Tentativat për ndërtimin e kishës në Tetovë, një debat tanimë i shtrirë në kontinuitet nga kuluaret politike maqedonase ka ngritur edhe temën për Burmali xhaminë në sheshin e Shkupit, një kërkesë e kamotshme e myslimanëve po dhe institucionit të BFI-së në Maqedoni. Kërksa e këtyre të fundit na vazhdimësi ka qenë se nuk heqin dorë nga objekt fetar duke alarmuar edhe politikën.
Me vetë faktin se deri më tani është thënë se ngritja e kishës në Tetovë nuk është kompetencë e komunës, por e Kishës ortodokse maqedonase (KOM), sipas burimeve të “Zhurnal plus” ka gjasa që kjo çështje të shkojë në instanca më të larta, pra një marrëveshje politike midis dy partnerëve të koalicionit, dilema pra të ketë apo mos të ketë kishë në kryeqendrën e shqiptarëve. Deri më tani po ndodhë që e para e komunës së Tetovës Teuta Arifi të përgënjeshtrojnë një gjë të tillë, por pa harruar këtu faktin e proporcionalitetit të kulaçit lokal! Ndërsa e vërteta do të ishte se kullën dhe çekanin e ka ai që ka fituar zgjedhjet, apo? Arifi, përveç që ka demantuar zërat për ndërtimin e kishës sqaroi edhe ndarjet tjera proporcionale në nivel komunal, gjë për të cilën “Zhurnal plus” informoi që më parë.
Për mediat maqedonas, konkretisht “Dnevnik” nga të dyja partitë, pra VMRO-DPMNE dhe BDI është thënë se kinse përveç ndarjes së pozicioneve menaxhuese për Këshillin e Komunës së Tetovës, pjesë e marrëveshjes në mes këtyre partive është edhe ndërtimi i një kishë të re, dhe rikthimi i përmendoreve të Ambarçe dhe Merxhan?! Kurse, për herë të parë zbulon kjo e përditshme maqedonase, se pjesë e kësaj marrëveshje është edhe premtimi i mos ngritjes të asnjë monumenti që ka të bëjë me UÇK-në, në qytetin e Tetovës?!
“Dëshiroj me këtë rast të potencoj që partnerët e koalicionit në nivel komunal nuk kanë marrëveshje për asgjë tjetër përveç për ndarjen e pushtetit brenda administratës komunale sipas peshës së votës që kanë pasur në zgjedhjet lokale. Gjegjësisht bëhet fjalë për dy shefa të sektorëve, një zëvendës shef sektori. Drejtoritë që deri tash janë udhëhequr nga kuadro maqedonas do të vazhdojnë të udhëhiqen nga ata dhe do të hapim proces për riorganizim të ndërmarrjes publike komunale. Po ashtu çerdhja do të ketë dy drejtor ku me rast mosmarrëveshjeje mes tyre fjalën e fundit do ta ketë prefekti i komunës. Po ashtu dua të rikonfirmoj që programi zgjedhor që mori përkrahje nga qytetarët e Tetovës është plani i punës të cilin do ta zbatojnë organet e komunës, administratën komunale dhe ndërmarrjet publike. Komuna e Tetovës do të jetë hapur dhe pranë qytetarëve duke punuar me përgjegjësinë dhe transparencën më të madhe për të kryer obligimet e saja dhe për të ngritur cilësinë e shërbimeve që ia ofron qytetarëve”, ka thënë mes tjerash Arifi.
Ajo më tej tha se gjatë mandatit të saj synon ta shoh Tetovën si qytet urban me mjedis të pastër jetësor, qendër e jetës së pasur kulturore dhe arsimore e njohur për zhvillimin ekonomik, fuqinë intelektuale, e integruar në zhvillimet rajonale dhe ndërkombëtare me jetë cilësore për të gjithë qytetarët. E kur jemi te Këshilli i qytetit të Tetovës dje më në fund është zgjedhur edhe kryetari i Këshillit, pasi tre muaj radhazi puna e këtij Këshilli ishte e bllokuar. Ai do të jetë Isen Xhemaili me këtë rast premtoi se do të angazhohet në maksimum që të punoj në të mirë të qytetarëve dhe se të realizojnë të gjitha ato projekte të cilat ua kanë premtuar qytetarëve gjatë fushatës elektorale.
Edhe koordinatori i Grupit të Këshilltarëve të VMRO-së Goran Jovanovski bëri të ditur se marrëveshja me BDI-në është në interes të të gjithë qytetarëve të Tetovës, ai më tej ka shtuar se së shpejti do të bëhen publike edhe sektorët me të cilat do të drejtojë VMRODPMNE. Kundër zgjedhjes së Isen Xhemailit për kryetar të këshillit kanë votuar këshilltarët e Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH) pasi siç tha koordinatori i grupit të këshilltarëve të kësaj partie Durim Luma, “që para zgjedhjeve lokale është arritur marrëveshja mes VMRO-së dhe BDI-së për të udhëhequr me Tetovën dhe me qëllim e kanë zhagitur punën për tre muaj. Xhemaili është zgjedhur për kryetar këshilli me 19 vota pro 10 kundër dhe 1 votë të përmbajtur.
“Falënderoj qytetarët e Tetovës që në zgjedhjet e Marsit na dhanë mbështetje për ti përfaqësuar ato, Këshilli i Komunës ashtu edhe siç e theksova në fjalimin e seancës do të jetë një arenë debati ku do të diskutoj dhe do të debatoj të gjitha çështjet pozitive të cilat i kemi premtuar gjatë fushatës elektorale të zgjedhjeve të fundit, do të jetë një vend ku do të debatohet për të gjitha problematikat që do të ngrihen qofshin ato nga administrata lokale qofshin ato nga kryetarja e komunës por edhe gjitha iniciativat që do të vijnë nga qytetarët të cilët ne i përfaqësojmë”, shton mes tjerash Kryetari i Këshillit të Komunës së Tetovës Hisen Xhemaili.
Ndryshe, në përbërjen e re të këshillit të komunës së Tetovës, BDI ka 12 këshilltarë, PDSH 10, VMRO-DPMNE 5, LSDM 2, ndërsa nga 1 këshilltarë kanë RDK-ja dhe partia e Turqve.  /Zhurnal/