Banditët në Kosovë nuk janë vetëm nga Kosova, edhe pse kanë gjetur shtrat të ngrohtë në Kosovë.
Fatos Lubonja që njihet si njeri i guximshëm dhe i paanshëm në analizat dhe paraqitjet e tija, sërish thumbon udhëheqësit e dikurshëm të UÇK-së, se ata paskan luftuar për pushtet, duke i quajtur banditë, zhvatës e babëzi. Unë nuk do të lëshohem në pohimin ose mohimin e tezave të z. Lubonjës, porse të dashur lexues në vijim po ua sjellë një pjesëz nga libri im, “Krimi ekonomik” i botuar në vitin 2012, ku vështrohet vërshimi i krimit ekonomik në Kosovën e pasluftës.
S’ka dyshim se liria (paqja) dhe shëndeti janë dy dhuntitë dhe begatitë që nuk kanë çmim, mbase përcaktimi i vlerës së tyre assesi nuk mund të përafrohet përmes caktimit të ndonjë çmimi. Ndaj kur të shkruajmë për paqen e shumëpritur në Kosovë, për të cilën u derdh shumë gjak, djersë dhe mund, nuk e kemi ndërmend që këtë proces ta shohim dhe paraqesim si tërheqje të krimit ekonomik, mbase duhet pasur parasysh se pas gjithë asaj katrahure të llahtarshme ngadhënjeu e vërteta mbi të pavërtetën, pra me 17 shkurt të vitit 2008 Kosova u shpall shtet i pavarur, ku menjëherë e njohën shtetet më të fuqishme të botës. Me këtë konstatim nuk duam t’i glorifikojmë të arriturat e Kosovës, por sikur duam të artikulojmë një ndjesi rreth lirisë së shumëpritur, por e njëjta prej aktorëve dhe spektatorëve shqiptarë të Kosovës nuk mbeti dot në natyrshmërinë e saj, ngase menjëherë pas dëbimit të forcave barbare serbe nga Kosova, filluan të lëshojnë shtat ata të cilët me dekada kishin luftuar me varfërinë e skajshme, duke e harruar shumë shpejt emblemën dhe domethënien e UÇK-së, kontributin dhe dëshmorët e kësaj ushtria të lavdishme.
Është në logjikën e shteteve dhe të qytetarëve të saj, që pasi të çlirohen prej armikut shekullor, gjasat që të fillojë një “luftë” dhe urrejtje ndërmjet vete dhe miqve janë shumë të mëdha. Kjo ngase në qeveri dhe udhëheqësi do të vendosen njerëz profesionalisht të dobët dhe të uritur për të mira materiale, njerëz të cilët për dekada me radhë kishin qenë të përndjekur dhe burgosur prej armikut, duke i mbyllur kështu prej gjitha institucioneve shtetërore, pse jo edhe prej atyre private. Kurse pas çlirimit të vendit shihet se uzurpuesit e dikurshëm ia kishin bërë dushk për në vendet dhe shtëpitë e tyre, ndaj pavarësisht kualifikimit, nxitimthi kontribuesi i dikurshëm për komb dhe atdhe, tashmë gradualisht filloi të shihet me syrin e urrejtjes prej qytetarëve, sepse si rrjedhojë e paaftësisë për të qeverisur drejt dhe urisë për të qeverisur ndershëm fillojnë që të mirat materiale me “shpejtësinë e dritës” ta begatojnë sfondin e tij familjar, ndërsa në anën tjetër mbahen peng qytetarët e thjeshtë nga shijimi i gjallërisë së ekonomisë së përgjithshme. Mbase në librin, “Sfidat e radhës” të autorit Ibrahim Kelmendi, shohin konstatimin se në Kosovë kriminaliteti i organizuar (korrupsioni, tregtia me njerëz, prostitucioni, vrasjet e paguara, krimi ekonomik etj) e ka zanafillën te shërbimet sekrete serbe të ish-Jugosllavisë. Në ish-RSFJ nuk do të mund të ndodhte krim i organizuar nëse nuk do të kishin përbëra shërbimin e UDB-së, KOS-it, sepse ishte shtet i rreptë policor. Si rrjedhojë e këtij monopoli shtetëror, shteti i atëhershëm serb e shfrytëzonte pozitën e epërsisë në forcë, për të kontrabanduar kështu mallra strategjike, për të cilët nëse do të paguhej kontributet tatimore, do të kishte një mbushje të mjaftueshme të buxhetit. Më vonë edhe disa shqiptarë e mësuan këtë ves të keq, ves që i shërbeu shumë, edhe atë fill pas ikjes së armikut serb. Fundërrinat e këtij sistemi shpejtas dhe lehtas, këtë zanat e transformuan edhe tek ata që dikur një gjë të tillë skajshmërisht e urrenin.
Mbas operacionit të suksesshëm të NATO-s, Këshilli i Sigurimit miratoi rezolutën 1244 për vendosjen e Kosovës nën administrimin ndërkombëtar. Në Kosovë u vendos prezencë civile nga UNMIK (United Nations Mission in Kosova) dhe prezencë ushtarake nga NATO (KFOR) në bashkëpunim me partnerë të saj, si prezencë paqeruajtëse në Kosovë për të rivendosur stabilitetin dhe sigurinë për të gjithë banorët e Kosovës (Lisen Bashkurti, “Krizat ndërkombëtare”, Tiranë, 2008, fq. 136). Ndërsa duket sheshit se edhe njëra, edhe tjetra prezencë civile me mision ndërkombëtar nuk e kryen detyrën si duhet, mbase si duket shpejt e panë se në Kosovën e pasluftës paska mjegull shumë, kurse dihet mirëfilli se ujqit “e brumosur” nëpër kopshte zoologjike, po qe se lëshohen në lugina të dendura me mjegulla, shumë shpejt do të jenë të prirur t’iu kthehen zanatit të tyre të vjetër. Kështu përafërsisht vepruan UNMIK-u dhe KFOR-i! E para duke mos qenë aq e interesuar në luftimin e korrupsionin, madje në shumë raste vetë ajo e ndihmoi një gjë të tillë, për këtë duket se mjafton prononcimi i kryeministrit të Kosovës, i cili e ndërlidh misionin civil të Kombeve të Bashkuara UNMIK me korrupsionin në Kosovë.
Thaçi deklaroi se si kryeministër nuk mund të bëjë asgjë më shumë nga ajo që ka bërë në luftën kundër korrupsionit, me këtë rast duke shtuar se sistemi gjyqësor nuk është reformuar, por funksionon me “botëkuptimin” e UNMIK-ut. Doemos duhet të them se edhe më tej ekziston botëkuptimi i UNMIK-ut në sistemin gjyqësor të Kosovës, që shpie drejt korrupsionit, kishte thënë z. Thaçi, ndërsa kjo e dyta shumë herë dështoi në ruajtjen e paqes dhe integritetit territorial, mbase si dëshmi i kemi trazirat e marsit ku pati humbje të mëdha materiale, humbje në njerëz dhe ngadalësim të proceseve shtetformuese, pastaj moszgjidhje e problemit të veriut, lejimi i bandave kriminale nëpër enklava serbe e të ngjashme.
Kombinati më i madh dhe i mirënjohur “Trepça” vazhdon (2005) të ketë 10.000 punëtorë në regjistra dhe është mbyllur në vitin 2000 nga KFOR-i për shkaqe të ndotjes së ambientit. Në mesin e viteve ‘90-ta kompania greke e metaleve ka nënshkruar disa kontrata me Agjencinë e Serbisë për Tregti të Jashtme për ta rikapitalizuar operimin e Trepçës me pritjen se do të marrë një pjesë të barabartë të fitimin gjatë privatizimit eventual të kompleksit (Albin Kurti, “Zgjohu”, Prishtinë, 2003-2007, fq. 28). Përmes këtyre veprimeve dhe shumë pengesa të tjera, për të cilat askush sot e kësaj dite nuk jep sqarim, mision civil i këtyre organizatave në Kosovë që në ditën e para si duket me kënaqësi u mishëruan me anarkinë e përgjithshme në Kosovë. Tashmë EULEX-i, duket se çështjen e luftës kundër korrupsionin e ka marrë më seriozisht (me gjithë vërejtjet që mund të bëhen edhe kundër këtij misioni evropian). Ngritja pluhur përmes disa aferave të korrupsionit, që kishin në shënjestër personat me pozita të larta shtetërore, qytetarët i entuziazmoi që edhe ata të fillojnë më bindshëm dhe më guximshëm t’i thonë JO përdorimit të korrupsionit, madje vetë ky mision evropian thirri në ndërgjegjen e qytetarëve që korrupsionit t’i shpallet luftë edhe prej hierarkisë së poshtme (shoqërisë).
Si rrjedhojë e këtij sensibilizimi, qytetarët e Kosovës kanë filluar ta shohin luftën e korrupsionit si luftë e dytë pas asaj me armiqtë serbë, mbase vetë çlirimi nga korrupsioni do të thotë çlirim i dytë i Kosovës, sepse vazhdon të jetë shqetësues raporti i Transparency International për Kosovën, ku Kosova mbetet shteti më i korruptuar në rajon dhe e zë vendin e 110 nga 178 shtetet e vlerësuara. Nota e Transparency International për vitin 2010 është 3,8 në radhitje të korrupsionit, shumë afër notës më negative 5. Veprimet dhe infiltrimet e korrupsionit në prokurimin publik, ndërhyrjet politike në emërime profesionale e deri te mosveprimi i shtetit në rastet e korrupsionit e kanë ulur besimin e qytetarë, duke e vënë shtetin e ri të Kosovës në kthetra të rrezikshme që do ta rrezikonin seriozisht paqen dhe stabilitetin e vendit.
Kësisoj, paqja dhe liria në Kosovë, përskaj shumë të mirave të panumërta që solli në vend, solli edhe dukuri të reja negative që më parë nuk ishin të pranishme në këtë vend apo ishin, por kryheshin nga aktorë të tjerë, mbase një pjesë e strukturës shoqërore shqiptare nuk kishte kohë të merren me evitimin e këtyre rasteve, ngase në agjendën e tyre ekzistonte diçka tjetër (zgjidhja e çështjes kombëtare). Kurse pas çlirimit të vendit, filluan të ndërrohen aktorët e atyre aferave të ndyta për shoqërinë. Ata të cilët tenderët as në ëndërr s’i kishin parë, tashmë pas çlirimit u bënë vetë pjesë e asaj garniture që jepte tenderë, dhënie që u shoqërua me përqindje të lartë të tenderdhënësve. Ata të cilën nuk merrnin vesh prej institucioneve vendimmarrëse shtetërore, tashmë pas çlirimit u bën pjesë e asaj garniture, që harruan se në veprime kriminale janë duke e zëvendësuar armikun e dikurshëm. Ndërsa pavarësia e Kosovës nuk e përshkallëzoi korrupsionin, por i përshkallëzoi zbulimet e aferave të korrupsionit. Pas pavarësisë filloi të kundërmohet era e korrupsionit, që me dekada ishte ruajtur e fshehur nëpër sirtarë të zyrave shtetërore. Pavarësia e Kosovës ka filluar ta bëjë ndarjen e shapit prej sheqerit, ku për ata që dikur populli derdhte lot, pas pavarësisë ka filluar i njëjti popull të derdhë kob dhe mallkim, po për të njëjtët njerëz.