Muhamed Ebu Zehra, Allahu xh.sh e mëshiroftë, është një prej dijetarëve, kërkuesve, autorëve më të mëdhenj të shek. XX. I njohur si për nga ana e Jurisprudencës Islame po ashtu edhe për nga ana e legjislacionit civil.
Muhamed Ebu Zehra, Allahu xh.sh e mëshiroftë, është i lindur në Egjipt në pjesën perëndimore të tij me 29.03.1898. Që në fëmijëri ishte nxitur nga familja për të mësuar andaj edhe dërgohet në disa shkolla që ishin aso kohe të njohura për edukimin e fëmijëve dhe për mësimin e Kuranit që ua bënin atyre. Ai arriti që në moshë shumë të re të fëmijërisë së tij të e mësonte Kuranin përmendësh dhe më pas mëson edhe shkrim-leximin, e së bashku me të mëson edhe rregullat e leximit të Kuranit. E më vonë vijon mësimet në Xhamin Ahmedije në qytetin e Tantas, që aso kohe ishte burim i dijes dhe diturisë, dhe që ishte i stërmbushur me nxënës dhe mësimi jepej nga dijetarët më eminent të asaj kohe. Ndryshe njihej edhe si Ez’heri i dytë për shkak të mësimdhënies së madhe që bëhej në të. Pas tri vitesh mësimi në këtë xhami, Muhamed Ebu Zehra, Allahu xh.sh e mëshiroftë, i nënshtrohet një testi dhe më pas vijon mësimet në shkollën e Gjykatësve Islam në 1916. Ishte më i riu dhe më së paku që kishte qëndruar në Xhaminë Ahmedie por ishte i pari për nga rezultatet e treguara në mësim-marrje. Në këtë shkollë, që ishte si shkollë përgatitore për gjykatës në gjykatat islame, Muhamed Ebu Zehra, Allahu xh.sh e mëshiroftë, qëndrojë plot tetë vite dhe arriti që të diplomohet në vitin 1924. Pastaj vazhdon shkollimin në shkencat islame dhe kështu arrin që të bashkojë dy drejtime shumë të fuqishme në mënyrë që të vazhdojë tutje.
Muhamed Ebu Zehra, Allahu xh.sh e mëshiroftë, pas përfundimit të studimeve të tij ishte caktuar si mësimdhënës i lëndës së Gjuhës Arabe në shkolla të mesme, pastaj në vitin 1933 caktohet si ligjërues në Fakultetin e Bazave të Fesë dhe për ligjërim i ishte caktuar Bazat e Ligjërimit. E kjo ishte edhe si arsye për shkrimin e librit të tij të parë, por i pari ishte edhe në llojin e tij. Më vonë ai kalon për ligjërim në Fakultetin Drejtësisë e më vonë në po këtë fakultet atij i jepen për ligjërim edhe disa lëndë në Fakultetin e Sheriatit ku edhe kishte nderin të takohej me shumë dijetarë të asaj kohe por në të njëjtën kohë kjo edhe bëhet shkas për të që të thellohej edhe më shumë në të mësuar edhe në të kërkuar në mënyrë që të arrinte nivelin e dijetarëve të asaj kohe. Në këtë fakultet ai kishte marrë poste të ndryshme deri tek ato më të lartat. Në vitin 1958 ai del në pension ndërsa në vitin 1962 përzgjidhet si anëtarë i Këshillit për Studime dhe Hulumtime Islame të themeluar nga Ez’heri.
Muhamed Ebu Zehra, Allahu xh.sh e mëshiroftë, po ashtu ishte prej themeluesve të Institutit të Shkencave Islame dhe njëkohësisht punonte edhe si ligjërues pa pagesë në të.
Ishte prej njerëzve më guximtarë në kohën bashkëkohore, ai ishte shumë i prerë sa i përket çështjes së trashëgimisë së pushtetit sepse këtë e kishte mësuar që nga fëmijëria e tij kur mësonte në Xhaminë Ahmedije andaj edhe thoshte se: Çuditem se si ekzistojnë mbretërit pasi që njerëzit lindin të lirë dhe këtë të çuditur na e mësuan dijetarët tanë të cilën mbollën në ndërgjegjen tonë përgjegjësinë për liri. Po ashtu ai ishte shumë i prerë edhe në çështjen e kamatës andaj edhe kishte arritur që me argumente shkencore të argumentonte dëmet që kamata ia shkakton shoqërisë.
Muhamed Ebu Zehra, Allahu xh.sh e mëshiroftë, është autorë i mbi 35 librave, ku një numër i madh i tyre janë libra voluminoz, po ashtu ai ka një numër të madh të punimeve shkencore të publikuara në revista shkencore të njohura të asaj kohe në Egjipt dhe jashtë tij, e po ashtu ka edhe një numër të madh të ligjëratave të tij sepse çdo herë mundohej që krahas shkrimit të merrej edhe me ligjërim në mënyrë që të mos vonohej në sqarimin e të vërtetës dhe përpjekjes për të ndryshuar gjendjen e myslimanëve.
Ai ishte dalluar nga dijetarët e kohës së tij me guximin që e kishte dhe me trimërinë që e tregonte në të sqaruarit e të vërtetës në kohë të vështira dhe në kohë në të cilat shumë prej dijetarëve të tjerë heshtin para regjimeve të kohës.
Muhamed Ebu Zehra, Allahu xh.sh e mëshiroftë, vdiq me 01.01.1974.
Përgatit: Artan Musliu