shërimin tuaj, në atë që j’ua ka ndaluar”. Hadithin e transmenton Buhariu në Sahihun e tij.Argument për këtë është edhe hadithi:” Vërtet, Allahu e ka zbritur sëmundjen, dhe për çdo sëmundje ka bërë edhe bar. Shërohuni, por mos u shëroni me atë që është e ndaluar”. Hadithin e transmenton Ebu Davudi në Sunen; Ibn Suniju dhe Ebu Nuajmi. Tarik ibn Suvejdi e pyeti të dërguarin e Allahut s.a.v.s. që si bar të përdor edhe verë. I dërguari i Allahut s.a.v.s. I tha:” Vera nuk është shërim (bar), por është sëmundje”. Hadithin e transmenton Ibn Maxhe në Sunen dhe Ebu Nuajmi.
(2)   Lejohet të përdoren barërat të cilat përmbajnë alkool në përqindje të vogël e cila tretet, të cilës nuk mund t’i iket në industrinë e ilaçeve dhe për të cilën nuk ka alternativë, me kusht që t’i rekomandojë mjeku i drejtë. Po ashtu, lejohet të përdoret alkooli si dezinfektues dhe pastrues i jashtëm i plagëve, vrasës i mikrobeve, në kreme dhe lubrifikante të jashtme.
(3)   Akademia e Fikhut Islam u rekomandon fabrikave të ilaçeve, farmaceutëve dhe importuesve të ilaçeve në vendet islame, që të bëjnë ç’mos që ta largojnë alkoolin prej ilaçeve dhe të përdorin alternative tjera.
(4)   Akademia e Fikhut Islam i porosit mjekët që të largohen sa të munden nga rekomandimi i ilaçeve të cilat përmbajnë alkool.
Allahu na ndihmoftë.
NËNSHKRIMET:
Muhammed ibën Xhubejr, Salih ibën Feuzan ibën Abdullah El-Feuzan, Muhammed ibën Abdullah ibën Sebil, Muhammed Reshid Ragib Kabbani, Muhammed El-Habib ibën El-Huxha, Dr.Nasër Ferid Vasil, Muhamed Salim ibn Abdu-l-Vedud, Dr.Ridallah Muhamed Idris El-Mubarekfuri, Dr.Abdu-l-Kerim Zejdan, Dr.Mustafa Ceriç, Muhamed Tekij El-Uthmani (udhëtoi para se të nënshkruhet), Dr. Vehbe Mustafa Ez-Zuhajli, Dr. Jusuf El-Kardavi, Dr. Abdu Setar Fet’hullah Seid.
KRYETARI I KËSHILLIT TË AKADEMISË SË FIKHUT
Abdu-l-Aziz ibn Abdullah Alu Shejh
 ZAVENDËSKRYETARI
Dr.Abdullah ibn Abdu-l-Muhsin Et-Turkij.
 SEKRETARI I PËRGJITHSHËM I AKADEMISË SË FIKHUT
Dr.Salih ibn Zabin El-Merzuki.
Prej arabishtes:Bashkim Aliu