Vallë, pyetem se kur do ta kuptojmë,

Se dje ishim të gjallë, e për sot – nesër e dimë?

Dhe sa herë i duhet vetes t’ia kujtojmë,

Se në botë për të shkuar vijmë!

Pyes veten kur do ta kuptojmë,

Se edhe po u doktoruam për jetën,

Prapë na kthejnë në fillim, se e harrojmë? Them:

Sikur me të gjithë shqisat ta preknim të vërtetën…

Pyes pa lidhje kur do ta kuptojmë,

Se pse keqkuptojmë?

Palidhshmëria është se pse dihet,

Dhe ashtu na ndodh kur durimi anash lihet!

Pyes me lidhje se kur do ta kuptojmë,

Se drejt ujin gjithmonë nuk mundemi ta çojmë?

N’u zotofshim se do të betononim trajtën,

Qe, na vjen të teshtijmë e na e prish vazhdën…

Pyes pa pritje për përgjigje se kur do ta kuptojmë,

Se një e pesta e njerëzve gjithçka kuptojnë vetë si duan?

E në tentofshim t’i bindim është si në asfalt të lërojmë,

E keqja e madhe është të besojmë se, kur i mëshojmë, asfalti vuan!

Para se të vdesim, kur do ta kuptojmë,

Se më së lehti është të pajtohemi me tonat mendime?

Po edhe duke qenë gjallë, gjithmonë harrojmë,

Se n’e mësofshim këtë, prapë do të bëjmë gabime.

Arsim Jonuzi