Një Ramazan i shëndetshëm

 

Zakonisht kur afrohet koha e Ramazanit flitet për aspektin shpirtëror të tij, si ta presim Ramazanin në  mënyrën më të mirë këtë vitë, si t’ia kushtojmë kohën tonë shpirtit që ta pasurojmë me lutje dhe  adhurime. Kjo patjetër që është e rëndësishme për të gjithë muslimanët, mirëpo a mjafton vetëm kjo?  Padyshim që jo, nuk mjafton! 

Prandaj, për të pasur një muaj po aq shpirtëror, na duhet energji fizike duke e ruajtur edhe aspektin  fizik.  

Çfarë të hani dhe të pini në iftar dhe syfyr që të keni më shumë energji gjatë adhurimeve? 

Në iftar është e preferuar si në aspektin mjekësor poashtu edhe në aspektin fetarë që të prishet  agjërimi me lëngje, gjegjësisht ujë dhe hurma. Kjo është shumë e dobishme për organizmin tuaj, pasiqë  pas një periudhe të gjatë të agjërimit, trupit i duhet ujë për hidratim dhe hurma që përmbajnë sheqer  natyral për të fituar më shumë energji. 

Hurmat hahen tradicionalisht për të prishur agjërimin që nga koha e Pejgamberit Muhamed a.s dhe janë  mënyra më e shkëlqyeshme për të prishur agjërimin pasi ato sigurojnë sheqerna natyrore për energji,  sigurojnë minerale si kalium, bakër dhe mangan dhe janë një burim i madh i fibrave. Mund të provoni  edhe fruta të tjera të thata të tilla si kajsi, fiq, rrush të thatë ose kumbulla të thata të cilat gjithashtu  sigurojnë fibra dhe lëndë ushqyese. 

Pas prishjes së agjërimit vaktet ndryshojnë midis kulturave dhe traditave të ndryshme, por duhet të  përpiqeni të siguroheni që ushqimet që hani të ofrojnë një ekuilibër të ushqimeve me niseshte, duke  përfshirë drithërat integrale, fruta dhe perime, produkte të qumështit dhe ushqime të pasura me  proteina si mishi, peshku, vezët dhe fasulja.  

Pas një agjërimi të gjatë është e natyrshme që kur uleni para sofrës së iftarit të dëshironi të hani shumë  gjëra, por përpiquni ta përmbani veten dhe të merrni një sasi të vogël të ushqimeve me yndyrë dhe  sheqer si dhe pijeve me sheqer. Mos harroni se keni vetëm një kohë relativisht të shkurtër çdo ditë për  të ngrënë dhe për të pirë që ta furnizoni trupin tuaj me të gjitha lëndët ushqyese thelbësore dhe lëngjet  që i duhen organizmit për të qenë të shëndetshëm, kështu që cilësia e ushqimit tuaj është veçanërisht e  rëndësishme gjatë Ramazanit. 

Në syfyr pini shumë lëngje, zgjidhni ushqimet e pasura me lëngje për t’u siguruar që jeni të hidratuar  mirë për ditën në vazhdim dhe konsumoni ushqime me energji duke zgjedhur ushqime me fibra dhe  proteina pasi këto ju ndihmojnë të ndjeheni më të ngopur e ndihmojnë tretjen e ushqimit që ndihmon  në parandalimin e kapsllëkut. Për shembull:  

Tërshëra apo drithërat integrale duke i kombinuar me kos ose qumësht duke i shtuar fruta të thata si  arra apo fara të ndryshme mundësojnë që të pajisemi me të gjitha vitaminat dhe mineralet e duhura për  të vazhduar agjërimin tonë me plotë energji. 

Kosi është një ushqim i mirë dhe i lehtë për organizmin tonë në syfyr, pasi siguron lëndë ushqyese si  proteina, kalcium, jod dhe vitamina b por gjithashtu përmban lëng. 

Kushtoni shumë rëndësi mënyrës së të ushqyerit gjatë periudhës së Ramazanit, sepse adhurimet do t’i  keni të mangëta nëse ju mungon energjia fizike dhe mendore, e që padyshim burimi i kësaj energjie vjen  nga ushqimet e shëndetshme që na ka dhuruar vetëm Zoti.  

Ajla Xhemaili 

Studente e Fakultetit të Mjekësisë