«Kush ka frikë t’iu ngjitet majave të larta, jeton për gjithmonë në mes të gropave»

 Ibul-Kajim El-Xheuzije

Një nga skenat që më bën të përjetoj ankth thuajse çdo natë është ajo që shikoj në çdo fillim  mbrëmje tek qoshja e një muri, në krye të rrugës së lagjes sime. Një grumbull burrash, mbi kokat e njëri-tjetrit, rreth një tryeze të improvizuar, që i dëgjon të bërtasin: ‘jek’, ‘dopio pesë’, ‘tresh-pesë’, ‘mbylle’, ‘po të thashë more’, ‘pse nuk e luajte’. Mu aty shoh të bashkohet një kundërshtim i tmerrshëm, super-vëmendje dhe super-pavëmendje. Të dy “super-at” kanë të bëjnë me dy fusha plotësisht të ndryshme nga njëra-tjetra: “super-i” i parë ka të bëjë me fushën e tryezës së dominove, ndërsa i dyti ka të bëjë me fushën e jetës jashtë rrethit të formuar nga kokat palë-palë mbi njëra-tjetrën. Ja, këto “super-a” më shkaktojnë ankth. Pikërisht në atë moment, thuajse çdo natë, pyes veten: vallë cili “super” të jetë shkak i tjetrit? Të jetë super-vëmendja ndaj fushës së dominove shkak i super-pavëmendjes ndaj fushës jashtë rrethit të kokave palë palë, apo super-pavëmendja ndaj fushës jashtë kokave të jetë shkak i super-vëmendjes ndaj  fushës së dominove?
Logjika shoshitëse e të dyja alternativave të çon te thelbi i tmerrshëm, në lidhje me këtë rast, që ka të bëjë me vlerën. Pra, një super-vëmendje ka të bëjë me një super-vlerë, ndërsa një super-pavëmendje ka të bëjë me një super-pavlerë. Në rastin e “super-it” të parë i bie që fusha e dominove të jetë kaq me vlerë sa të bën t’i kthesh shpinën gjithçkaje. Në rastin e “super-it” të dytë i bie që fusha jashtë kokave, jeta vetë, të jetë kaq e pavlerë sa që mund ta djegësh rreth një fushe dominoje. Pikërisht aty shtohet akoma dhe më shumë ankthi, kur mendoj se nuk përjashtohet mundësia që edhe unë sot ta kem kaluar ditën time – gjithë ditën time – duke luajtur domino, i super-pavëmendshëm ndaj gjithçkaje me vlerë, duke u marrë me diçka të super-pavlefshme.
Çfarë e shkakton realisht denigrimin e njeriut në aspektin e preokupimit dhe angazhimit të tij me gjëra të pavlera? Mos vallë është mungesa e çështjeve me vlerë të lartë, apo është mungesa e ambicies për tu ngjitur në nivelin e vlerës së lartë të çështjeve? S’ka dyshim se të gjithë të mençurit janë dakord se premisa e parë nuk është e drejtë. Ndër të parat që do të fyheshin, nëse kjo premisë do të ishte e vërtetë, do të ishin dituria dhe drejtësia.

Ambicia që mund poshtërimin

Umer Ibnu Hatabi, që i shijoi më shumë se kushdo tjetër frytet e ëmbla të ambicies së lartë, besonte thellë se një nga shkaqet kryesore poshtëruese për njeriun është niveli i ulët i ambicies së tij. «Mos e ul nivelin e ambicies», thoshte ai, sepse «nuk kam parë shkak më poshtërues për njeriun se sa niveli i ulët i ambicies së tij».
Thënia «kush ka frikë t’iu ngjitet majave të larta jeton për gjithmonë në mes të gropave» buron shumë natyrshëm nga goja e autorit të saj, Ibul-Kajim El-Xheuzije. Libri voluminoz Zadul-Mead (Argumenti i ditës së kthimit), është produkt i shkrimit të tij një mujor në udhëtimin e haxhit, nga Shami në Mekë. Një rast të veçantë përbën imam hanefij Serahsu. Libri i tij shumë voluminoz doli nga pusi: imami nuk iu nënshtrua demoralizimit të vendimit të sundimtarit për ta burgosur në pus e për rrjedhojë nxënësit e tij nxirrnin nga pusi dijen e shejhut të tyre që e trashëgojmë deri sot.

Vetëfshikullimi

Një nga shprehjet më të ulëta të paaftësisë, dorëzimit apo ambicies së ulët, është sharja/mallkimi e/i dështimit të shkuar, apo humbja e kohës me vetëfshikullimin për atë që nuk ndodhi ashtu siç parashikohej. Siç transmeton Ebu Hurejra (r.a), Profeti i dashur (a.s) thotë se:
«Besimtari i fortë është më i mirë e më i dashur tek Allahu se besimtari i dobët, por tek të dy ekziston e mira (disa vlera të besimit). Ji këmbëngulës për çka të bën dobi dhe kërkoi ndihmë Allahut e mos u dorëzo. E nëse të ndodh ndonjë gjë mos thuaj ‘sikur të kisha bërë kështu, do të kishte ndodhur kështu e ashtu’, por thuaj ‘caktimi është i Zotit e Ai bën çka të dojë, sepse “sikur” i hap derën Shejtanit’». (Muslimi)
Kjo ndalesë profetike mbase ka ardhur sepse njeriu mbetet peng i justifikimit për pa aftësinë e shfrytëzimit efikas të energjive që njeriu vazhdon t’i posedojë. Kërkimi për të parë drejt të ardhmes, në gjurmët e të dobishmes, me ndihmën e Allahut, edhe pas humbjes apo dështimit është cilësia e atij që e do Allahu. Madje ajo që të tërheq vëmendjen te ky hadith i madhërishëm, konkretisht tek pohimi «caktimi është i Allahut e Ai bën çka të dojë», është fakti se edhe nëse vetë njeriu, me mangësinë dhe pavëmendjen e tij, mund të ketë qenë shkak i dështimit,  Allahu i jep të drejtën t’ia mbyllë vetes derën e pesimizmit dhe burgut të vetëfshikullimit me anë të Kaderit.

Të kënaqesh me pak do të thotë poshtërim

Rezultati me të cilin Profeti (a.s) e mbyll hadithin vijues të magnetizon përqendrimin:
«Nëse do të shisni e blini me ine (Ine: shitja e një malli me një çmim të caktuar borxh, deri në një afat të caktuar. Pas realizimit të shitjes blerësi ia shet mallin vetë shitësit me një çmim më të vogël. Kështu blerësi i ngelet borxh shitësit. Kjo është nga format e kamatës. Nëse do të mjaftoheni vetëm me bujqësinë e do të kapeni pas bishtave të lopëve dhe do të lini xhihadin në rrugë të Zotit, do t’ju godasë Allahu me një poshtërim që nuk do t’jua heq deri sa të ktheheni tek feja juaj».
Që të tre premisat shkaktuese të poshtërimit hyjnor i bashkon një gjë e vetme: ambicia shumë e ulët, që përkthehet në lënien e xhihadit në rrugë të Zotit. E siç dihet, xhihadi, që përfshin me dhjetëra fusha, për hatër të Zotit, është i lidhur me çështje të cilat domosdoshmërish kërkojnë ambicie të mëdha.

Vlerësimi i vetes përmes mohimit të Tjetrit

Shpesh herë gjendja e rëndë e shoqërisë ku jetojmë na bën të ndjehemi rehat, sipas parimit ‘unë jam i mirë, sepse ai është i keq’. Mirëpo, thellë-thellë, ekziston një shkak tjetër që e bën ndonjërin prej nesh ta ndjejë veten në pozita pozitive karshi gjendjes negative të shoqërisë ku jeton. Kjo është paaftësia për të bërë diçka për ndryshimin e gjendjes së shoqërisë. Sipas Profeti (a.s) «ai që thotë se njerëzit janë të humbur, le ta dijë se ai vetë është i humbur». Pra statusi i shoqërisë ku ne jetojmë është vetë statusi ynë, për deri sa nuk përpiqemi të bëjmë diçka për të ndryshuar statusin e saj. Të mëdhenjtë, e ata të mëvonshmit si Gazaliu, Ibnu Tejmija, Ibnul-Kajimi, etj., dallojnë, ndër të tjera, edhe nga fakti se udha e gjatë e ambicies së tyre reformuese rrallë herë regjistron vëmendje ndaj gjërave që u përkasin ambicieve të ulëta. Qëndrim ky i reflektuar ndaj miqve apo edhe ndaj armiqve të tyre.

Zgjedhja e përjetësisë së misionit

Transmetohet se pasi zbriti verseti Kuranor «sot ua plotësova fenë tuaj dhe mirësitë e mia mbi ju i përsosa dhe Islamin e kam bërë fenë e pranuar», Profeti (a.s) u tha shokëve të tij se Allahu i Madhëruar e kishte vënë të zgjidhte mes përjetësisë në dynja, deri ditën e kijametit, dhe kalimit në Refik El-Ala, në pozitat e larta të botës tjetër (vdekjes). Por ai zgjodhi vdekjen. Shumë dijetar, duke diskutuar rreth kësaj zgjedhjeje të Profetit (a.s), pohojnë se shkaku i zgjedhjes së vdekjes ka të bëjë me faktin se jeta e Profetit (a.s) ishte shkrirë me misionin e tij.  E kështu Profeti ynë (a.s) na mësoi se njeriu nuk “vdes” kur mbaron dita e tij e fundit por “vdes” atëherë kur “vdes” çështja e tij.