Ramazan Iseni, 13 vjeçar është njëri nga fëmijët që është rrahur brutalisht nga huliganët maqedonas pas protestës së djeshme në Shkup.
I riu shqiptar nga Studeniçani i Karshiakës është rrahur pranë një stacioni urban të autobusëve në Shkup, derisa po priste autobusin për të udhëtuar drejt fshatit, pas përfundimit të orëve të mësimit. Fotoja e rrahjes brutale e bërë nga reporteri i agjencisë së lajmeve INA ka përfshirë rrjetet sociale dhe gjitha mediat shqiptare dhe ndërkombëtare.
“Ne ishim duke pritur për tu kthyer në shtëpi dhe për një moment turma ka vrapuar ndaj nesh, duke na rrahur dhe goditur me gjësende të forta. Autobusi sapo ka mrri dhe ne kemi arrit me u ngjit dhe falë Zotit kemi shpëtuar”, ka theksuar Ramazani, i cili ishte tërhequr nga disa të rinj të tjerë shqiptarë në autobus dhe i kanë shpëtuar dhunës brutale. Ai menjëherë më pas është ndaluar në një stacion tjetër dhe është dërguar në Spitalin e Qytetit të Shkupit.
Ramazan Iseni është jashtë rrezikut për jetë, mirëpo ai ka pësuar tronditje të thellë dhe trauma, pas brutalitetit të përjetuar. Familja Iseni ka bërë thirrje për të ndaluar këto akte vandale dhe të dhunshme, sepse nuk ka siguri sipas tyre në këtë shtet dhe shqiptarët vazhdojnë të keqtrajtohen dhe dhunohen nga njerëz që asnjëherë nuk nxirren për tu dënuar para drejtësisë.
Nxënësit theksojnë se kanë shpëtuar falë shoferit të autobusit urban, i cili është shqiptarë dhe ka arritur që të mbyll me shpejtësi dyert dhe të largohet nga stacioni. “Ai na shpëtoi duke mbyllur dyert, mirëpo huliganët kanë gjuajtur me gurë dhe shishe autobusin, duke rrezikuar jetën tonë. Neve kemi parë edhe policië të uniformuar por që kanë hezituar për të reaguar dhe për të larguar huliganët e tërbuar. Këto incidente më nuk tolerohen. Ose të veprojnë ose ska hapësirë për të toleruar më këso tërbime kundër nesh shqiptarëve”, ka theksuar një nxënës shqiptarë, i shkollës “Zef Lush Marku”, i cili gjithashtu ka përjetuar sulmin brutal të huliganëve maqedonas.
Fatin e Ramazanit e kanë përjetuar edhe shumë të rinj të tjerë shqiptarë që kanë qenë duke shëtitur dhe udhëtuar drejt shtëpive të tyre në pjesën qendrore të Shkupit. Një dëshmitarë i ngjarjes ka thënë se janë rrahur brutalisht edhe derisa po pinin kafe pranë lumit Vardar në lokalet përreth në sheshin e Shkupit.
Huliganët kanë qarkulluar nëpër disa akse rrugore dhe lagje, ku janë stacionet e autobusëve dhe ku dihet se udhëtojnë edhe një pjesë e udhëtarëve shqiptarë për lagjet periferike të Shkupit si Saraj, Karshiakë dhe Hasanbeg e Haraçinë. (INA)