Nga 21 mësimdhënës prej Maqedonisë si kuadro nga Ministria e Arsimit për mësim në diasporë vetëm katër janë shqiptarë.
Numri i mësuesve të gjuhës amtare për fëmijët shqiptarë nga Maqedonia në diasporë në vend se të rritet, po zvogëlohet. Nga 21 mësimdhënës prej Maqedonisë që momentalisht japin mësim në diasporë si kuadro të siguruar nga Ministria e Arsimit të Maqedonisë, vetëm katër  janë shqiptarë!
Se sa proporcionale është kjo ndarje dhe si do të dukej një zgjidhje optimale e kësaj çështjeje, albinfo.ch ka pyetur mësuesin dhe Aktivistin e LAPSH-it, Vaxhid Sejdiun dhe dy kandidatë për deputet të Maqedonisë nga diaspora, Enver Osmanin dhe Ismail Belulin.
Vaxhid Sejdiu, mësues i dalluar i shkollës shqipe dhe kryetar i Këshillit të Arsimtarëve të kantonit të St. Gallenit në Zvicër thotë se e gjithë kjo situatë është e krijuar nga diskriminimi  i vazhdueshëm që u bëhet shqiptarëve në të gjitha sferat e jetës në Maqedoni.
Ai fajëson klasën politike shqiptare në Maqedoni që çështjen shqiptare nuk e ka vënë në rend dite dhe bashkë me të edhe çështjen e arsimit.
“Dihet fakti se shqiptarët për shkak të diskriminimit të vazhdueshëm kanë emigruar jashtë vendit kurse numri i maqedonasve që kanë lënë vendin është tepër simbolik dhe i papërfillshëm. Në vend që ky raport të jetë 21 me 4 për shqiptarët, është e kundërta. Ky është diskriminimi politik që u bëhet shqiptarëve në vazhdimësi”, deklaron Sejdiu
Ai është i mendimit se e gjithë kjo bëhet pa ndonjë strategji të politikave zhvillimore të arsimit.
Numri i mësuesve shqiptarë, diskriminues
“Numri i shqiptarëve nga Maqedonia që jetojnë në Zvicër dhe Gjermani është jashtëzakonisht i madh. Edhe sikur të gjithë 21 arsimtarët të ishin shqiptarë dhe të dedikuar vetëm këtyre dy shteteve, numri prapë do të ishte i vogël. Sepse në bazë ligjore nuk mund t`iu ofrosh mësim një grupi nxënësish, kurse të tjerët t`i anashkalosh. Mësimi është si buka, ajo është e përditshme”, tha Sejdiu.
Vaxhid Sejdiu, pedagog dhe kryetar i Këshillit të Arsimtarëve të Kantonit të St. Gallenit, rajon ky ku gravitojnë më së shumti nxënës shqiptarë në Zvicër, i ka ftuar përfaqësuesit shqiptarë të Ministrisë së Arsimit të Maqedonisë që së bashku me përfaqësuesit e arsimit të Kosovës dhe Shqipërisë të bashkëbisedojnë për një marrëveshje të përbashkët sepse çështja e arsimit shqiptar, sipas tij, nuk zgjidhet nga bishti, por nga koka.
“Zyrtarët shqiptarë të kësaj ministrie as nuk dinë dhe as nuk munden ta zgjidhin këtë çështje shumë të rëndësishme për fëmijët shqiptarët në mërgatë”, tha Sejdiu.
Në Zvicër nga Maqedonia ka me mijëra nxënës shqiptarë, dhe sipas mësuesit Vaxhid Sejdiu mësimi plotësues në gjuhën shqipe nuk mund të zgjidhet shkel e shko, por me Projekte.
“Kjo çështje nuk mundet të zgjidhet me veprime të shpejta sa për sy e faqe gjatë fushatave zgjedhore. Jo, kjo çështje zgjidhet me projekte të qëndrueshme arsimore”, mendon Sejdiu duke kundërshtuar idenë që prindërit duhet të shkojnë nëpër ambasada dhe konsullata dhe të kërkojnë mësues për gjuhën shqipe.
“Në Zvicër mësimin plotësues e organizon Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit të Republikës së Kosovës dhe të Shqipërisë. Arsimi nuk është politikë ditore por çështje e garantuar me ligj, në bazë të konventave të të  gjitha shteteve të shpallura demokratike. Prandaj shqiptarët këtë të drejtë duhet ta kërkojnë në mënyrë të organizuar dhe veprimet e dëmshme dhe negative t`i kundërshtojnë prapë në mënyrë të organizuar dhe pa kompromise politike”, thekson në fund Sejdiu.
Kandidatët për deputetë të diasporës premtojnë zgjidhjen
Ndërkohë, dy kandidatët shqiptarë për deputet të diasporës kanë premtuar se do ta zgjidhin çështjen e arsimit shqip të shqiptarëve të Maqedonisë në diasporë.
Kandidati  i RDK-së për deputet të diasporës në njësinë zgjedhore 7 për Evropë, Enver Osmani ka thënë për albinfo.ch se nëse në klasat e mësimit plotësues kanë së paku 30 për qind shqiptarë nga Maqedonia atëherë barra bie mbi vendin nga kanë migruar.
“Fëmijët tanë që rriten këtu duhet të ndjekin mësimin në gjuhën shqipe, por kjo barrë krejt bie në supet e familjarëve të tyre. Pse nuk e rregullon këtë çështje Qeveria e Maqedonisë që të merret edhe me mësimin e gjuhës amtare në diasporë? Deri tani nuk kam dëgjuar të kenë dërguar mësues në diasporë. Në aspektin kombëtar është një përparësi e madhe kur flasim për mësimin e shqipes në diasporë, sidomos në Zvicër. Këtu mësojnë bashkë fëmijët nga Kosova, Maqedonia, Lugina e Preshevës etj. Por, nëse në klasat e mësimit plotësues janë vetëm 30 për qind nxënës shqiptarë nga Maqedonia, atëherë barra bie mbi vendin nga kanë migruar”, tha Osmani.
Edhe Ismail Beluli kandidat për deputet nga radhët e BDI-së ka thënë në një intervistë përalbinfo.ch se do të angazhohet që të mos vazhdojë një gjendje e njëjtë e mësimit shqip të nxënësve nga Maqedonia.
“Nuk mund të vazhdojmë me të njëjtën logjikë si deri tani, p.sh në Zvicër janë 5 arsimtarë në gjuhën maqedonase dhe një në gjuhën shqipe, që duhet të jetë e kundërta. Sipas statistikave zvicerane, janë mbi 60 mijë qytetarë të Maqedonisë, 90 për qind prej tyre shqiptarë”, tha Beluli. /albinfo.ch/