Categories
Lajme FRI

Serialet, "modeli" për të jetuar

Trendi i nisur me disa seriale që transmetoheshin në një pjesë të televizioneve tashmë i ka kapluar të gjithë, duke mbajtur të mbërthyer me orë të tëra jo vetëm shtëpiake dhe pensionistë, por edhe fëmijët. Një jetë sipas serialeve, ka kohë që ka nisur të pasqyrohet edhe në përditshmërinë tonë, thonë ekspertë të kësaj fushe
Edhe pse më shumë se gjysma e kohës së lirë të një individi në Maqedoni kalon përpara televizorit, fabula edukative e një filmi, apo edhe emisioni të arrirë televiziv është vështirë të nxirret. Kjo, sepse thuajse në të gjitha ekranet televizive, maratona e serialeve turkolatino- indian ndërpritet vetëm nga ditarët informative, reklamat apo edhe ndonjë emision apo dokumentar i rrallë.
Trendi i nisur me disa seriale që transmetoheshin në një pjesë të televizioneve tashmë i ka kapluar të gjithë, duke mbajtur të mbërthyer me orë të tëra jo vetëm shtëpiake dhe pensionistë, por edhe fëmijët.
Një jetë sipas serialeve, ka kohë që ka nisur të pasqyrohet edhe në përditshmërinë tonë, thonë ekspertë të kësaj fushe. Shumë fenomene negative, si divorcet, agresivitetin nga të rinjtë e fëmijët, depresionin e të tjera trajtohen si pasoja të varësisë ndaj këtij zhanri kinematografik, që në një formë të ngjashme është përhapur edhe në vendet e tjera të rajonit, por edhe në botë.
Ndërsa misioni i informimit, edukimit që duhet të ketë një medium – ka humbur në mes të rrugës, thonë ata.
Sipas sociologut Ali Pajaziti, kultura që ofrohet është e llojit të mbiquajtur pop, që do të thotë nuk ngërthen vlera, por narracione manjetike që mbajnë të lidhur njerëzit me muaj, ndërsa tek fëmijët dëmton kulturën e shkrimit dhe leximit. “Serialet televizive tek njerëzit krijojnë një varësi mentale, psikologjike…, tek ‘të varurit’ ndërtojnë një botë virtuale të tyre në bazë të të cilës ata mbeten në një mezostatus, gjendje e ndërmjetme ndërmjet jetës reale dhe filmit, mes statusit social të vërtetë dhe imazheve të një shtrese elitare që jeton një jetë mondane. Ndikojnë jashtëzakonisht keqas në aspektin etiko-moral, meqë afirmojmë aventurat, tradhtitë, raportet e prishura brendafamiljare, disa edhe dhunën, gjakun… Publiku që merret me këto seriale është pasiv në kuadër të qarkut familjar, sepse pjesën më të madhe të kohës e kalojnë pranë ekraneve që ofrojnë satisfaksion të çastit, ta papritura, ëndrra… Kultura që ofrohet është e llojit të mbiquajtur pop, që do të thotë nuk ngërthen vlera, por narracione manjetike që mbajnë të lidhur njerëzit me muaj, madje me vite të tëra. Tek mosha fëmijërore, që vërehet se edhe ajo i ndjek madje edhe të klasave të ulëta, i ftoh nga libri dhe i afron kah skenat filmore, pra dëmtojnë kulturën e lexim-shkrimit në favor të polemikave dhe ngatërresave të imagjinatës regjisoriale, për çka fëmijët s’janë të gatshëm. Seksualizimi është një element tjetër negativ, pra vënia e dashurive bizare dhe të paparashikueshme në epiqendër afirmon divorcin si mënyrë jetese”, thotë Pajaziti.
Petrit Saraçini nga Instituti i Mediave të Maqedonisë (IMM), thotë se këto seriale, në pjesën e tyre dërrmuese, jo vetëm që nuk sjellin asnjë lloj dimensioni edukativ dhe as që emanojnë vlerat e shkencës, arsimit, e të tjera, por e anestezojnë publikun duke e ngulitur para ekranit me orë, ditë e vite të tëra.”Nëse shihen programet e mediave, ato dominohen nga serialet. Dhe misionin e tyre në aspektin edukativ nuk e kryejnë, përveçse në aspektin zbavitës. Aspekti edukativ nuk ekziston në përgjithësi tek ne, s’kemi emisione debative, edukative, arsimore, lajmet janë kthyer në propagandë gjë që sjell një situatë ku njerëzit shumë pak informohen dhe privohen nga informacioni se çfarë ndodh me të vërtetë në botë”, vëren Saraçini.
Duke iu referuar të dhënave shkencore, njerëzit janë të predispozuar për të parë televizor deri në 3.5 orë në ditë, ndërsa për të lexuar 30 minuta në ditë, të dhëna që nuk vlejnë për këtu, thotë psikologu Muhamed Jonuzi. “Fakti që shpesh serialet e këtilla shihen në prani edhe të fëmijëve – impakti negativ është edhe më i madh, sepse shpesh tek ata kemi paraqitjen e ndjesisë së identifikimit të fortë me protagonistin, dhe përveç varësisë që shkaktohet edhe tek fëmijët për të parë serialet e këtilla, ndikimi negativ është edhe në spektrin material, sepse fëmijët e këtillë edhe lodrat, albumet, veshjet ua ‘imponojnë’ prindërve që t’ua blejnë me emrat e aktorëve në fjalë. Në situata të këtilla, nga një familje ‘heterogjene’ në aspekt rolesh e moshash, ‘shndërrohemi’ në familje ‘homogjene’, ku virtyti dhe morali merr premisa të mekanizmave mbrojtës se gjoja ajo që shihet ‘nuk është halis'”, thotë Jonuzi. Impakti negativ, shton psikologu, dhe kostoja e madhe që mund të pësojë mbarë shoqëria, shpesh është mbushje e skajshme e xhepave të atyre që na i ofrojnë si të këtilla, por edhe për faktin e vetëm, se konsumatori, madje edhe nuk ka shumë zgjidhje./koha/

Exit mobile version