Të nderuar lexues, me këtë parashtrim gazete që do ta shkarravis në vijim, ndoshta nuk do ngre diç të veçantë në kandar. Këtë do t’ia dedikoj mbamendjes sime të trazuar dhe të rebeluar. Higjienën e mendjes a edhe dilemën time morale karshi një vakie që kishte ndodhur shumë kohë më parë, do të bëj përpjekje ta vë në “peshojë të tyxharit”. Por para se ta jetësoj këtë tregim, më duhet t’i referohem një shprehje proverbiale, ku pos të tjerash thuhet: “Rruhu nga miku budalla se ta vret mizën në ballë”!?
Unë jam paksa skeptik sa i përket vërtetësisë së këtij proverbi. Një i tillë “budalla” para pesë dekadash rronte në mëhallën tonë. Përndryshe ishte pronar i një “mejhaneje” e cila frekuentohej nga “bohemët” e atëhershëm tetovarë. Kjo “mejhane” pas kushedi sa motesh ra në falimentim. Bashkëmoshatarët e mi, sot e kësaj dite janë “nostalgjikë për atë mejhane dhe për ato kohëra të llumta”. Nuk mund të thuash se ky “pronar filokomunist e filodallaverexhi”, vërtet ishte i marrë a i rrjedhur nga mendja, përkundrazi ishte një njeri që shquhej për zotësi në fushën e zanatit të tij…, ishte një dhelparak i llojit të vet. Dhe ky që ne e konsideronim injorant, lëkurën a mbështjellësin e trupit e kishte të regjur a të trashë. Nën atë lëkurë “mbante” sekretet dhe misteret e tij për të cilat kurrën e kurrës nuk u hetua as një e vetme provë. Ai nuk dilte dot aq kollaj nga ajo lëkurë. Sa herë që ia donte qejfi, “ngarkonte një maunë” me njerëz të lajthitur, të mençur, intelektualë, të ndershëm, të persekutuar, shehërlinj, katundarë, fisnikë e të tjerë. Ky asnjëherë nuk preokupohej dhe nuk dalldisej me hallet e “myshterinjve të tij”…, nuk i hynte në punë e vërteta se pse ata, nuk i kishin punët në terezi a pse atyre u mungonte mirëqenia materiale dhe rehatia familjare. Thjesht, sillte vërdallë një shehër a kasaba dhe për këtë nuk kishte bir nëne që do të guxonte të hapte gojë e t’i thoshte: “…, o ti mejhanexhi, mbylle këtë ahur pasi që në të ndërtohet kështjella e thashethemeve të kapixhikëve…, sepse aty spiunohen atdhetarët, aty zaptohet prona e fukarenjve, aty falsifikohet trashëgimia e dishepujve të vatanit, aty përflitet morali i familjeve me taban kombëtar, aty keqpërdoren ndihmat humanitare dedikuar jetimëve të popullit, aty sajohen vlera, aty ushqehet e frymon luksi i heshtjes dhe indiferencës së bohemëve karshi pisllëqeve që hetohen në mejhanen tënde…, aty ku bashkëqytetarët e mi futen ashtu vullnetshëm dhe përtej dëshirës së tyre nuk dalin dot “kollaj” prej aty…!
Një ditë një mik i tij i kishte parashtruar pyetjen se pse nuk “e ndryshon biznesin”!? Ky “budalla” ia kishte kthyer atë “hazërxhevap”: Po ç’më duhet tjetër “biznes” kur kam një maunë me “qengja të kuq” të cilët për të zënë rend që të futen në “mejhanen” time, paraprakisht duhet të thyejnë kokën e njëri-tjetrit që pastaj paratë e “ekonomisë familjare” t’i bëjnë “rrush e kumbulla”? Kjo vaki i ngjan asaj pyetjes të fshatarëve të cilët kur e kishin pyetur “dashin” se pse na dukesh kaq i shqetësuar e i inatosur…, ai u kishe dhënë përgjigjen: “nuk mërzitem e nuk më vjen zor se pse punoj natë e ditë, por më vjen inat pse qengji dhe qengjat e kuq të qehajait të beut hanë hazër”!?
Lexuesit e mi të ndershëm dhe pa tarafe, me të drejtë do të parashtrojnë pyetjen se kujt i hyn në punë ky parashtrim gazete që (ri) përsëritet edhe pas një gjysmë shekulli, kujt i duhet që ta lexojë këtë tregim a “thashetheme” që ka dalë nga hapësirat e mëhallës së fukarenjve…, një tregim që nuk lexohet as ndër dhëmbë e as ndër buzë…, dikush tjetër do thotë se e gjithë kjo nuk konvergjon me realitetin që jeton gjithsecili…, në instancë të fundit askush nuk e ka hallin e etikës së këtij parashtrimi si dhe porositë që i përcjell ai.
Një “mejhane politike” sot funksionon në kryeqendrën politike të Shqipërisë londineze, e cila frekuentohet nga politikanë opozitarë si dhe nga ca opinionbërës “tebdil” (njerëz që fshehin veprimet e qëllimet e tyre djallëzore) që mbajnë anën e pushtetarëve aktualë. Kur jemi te “dashi”, mua do më duhet t’i referohem historisë së batutave për këtë kafshë shtëpiake. Nëse na lejohet, po e fillojmë me “qengjin” e një qehaje të beut. Thonë se “qengji” që kishte braktisur kopenë, aq shumë kishte pasur uri, saqë “kishte ngordhur” midis dy togjeve të barabarta me sanë, sepse nuk kishte mundur të vendoste cilën të fillonte ta hante. Ky “qengj” në psikologji merret si shembull i konfliktit të dyfishtë emocional gjegjësisht të një ambivalence (ndasie) që shprehet tej mase te njerëzit me karakter tragjik. Për hir të një respekti ndaj personaliteteve që mund të hetohen në vijim të këtij shkrimi, do të bëj përpjekje maksimale që t’i shmangem paralelizmit, madje edhe në qoftë ai paralelizëm i figurshëm, respektivisht shmangies së identifikimit të emrave të tyre me “qengjin” në fjalë.
Ka shumë kohë që opozita në krye me Edvin Kristaq Ramën, si dhe pozita që udhëhiqet nga kryeministri Sali Berisha (këtu nuk do përfshihet kryetari i LSI, z. Ilir Meta, i cili duke u shtyrë nga interesat personale dhe duke u zaptuar nga “emocione dyfish të kundërta”, fillimisht do të rebelohet dhe mandej do të respektojë institucionin e “braktisjes së bashkëqeverisjes”…, një politikan që konceptohet a krahasohet me atë “fenomenin” për pavendosmërinë e të qenit i mëvetësishëm, një figurë që konceptua nga kundërshtarët e tij, si vegël a patericë e “regjimit absolut” të doktorit, një “politikan nomad”, i cili për hir të karrierës, “hëngri zahirenë e qeverisë”), do vazhdojnë të ballafaqohen me shumë dilema, me shumë paradokse si dhe me inatet e tyre ndërpartiake. Asnjëra palë nuk është e gatshme që të marrë përsipër (pa) përgjegjësinë morale, shtetërore dhe politike sa i përket katrahurës ekonomike e sociale që sundon Shqipërinë…, opozita nuk merr në konsideratë e përsipër çështjen e (mos) votimit të stërgjatë dhe të bezdisshëm të tre ligjeve në kuvend, sidomos tani në vigjilje të zgjedhjeve parlamentare.
Disa njohës të shkëlqyeshëm të rrethanave politike në Shqipëri, këto rebelime a “transfere” do t’i konceptojnë si politike, korruptive dhe joshëse, ca të tjerë do t’i konsiderojnë normale, disa të tjerë këto shkëputje politike, në instancë të fundit, i trajtojnë si joserioze dhe të dështuara. Të gjitha këto shkëputje politike, partitë do t’i bëjnë atëherë kur do të hetojnë se “anija e qeverisë” do të rrezikojë të fundoset nga furtuna e krizës politike. Kjo është si ajo “vakia” e “qengjit të kuq” të qehajait të beut, i cili ngordhi nga uria. Po qengji është qengj, por ama ç’ishte dhe ç’është ky rebelim politik!? A mos vallë ky rebelim bëhet për mirëqenien e popullit.., apo për interesa të ngushta personale a edhe partiake. Çobanët thonë se e ha ujku qengjin që braktis kopenë! Mjekët që merren me kurimin e hemorroideve thonë se njerëzit që vuajnë nga kjo sëmundje, nuk mund të qëndrojnë gjatë në një karrige. Të gjithë këta politikanë përbëjnë tipin e atyre që pa e kafshuar buzën e poshtme, i ngrenë vetes monumente transferesh prej qerpiçi, dhe në fund mbeten si mbreti lakuriq, që të qeshin fëmijët me të në sheshin publik. Nëse para një gjysmë shekulli, “mejhania e budallait” ra në falimentim, sot nuk ka njeri që do të mund ta paralajmërojë a ta parashikojë shembjen e “mejhanes politike” të kryeqendrës së shqiptarëve!? Mbase nuk duhet harruar ajo shprehja proverbiale: bariu i bie fyellit, atje ku ka dele për të qethur, kurse qelepirxhiu bredh me lugën në brez atje ku ka për të ngrënë! At Gjergj Fishta, përveç të tjerash e tha edhe këtë: “Populli i fal ata që e mundojnë, por nuk ka për t’i falur ata që e rrejnë”, ata që ia rrjepin lëkurën…
EDITOR
12 years ago
previous article
"Nata e oratorisë"
next article
Gol spektakolar nga Eriksen (Video)
you might also like
JO KRIME, NË EMËR TË NDERIT! – Dr. Bashkim Aliu
2 years ago
Agjërimi shkollë e durimit
3 years ago
Një vazo me shumë lule!
3 years ago