Ramazani, muaji i nëntë i kalendarit hënor, bashkon gjithë besimtarët myslimanë, në promovimin e vlerave të paqes, familjes, bamirësisë e bujarisë.
Largimi nga kënaqësitë tokësore për një periudhë të caktuar, tregon një akt të bindjes dhe nënshtrimit ndaj Zotit si dhe një përpjekje për të kërkuar faljen e mëkateve e gabimeve. Agjërimi ndihmon në vetëdijesimin se si ndjehet një i uritur, si ndjehen nevojtarët e jetimët.
Në veçanti, gjatë këtij muaji të mos i harrojmë, të paktën në lutjet tona, myslimanët e shtypur e të malltretuar nëpër botë, lusim Zotin t’i ndihmojë dhe t’ua shtojë durimin refugjatëve që këtë muaj nuk e presin në shtipitë e familjet e tyre
Në vendin tonë, ku bashkëjetojnë fetë dhe kulturat e ndryshme, ky muaj nderohet dhe mirëpritet nga të gjithë. Të mundohemi që me përkushtim dhe urtësi, gjatë këtij muaji të bekuar, t’i shërbejmë kësaj shoqërie drejtë së mirës. Edhe këtë vit, Forumi Rinor Islam me një numër të madh aktivitetesh do të shënojë ditët e këtij muaji.
Paçi agjërim të lehtë dhe uroj të dalim triumfues në fund të këtij muaji!
Zoti ju bekoftë me mirësi dhe momente të çmuara gjatë muajit ramazan.
Fisnik Shabani,
Kryetar i Forumit Rinor Islam