Përfaqësuesi i partisë ekstreme të djathtë (SD), e njohur për armiqësinë e saj të hapur ndaj emigrantëve, gabimisht ngriti dorën dhe mbështeti vendimin për ndërtimin e xhamisë në qytetin Karlskrona

Në fakt anëtari i partisë Demokrate të Suedisë (SD), nuk e ka kuptuar propozimin për shndërrimin e një lokali në xhami, dhe votoi pro propozimit. Përfaqësuesi i Përhershëm i SD-së nuk ishte në gjendje të marrë pjesë në votimin e të enjtes, prandaj në diskutimin rreth mjedisit dhe ndërtimit hapësinor është zëvendësuar nga një kolegë i tij.

Kur në radhë erdhi votimi për propozimin që Shoqatës Kulturore Islame t’i lejohet blerja e një pjesë të sallës gjimnastikore në qytetin Karlskrona në Suedinë jugore, ultranacionalisti bëri një veprim, i cili befasoi masën. Lajmi ka tronditur edhe anëtarët e SD-së.

“Në mbrëmje më lajmëruan se çfarë kishte ndodhur, në fillim mendova se nuk ishte e vërtetë, se bëhet fjalë për një gabim”, tha Richard Jomshof, kryeredaktor i SD-Kuriren, gazetë e partisë së demokratëve suedezë.

Partia Parlamentare e demokratëve suedezë, në asnjë moment nuk ka fshehur kundërshtimin e saj për ndërtimin e xhamive në Suedi. Dhe kjo aspak nuk është befasuese duke pasur parasysh se kjo parti haptas bën politikë anti-imigracionit. Jomshof nuk e fsheh se telefoni i tij është ‘nxehur’ nga telefonatat e shumta.

“Nga e premtja në mëngjes jam bombarduar nga e-mailat dhe telefonatat. Këto vinin kryesisht nga përkrahësit e partisë të cilët më pyesin nëse kemi ndryshuar pikëpamjet. Përgjigja është, natyrisht – jo”, ka shkruar ai në blogun e tij.

Jomshof ende nuk ka shpjegim preciz si erdhi deri te ky gabim, por, sipas Expressen, pas bisedës me përfaqësuesin i cili ka votuar gabimisht, është i bindur se ai ende përkrah idetë e SD-së.
“Është mase e qartë se ai ende qëndron në vijën e partisë, por nuk ishte i kujdesshëm”, thotë Jomshof dhe shton: “Unë kurrë nuk do të kisha bërë një gabim të tillë. Por, njeriu mund të gaboj.”