Categories
Lajme FRI NË GJURMËT E MË TË MIRËVE

“NË GJURMËT E MË TË MIRËVE” – 26 VJET NË SHËRBIM TË DIJES DHE SUKSESIT | FRI

 

Në një mbrëmje kushtuar dijes, përkushtimit dhe arritjeve të veçanta, Forumi Rinor Islam organizoi edicionin e 26-të të manifestimit tradicional “Në gjurmët e më të mirëve”, duke vlerësuar nxënës, studentë dhe personalitete që me suksesin dhe kontributin e tyre janë bërë shembull frymëzimi për shoqërinë.

Manifestimi u hap me recitimin e ajeteve kuranore nga hafëz Jasin Abdullai, ndërsa me fjalë përshëndetëse të pranishmëve iu drejtuan kryetari i Forumit Rinor Islam, Abdulhamid Mustafa.

Në qendër të mbrëmjes ishte vlerësimi i 21 nxënësve dhe 27 studentëve më të dalluar, nga shkolla të mesme dhe universitete të ndryshme të vendit, mes të cilëve gjashtë studentë me notë mesatare maksimale 10.00. Një moment i veçantë ishte dekorimi i hafizit më të ri të vitit, 11-vjeçarit Berkin Veseli, për arritjen e tij të çmuar në memorizimin e Kuranit Famëlartë.

Mirënjohje të veçanta iu ndanë edhe Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore, Prof. Dr. Galip Veliut (post mortum), arsimtares Nurie Kadriu, teologut Ferit Zeqiri dhe Klubit Futbollistik “Shkëndija Haraçinë 77”, për arritjet dhe kontributin e tyre në fusha të ndryshme të shoqërisë.

Programi u pasurua me interpretimet e ilahive nga Nafidan Miftari dhe një performancë artistike përmes artit me rërë nga artisti turk Ramazan Yumrutepe, duke i dhënë mbrëmjes një dimension të veçantë artistik dhe emocional.

Për 26 vite me radhë, “Në gjurmët e më të mirëve” vazhdon të dëshmojë përkushtimin e Forumit Rinor Islam ndaj promovimit të dijes, vlerësimit të suksesit dhe frymëzimit të gjeneratave të reja.

Shkup, 22 tetor 2026

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Exit mobile version