Zëdhënësi i presidencës së Egjiptit, u ka bërë thirrje të gjitha forcave opozitare ne vend, që të ulen në tryezën e bisedimeve dhe të ofrojnë tezat e tyre politike. Ai i akuzoi disa prej këtyre forcave si përgjegjëse për ndërprerjen e dialogut politik dhe njëkohësisht u njohu të drejtën të rinjve për protesta paqësore.
Lidhur me protestat në sheshin Tahrir, ai u shpreh se është e drejta e të rinjve të protestojnë në mënyrë paqësore. Ai u shpreh se presidenti Mursi është konsultuar me ministrin e mbrojtjes, atë të brendshëm dhe kreun e shërbimit informativ, me qëllim që protestuesit të jenë të sigurt dhe të ruhet kuadri paqësor i protestës.
Vetë presidenti egjiptian, Muhamed Mursi, ka akuzuar mbetjet e regjimit të Mubarakut për trazirat në vend dhe sulmin që i bënë mbështetësve të Vëllazërisë Myslimane. Ai tha se pasuritë që shpenzojnë për rrënimin e vendit, i kanë fituar në rrugë të pandershme, me korrupsion.
Nga ana e tij, shejh Jusuf Kardavi, i është drejtuar popullit egjiptian nëpërmjet televizorit, duke i bërë thirrje të heqë dorë nga konfliktet politike dhe të ndjekë rrugën e dialogut si zgjidhjen e vetme të krizës. “Ne sot kemi një president të zgjedhur me votën e popullit. Ai është njeri si të gjithë, ia qëllon por edhe gabon. Si është e mundur që duruam 30 vite Mubarakun dhe regjimin e tij, e nuk durojmë një vit presidentin Mursi? Unë u bëj thirrje që ti jepni vetes një shans tjetër, ne duhet ta durojmë njëri-tjetrin dhe presidenti Mursi duhet të bashkëpunojë me të gjithë bijtë e këtij vendi, jo të jetë përjashtues.” U shpreh ai.
Kardavi shprehu keqardhje që mbetjeve të regjimit të shkuar, po u jepet rasti për të shkatërruar vendin. Ai tha se ndryshimet politike nuk mund të bëhen veçse nëpërmjet kutive të votimit. Njëkohësisht, u bëri thirrje të gjithëve që të bëhen një dorë e vetme, për zhvillimin e vendit. /ardhmeriaonline/