Çdo gjëje që njerëzit s’e dinë, ia vënë emrin fshehtësi
Dituria është si oqeani që fsheh perlat në thellësi
Më shumë bëjnë zhurmë ata që pranë brigjeve në cektësi janë duke u larë
Se ata që në thellësi takohen me perla e margaritarë
Sa kohë i duhet ujit të arrijë nga burimi në det, s’ke për ta kuptuar
Nëse bekimi s’të është dhënë atëherë kur trupi dhe shpirti janë bashkuar
Trupi është i vetmi vend ku zemra e mendja takohen
Aty jetojnë së bashku edhe pse kurrë s’pajtohen
Kur zemra ndriçohet nga dituria, mendja bie si shkopi i Sulejmanit
Atëherë e kupton pse Mëshira s’mungon në asnjë sure të Kuranit.
Merjemja e Bekuar nën hijen e hurmës u freskua
Atëherë kur bota me ardhjen e Isait u zbukurua
Isai që s’kishte baba por nuk ishte jetim
Tha i falem Fuqisë Hyjnore dhe i shpreh falënderim
Që më bëri të flas në foshnjëri ende pa e ditur emrin tim
Më bëri që me frymën time t’u jap shpirt zogjve në qiell të fluturojnë
Të vdekurve t’u a kthej shpirtin e në botë prapë të gjallërojnë
Me të gjitha këto dhurata Allahu më ka nderuar,
Por t’u jap mend të marrëve, këtë s’ma ka mundësuar.
Gabimet e dijetarëve janë ushqim i të marrëve
Edhe kur t’kenë vdekur, u bëjnë dëm të gjallëve
Iriqin e çuan në pallatin e mbretit
Dhe n’jastëk të butë ia vunë kokën t’shkretit
Në mëgjes vajtën te shtrati për t’i shërbyer
Po kur nuk e gjetën dyshuan se e kanë rrëmbyer
Kudo e kërkuan, në ferra e takuan
Të vërtetën për iriqin atëherë e kuptuan
Atij i pëlqen veç ferra se nga ferrat është i bërë
Për të nuk vlen aspak as një mbretëri e tërë
Edhe kur t’ketë ngordhur iriqi i gjorë
Do ta shpojë secilin që e prek me dorë
Faraoni zullumqar vriste meshkujt të mos i prishej pushteti
Por ai që e mundi, në shtratin e faraonit u rrit, u ushqye dhe fjeti
Të pafuqishëm janë ata që fuqinë e tyre nuk e njohin
Në errësirë jetojnë ata që vështrojnë por nuk shohin
Të mençurit nuk kanë frikë se mund të duken si të marrë
Njeriu me zjarr e ngroh ujin edhe pse uji fikë çdo zjarr
Njeriu i urtë profetit Musa ia rrëfeu ca urtësi
Të cilat së jashtmi mund të duken pothuajse çmenduri
Ata që kërkojnë pemën e krimbur për ta shijuar
Ne i marrim për të krisur e të paudhëzuar
Por ata e dinë se krimbi nuk rri në frutin e helmuar.
Perlat e Oqeanit të Pafund janë në Librin e Mëshirëplotit
Sikur të mungonin ndjenjat kurrë s’do të zbulohej pika e lotit
Pafundësisht dije ka çdo shkronjë e Librit të Madhnueshëm
Po nuk ndjeve dhembje s’e di sa je i qëndrueshëm
Njëlloj është edhe me vargjet e Zbulesës Hyjnore
Jo diturinë po veç germat mund t’i mësosh në mësonjëtore
Libri i të Gjithdijshmit është ilaç që nga të gjithë mund të përdoret
Po reçetën e ilaçit mund ta shkruajnë vetëm doktorët
Nëse ç’është fshehtësia akoma vesh s’e ke marrë
Kthehu dhe lexoje sërish vargun e parë!
Fatmir Muja
www.fatmirmuja.com
www.facebook.com/fatmirmujafmp