Reflektimi i mesazheve pejgamberike në jetën e njeriut bashkëkohorë

(Me rastin e përkujtimit të ditëlindjes së mëshirës së botëve, Muhamedit sal-lallahu alejhi ve sel-lem)
Nga: Sali Shasivari

Duke marë parasyshë faktin se Muhammedi sal-lallahu alejhi ve sel-lem jetoi dhe veproi shekuj më parë, është legjitime pyetja se, a thua vallë, si mund të reflektojnë mesazhet pejgamberike të para 14 shekujve në jetën tonë bashkëkohore, konkretisht, në shekullin 21?
Është e vërtetë se, në shikim të parë, duket se kjo distancë kohore është e mjaftueshme për të shpallur jovaliditetin e këtyre mesazheve në jetën e muslimanit bashkëkohor. Mirëpo, nëse gjërat i shikojmë nga disa prizma real dhe objektiv, do të na bëhet e qartë se, ky vakuum kohor nuk prish aspak punë; përkundrazi, kjo distancë kohore vërteton autenticitetin e këtyre mesazheve dhe jetëgjatësinë e tyre.

Në mesin e këtyre prizmave real dhe objektiv, veçojmë:
a) Nëse kemi besuar në Zotin Një, si Krijues, Mirëmbajtës dhe Mbikqyrës i gjithçkahit, do të kuptojmë se ky Zot, i Cili e ka krijuar njeriun, dhe, i Cili e din më së miri se për çka ka nevojë qenia njeri, i njejti Zot dërgoi Muhammedin sal-lallahu alejhi ve sel-lem si njeri të zgjedhur dhe pejgamber të fundit, me mesazhe të qarta; duke e definuar mesazhin e tij universal si ‘mëshirë për të gjitha krijesat’: “E Ne të dërguam ty (Muhamed) vetëm si mëshirë për të gjitha krijesat” (Kur’an, Sureja ‘El-Enbija’, Ajeti 107); “Ne nuk të dërguam ty ndryshe vetëm se për të gjithë njerëzit, myzhdedhënës dhe tërheqës i vërejtjes, por shumica e njerëzve nuk e dinë” (Kur’an, Sureja ‘Sebe’, Ajeti 28).
b) Njeriu dhe njerëzimi i sotëm, në kuptim të natyrës, dëshirave, nevojave, dobësive, etj., nuk dallon aspak nga njeriu dhe njerëzia e mëhershme. Kjo, ngase, egoja, dëshirat (si p.sh. dëshira për vetëaktualizim, vetërealizim, pasurim, dominim, etj.), nevojat e ndryshme shpirtërore dhe fizike, dobësitë e ndryshme të cilat e përcjellin natyrën njerëzore (siç janë epshet, cytjet, interesat e ngushta, etj.), janë tipare të cilat e përcjellin njeriun në çdo kohë dhe në çdo vend… Së këndejmi, nëse bëjmë një krahasim në mes të problemeve të cilat dominonin në kohën në të cilën erdhi Pejgamberi sal-lallahu alejhi ve sel-lem, si dhe problemeve me të cilat përballet njerëzimi i sotëm, përpos disa dallimeve në emërtime, nocione dhe koncepte, si dhe përpos disa detajeve në kuptim të rrethanave dhe mjeteve, do të shohim se ato janë identike. Kështu, ‘gjakderdhja e të pafajshmëve’ atëbotë, sot quhet ‘krim’; ‘varrosja për së gjalli e foshnjeve të porsalinduar të gjinisë femërore’ si praktikë e asaj kohe, sot quhet ‘abort’; ‘robërit e luftës’ së asaj kohe, sot konsiderohen ‘të burgosur politik’; ‘fajdeja’ e asaj kohe, sot quhet ‘normë interesi / kamatë’; ‘kontrolli i tregjeve’ të asaj kohe, sot quhet ‘globalizëm’; ‘krerët e fiseve’ të asaj kohe, sot kanë marë epitetin ‘elita politike’; ‘dallimi në mes të bardhëve dhe të zinjve’ që dominonte në atë kohë, sot quhet ‘racizëm’; ‘skllevërit’ e asaj kohe, sot konsiderohen ‘klasa punëtore’; ‘dallimi në mes arabëve dhe joarabëve’, sot konsiderohet ‘fashizëm’; etj. Andaj, mesazhi hyjnor i Pejgamberit sal-lallahu alejhi ve sel-lem, i cili, vërtetoi efektshmërinë e tij në zgjidhjen e problemeve të asaj kohe, transformoi shoqërinë e atëhershme të Gadishullit Arabik, shkaktoi reforma rrënjësore në arenën mbarëbotërore, dhe ndryshoi rrjedhat e historisë së mbarë njerëzimit (vlerësim këtë të cilin e japin shumica e studjuesve botërorë)…; ky mesazh hyjnor, është zgjidhje e vetme efektive edhe për problemet e sotme bashkëkohore…
c) Koha, historia dhe rrjedhat historike kanë vërtetuar faktin se, mesazhet me të cilat erdhi Muhammedi sal-lallahu alejhi ve sel-lem, nuk janë utopike, por të njejtat ofruan zgjidhje praktike për problemet njerëzore dhe ato universale jo vetëm në kohën e tij, por edhe në periudhat e mëvonshme; kuptohet, për aq sa këto mesazhe ishin të gjalla dhe si të tilla praktikoheshin…
Duke u bazuar në këtë që u tha, mund të konstatojmë lirisht se, mesazhet pejgamberike, jo vetëm që janë valide dhe efektive për kohën tonë, porse, të njejtat, janë në gjendje që të ofrojnë përgjigje dhe zgjidhje në çdo sferë dhe pore të jetës bashkëkohore. Kjo, ngase, këto mesazhe pejgamberike – të cilat në esencë janë mesazhe hyjnore – janë tejet vitale, si dhe ofrojnë jetë në gjitha aspektet; mu ashtu siç i përshkruan këto mesazhe Allahu i Madhnueshëm, kur thotë: “O ju që besuat, përgjigjjuni (thirrjes së) All-llahut dhe të të dërguarit kur ai (i dërguari) ju fton për atë që ju jep jetë, …” (Kur’an, Sureja ‘El-Enfal’, Ajeti 24). Madje, Allahu Fuqiplotë, Pejgamberin sal-lallahu alejhi ve sel-lem dhe misionin e tij e përshkroi si vijon: “Juve ju erdhi i dërguar nga lloji juaj, atij i vie rëndë për vuajtjet tuaja, sepse është lakmues i rrugës së drejtë për ju, është i ndijshëm dhe i mëshirshëm për besimtarët” (Kur’an, Sureja ‘Et-Tevbe’, Ajeti 128). Në saje të kësaj, Muhammedi sal-lallahu alejhi ve sel-lem tha: “Unë jam dërguar për të përsosur moralin e lartë”.

Në mesin e mesazheve hyjnore dhe pejgamberike të cilat do të mund të reflektonin në jetën tonë bashkëkohore, do të veçonim:
– Kthimin e kuptimit të jetës…, në këtë kohë të nihilizmit dhe pakuptimësisë…;
– Kthimin e barazpeshës në mes shpirtërores dhe materiales…, në këtë kohë të materializmit dhe konsumerizmit të skajshëm…;
– Kthimin e vlerës së jetës dhe dinjitetit njerëzor…, në këtë kohë kur jeta dhe dinjiteti i njeriut po nëpërkëmbet pandalë…;
– Ndaljen e gjakderdhjeve…, në këtë kohë kur gjaku dhe jeta e të pafajshmëve konsiderohet ‘gjëja më e lirë në tregun bashkëkohor’…;
– Mbrojtjen e të drejtave të të arrestuarve, të burgosurve, të zënëve rob, etj.…, në këtë kohë të krimeve dhe gjenocidit luftarak dhe politik…;
– Mbrojtjen e lirive të bindjes dhe mendimit…, në këtë kohë kur këto liri po shkilen me dy këmbë, në emër të ‘lirisë së shprehjes’…;
– Kthimin e të drejtave për një jetë të dinjitetshme dhe të ndershme për gjithë të dobtit, të shkelurit dhe të persekutuarit…, në këtë kohë të padrejtësive dhe shkeljeve sistematike;
– Mbrojtjen e lirive të shumicës…, në këtë kohë kur të drejtat e tyre shkilen në emër të të drejtave të ‘pakicave’…;
– Mbrojtjen e të drejtave dhe dinjitetit të pakicave…, në këtë kohë kur ato shkilen me arsyetime nga më të ndryshmet…;
– Kthimin e vlerave të mirëfillta…, në këtë kohë të antivlerave…;
– Kthimin e normave dhe principeve…, në këtë kohë të relativizimin të gjithçkahit…;
– Luftimin e racizmit, fashizmit, dallimeve klasore, sociale dhe ekonomike, etj.…, në këtë kohë të ekstremeve të djathta dhe të majta…;
– Riafirmimin e ‘kontratës sociale’…, në këtë kohë të ‘kaosit social’…;
– Riafirmimin e të drejtave të grave, të fëmijëve dhe të pleqve…, në këtë kohë kur të njejtët po viktimizohen në emër të të “drejtave” ndaj tyre…;
– Kthimin e dashurisë dhe respektit ndaj njëri-tjetrit…, në këtë kohë të egoizmave të skajshëm…;
– Kthimin e dashurisë dhe respektit ndaj prindërve, komshive, dhe gjithë njerëzve…, në këtë kohë të ‘unit dhe interesit’…;
– Solidarizimin me të pamundurit dhe skamnorët…; në këtë kohë kur bota vuan nga ‘pangopshmëria’ e të pasurve…;
– Promovimin e shëndetit shpirtëror, mendor dhe fizik…, në këtë kohë në të cilën dominon ateizmi, satanizmi, dezinformatat, obeziteti, etj….;
– Promovimin e pastërtisë të brendshme…, në kohën kur i gjithë fokusi është tek dukja e jashtme…;
– Ndalimin e veseve të këqija dhe të dëmshme, si: alkoolin, bixhozin, drogën, amoralitetin, shpifjen, përgojimin, vjedhjen, krimin, korrupcionin, nepotizmin, etj.…, në këtë kohë kur të njejtat janë shndërruar në hobi, profesione, norma dhe realitete…;
– Mbrojtjen e botës bimore (florës) dhe shtazore (faunës)…, në kohën kur të njejtat ju nënshtrohen destruktivitetit dhe zhdukjes sistematike nga ana e njeriut…;
– Mbrojtjen e ambientit…, në këtë kohë kur, në emër të zhvillimit të së tashmes, shkatërrohet e ardhmja e jetës në planetin Tokë…;
Të gjitha këto që u përmendën dhe shumëçka që nuk u përmend, nuk janë parulla mirakëndëse, por janë parime dhe realitete praktike të realizuara në kohën e Muhammedit sal-lallahu alejhi ve sel-lem, si dhe në disa periudha që pasuan, në të cilat u jetësuan mesazhet hyjnore pejgamberike.

Kushdo që dëshiron të vërtetohet dhe të bindet në lidhje me këtë që po e them, duhet kthyer librave gjegjëse dhe historisë…
Për më tepër, për të gjitha aspektet që u përmendën më lartë, si dhe shumë aspekte tjera, mesazhi hyjnor pejgamberik, jo vetëm që ofron zgjidhje dhe alternativa, por i njejti posedon mekanizma dhe metoda të qarta dhe praktike të cilat garantojnë implementimin e të njejtave.
Në krye të këtyre ‘mekanizmave’ dhe ‘metodave’, qëndron ‘frigërespekti ndaj Allahut’ (devotshmëria), i njohur si ‘mekanizëm i vetëkontrollit’, i cili është garantuesi dhe mbikqyrësi më i mirë për realizimin e mesazheve të këtilla.

Mirëpo, përreth këtij mekanizmi, ekzistojnë edhe disa metoda tjera komplementare dhe efektive, të cilat do të mundësonin reflektimin e mirëfilltë të mesazheve hyjnore pejgamberike, në mesin e të cilave do të veçonim:
1. Njohja e Pejgamberit sal-lallahu alejhi ve sel-lem – njohje e plotë, jo parciale – është shkak i impresionimit dhe fascinimit me personalitetin dhe figurën e tij: Kjo, sidomos kur kemi parasyshë faktin se, nuk ekziston personalitet historik të cilit i është regjistruar biografia në detaje aq të imta, sikurse që është regjistruar biografia e Muhammedit sal-lallahu alejhi ve sel-lem. Andaj, me të lexuar dhe studjuar këtë biografi, do të bindemi në lidhje me gjithë atë që u tha më lartë, bile edhe shumë më tepër. Muhammedi sal-lallahu alejhi ve sel-lem ishte shembull dhe model, qoftë para se të bëhej pejgamber, qoftë gjatë periudhës së pejgamberllëkut; kjo, ngase Allahu Fuqiplotë e përgatiti dhe e mbrojti atë. Kështu, Pejgamberi sal-lallahu alejhi ve sel-lem, në saje të të qenurit njeriu më i dashur tek Allahu i Madhnueshëm, ai fitoi epitetin e ‘shembëlltyrës së njerëzimit’; si dhe, në saje të të qenurit ‘Nxënës i Qiellit’, ai fitoi epitetin ‘Mësues i Tokës’…
2. Njohja e Pejgamberit sal-lallahu alejhi ve sel-lem – njohje e plotë, jo parciale – është shtytës dhe motivues për dashurinë, respektin dhe vlerësimin ndaj personalitetit dhe figurës së tij: Kështu, çdokush që e njeh atë mirëfilli, dashurohet në personalitetin, sjelljet, veprat, porositë mesazhet dhe udhëzimet e tij. Bile-bile, edhe ata që, për shkaqe të barrierave të caktuara ideologjike dhe fetare nuk arritën ta dashurojnë dhe ta besojnë atë, të njejtët, nuk gjetën rrugëdalje, përpos se ta respektojnë dhe vlerësojnë personalitetin, sjelljet, veprat, porositë mesazhet dhe udhëzimet e tij; siç ishte rasti me shumë filozofë, historianë, studjues, burrështetas, institucione, etj.
3. Njohja e Pejgamberit sal-lallahu alejhi ve sel-lem – njohje e plotë, jo parciale – është shtytës dhe motivues për përkujtimin dhe pasimin e rrugës së tij: Kjo, ngase, kur dikë e njeh dhe e dashuron, të njejtin e përkujton dhe mundohesh ta pasosh rrugën e tij.
4. Njohja e Pejgamberit sal-lallahu alejhi ve sel-lem – njohje e plotë, jo parciale – është shtytës dhe motivues për konsiderimin e tij shembëlltyrë dhe model i cili duhet respektuar dhe pasuar.
Andaj, ejani ta njohim, ta duam, ta pasojmë dhe ta marim si shembëlltyrë dhe model ‘mëshirën e botërave’, Muhammedin sal-lallahu alejhi ve sel-lem, si dhe, në saje të kësaj, secili prej nesh të shndërrohemi në shembëlltyrë dhe model për të tjerët, me qëllim që të shpëtojmë në këtë botë dhe në Botën Tjetër.

Sal-lallahu alejhi ve sel-lem (paqa, mëshira dhe kënaqësia e Zotit qoftë mbi të).

(Londër, 21 Rebiu-l-Evvel 1442 / 8 Nëntor 2020; temë e botuar në gazetën ‘Koha’ – Maqedoni – më 11 Nëntor 2020)