Të shtunën (24.05.2014), në amfiteatrin e Shkollës së mesme “Cvetan Dimov” në Shkup u organizua gjysmëfinaleja në kuadër të projektit “Talentium”. Në fillim të aktivitetit iu dha fjala nënkryetarit të FRI-së z. Hasan Baftijari i cili mes të tjerash theksoi rëndësinë e aktiviteteve të këtij lloji si dhe i inkurajoi nxënësit dhe rininë në përgjithësi që të mos ngurojnë ti shfaqin dhuntitë dhe kualitetet e tyre dhe se Forumi Rinor Islam synon që ky aktivitet të bëhet tradicional dhe të shndërohet në promotor të vlerave që i posedon rinia jonë. Gjithashtu fjala iu dha edhe përgjegjësit të këtij projekti për degën e Shkupit z. Suad Saliu i cili shprehi përshtypjet e tij nga puna e nxënësve pjesëmarrës në Talentium si dhe vlerësoi maksimalisht angazhimin e tyre në kuadër të këtij projekti.
Në këtë garë morën pjesë 8 nxënës të cilët performuan me fjalime inspiruese para shokëve dhe shoqeve të tyre. Me temat e larmishme dhe performancën e tyre të shkëlqyer, këta nxënës arritën që të bindin audiencën se me të vërtet rinia jonë posedon dhunti, shkathtësi dhe pjekuri të mjaftueshme për të qënë forcë lëvizëse e shoqërisë sonë.
Konkurenca e fortë dhe kualiteti i performuesve e vështirësoi punën e jurisë në procesin e përzgjedhjes së dy më të mirëve që do të kualifikohen për finalen e madhe. Mirëpo çdo garim ka edhe fituesit e tij, andaj këtë herë si performues që arritën të plasohen në finalen e madhe me diferencë të vogël pikash kundrejt performuesve tjerë ishin nxënëset Rabije Jahja dhe Ebru Abdulla. Në fund të kësaj ngjarje nxënësit pjesëmarrës u dekoruan me lëvdata si dhe u shpërblyen më nga një pako librash nga Shtëpia Botuese “Furkan ISM”.
Zyra për Marrëdhënie me Publikun e Forumit Rinor Islam