Partitë politike në vend shfrytëzuan çastet e fundit për të dorëzuar kandidaturat për zgjedhjet lokale të 24 marsit. Vetëm disa çaste para përfundimit të afatit ligjor, me listat e tyre për kryetarë komunash dhe për këshilltarë komunal, në Komisionin Shtetëror Zgjedhor u paraqitën koalicioni “Për Maqedoni më të mirë” e drejtuar nga VMRO-DPMNE, BDI, PDSH, RDK dhe Partia Serbe për Progres me kandidatin e vetëm Stefçe Jakimovski, i cili zgjodhi këtë mënyrë të kandidimit pasi partia e tij amë, LSDM dhe partitë tjera opozitare vendosën të bojkotojnë. Kandidatë shqiptarë do të ketë në 39 komuna të vendit, kryesisht nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim dhe Partisë Demokratike Shqiptare.
Në të gjitha këto komuna dy partitë do të kenë listë për këshilltarë komunalë, ndërsa në një pjesë të madhe edhe kandidatë për kryetarë komunash, përfshirë edhe ato komuna të dominuara me shumicë maqedonase.
Në 3 prej tyre, BDI do të garojë vetëm me partitë maqedonase, ndërsa në 34 komuna do të ketë përballë edhe listat e PDSH-së, përderisa në Ohër vetëm PDSH ka garuar për kryetarë komune.
Në komunat urbane të banuara me shqiptarë, BDI dhe PDSH kanë edhe kandidatë për kryetarë komunash, duke filluar nga qyteti i Shkupit, Tetova, Gostivari, Dibra, Struga dhe Kumanova. Dy partitë shqiptare do të përballen edhe në Resnje si për kreun e komunës, ashtu edhe për këshillin komunal.
Për Qytetin e Shkupit ku nuk arrin të fitojë asnjë nga kandidatët shqiptarë, BDI dhe PDSH, do luftojnë për këshillin, ku listës së BDI-së do t’i prijë Qemal Musliu, ndërsa PDSH-së, Idriz Orana. Në kryeqytet, dy partitë vëmendjen do ta kenë në komunën e vetme urbane, atë të Çairit, ku PDSH garon me Muhamet Thaçin, ndërsa listës për këshilltarë do t’i prijë Nexhmedin Koxha. Për mandat të tretë në Çair do të luftojë kryetari aktual nga radhët e BDI-së, Izet Mexhiti, ndërsa listës së kandidatëve për këshilltarë do t’i prijë Ilir Shurdhani. Kandidat i RDK-së, në këtë komunë është Gjikten Haziri, ndërsa bartës i listës Adnan Sejfullai.
Të tre partitë shqiptare betejën më të rëndësishme do ta zhvillojnë në Pollog, ku dy komunat urbane aktualisht i drejtojnë dy partitë opozitare, PDSH dhe RDK, ndërsa partia në pushtet do të tentojë t’i kthejë pasi i humbi në vitin 2009.
Kryetari aktual i Komunës së Tetovës, Sadi Bexheti, do të ketë përballë Teuta Arifin nga BDI dhe deputetin aktual të RDK-së, Izet Zeqiri. Në këtë qytet vëmendje i është kushtuar edhe këshillit komunal ku në krye të listës së BDI-së ndodhet ish deputeti i kësaj partie, Isen Xhemaili, bartësi i listës së PDSH-së është koordinatori aktual Durim Luma, ndërsa Hamdi Saiti është në krye të listës për këshilltarë nga RDK. Kjo parti do të duhet të ruajë drejtimin e Komunës së Gostivarit, në krye të së cilës qëndron lideri i partisë, Rufi Osmani, i cili përballë do të ketë tashmë ish ministrin e Pushtetit Lokal dhe ish kryetarin e kësaj komune nga radhët e BDI-së, Nevzat Bejta. PDSH në Gostivar do të garojë me Mijat Sadikun.
Pas këtyre dy komunave, garë interesante do të zhvillohet edhe në Strugë ku garojnë dy deputetët e këtij qyteti, Arben Llabënishti nga BDI dhe Zijadin Sela nga PDSH. RDK nuk ka kandidat në Strugë, si edhe në Dibër ku do të mbështesë kandidatin e pavarur Ibrahim Kolari.
BDI dhe PDSH do të garojnë edhe në komunën e Resnjes ku partia shqiptare në pushtet do të garojë me Osman Shukriun, ndërsa listës për këshilltarë do t’i prijë Memet Murati. Kandidati i PDSH-së në këtë komunë do të jetë Muamer Sadiku, ndërsa bartëse e listës për këshilltarë, Aneta Lumani.
Të dielën Bashkimi Demokratik për Integrim njoftoi se në afatin e paraparë ligjor ka dorëzuar kandidaturat, për çka falënderoi të gjitha organet partiake dhe elektoratin e tyre për kontributin e dhënë gjatë përzgjedhjes së kandidatëve. “Bashkimi Demokratik për Integrim procesin e përzgjedhjes së kandidatëve për kryetar komune dhe këshilltar komunal e ka zhvilluar në bazë të statutit të partisë dhe kritereve të miratuara në Kryesinë e partisë. Kjo procedurë ka filluar që nga baza e deri në Kryesinë e Këshillit të Përgjithshëm, ka qenë transparente dhe është vendosur duke i marrë parasysh të gjithë faktorët”, thuhet në njoftimin me shkrim të BDI-së. Në zgjedhjet lokale të 24 marsit, do të marrin pjesë edhe 29 kandidatë të pavarur, ndërsa nënshkrime u grumbulluan edhe për 95 lista të pavarura për këshilltarë.