Edhe pse gjeografikisht Lindja e Mesme është larg nesh, konfliktet e saj ndihen për çdo ditë më pranë nesh. Nga media kuptuam për vrasjen e një gostivarasi në Luftën në Siri. Kjo më shtyu që t’i shkruaj disa reshta për situatën aktuale në Lindjen e Mesme.
Nisja nga Vjena e atij gostivarasi në luftë për xhihad më zgjoi interesin. Me ate të riun që u vra në atë luftë, më lidh fakti se jemi bashkë-vendas dhe se sikur ai edhe unë kam jetuar për një kohë në Vjenë. Më preku vrasja e tij pasi që e kishte lënë fëmijën e tij të vogël dhe ishte nisur në luftë për një ideal të madh. Ideali i tij me siguri që ka qenë xhihadi dhe sakrifikimi i vetes për atë qëllim.
Kur para më shumë se tri viteve e shkrova një libër për situatën politike në Turqi, po ashtu i përmenda ushtarët turq që për çdo ditë vriteshin në luftë me kurdët. Në mes tjerave kam shkruar se: ”Nuk mund të quhet shehid ai që vritet duke i luftuar muslimanët për ta mbrojtur shtetin laik”. Në atë kohë padyshim që kjo konsiderohej vepër penale dhe nëse librin do ta botoja në Turqi, nga prokuroria kundra meje menjëherë do të ngrihej aktakuza për përkrahje të terrorizmit, ashtu si dhe kundra krejt të tjerëve që sot dergjen në burgjet e Turqisë. Mirëpo me situatën e re të krijuar në lidhje me konfliktin me kurdët në Turqi, shumë familjarë të të vrarëve ushtarë turq dhe ushtarët invalid të asaj lufte pyesin se përse luftuan!? Sot qeveria e Turqisë jo vetëm që e ka ndërpre luftën me pjesën kurde që rebelohej në Turqi, por ajo ka filluar bashkëpunimin me kurdët e Lindjes së Mesme në shumë sfera të rëndësishme. Kuptohet që paqja e arritur e Turqisë me kurdët është për tu përshëndetur dhe duhet përkrahur. Mirëpo e morra këtë shembull, për të treguar se sa shpejt mund të ndryshojnë rrethanat politike dhe të ndërrohen nocionet. Në këto raste, nocionet se kush ishte terrorist e kush ishte shehid, apo se kush është patriot e kush tradhtarë e humbin kuptimin dhe rëndësinë.
Ne shqiptarët, që për ngjarjet ndërkombëtare informohemi kryekëput nga media perendimore apo të satelitëve të tyre në gjuhën shqipe, kemi një pasqyrë se çfarë po ndodh në Lindjen e Mesme këta dy vitet e fundit. I dëgjojmë shpesh fjalët: pranvera arabe, demokratizimi i Lindjes së Mesme, lufta kundër korrupsionit, diktatorët apo despotët e Lindjes së Mesme etj. Mirëpo nuk na ndodh që të dëgjojmë apo lexojmë që ajo pranverë u shndërrua në furtunë, se demokratizimi u shndërrua në luftëra qytetare, që lufta kundër korrupsionit u shndërrua në krizë ekonomike dhe financiare, se ata diktatorët ka gjasa të zëvendësohen me diktatorë më të ashpër etj. Për shkak të mospasjes së informimit alternativ kuptohet që publiku jonë ka mungesë informacioni për shumë ngjarje që po ndodhin në marrëdhëniet ndërkombëtare. Situata që po ndodh sot në Lindjen e Mesme është koklavitur në një masë aq të madhe sa që edhe ne që merremi me marrëdhëniet ndërkombëtare nuk arrimë që t’i parashikojmë të gjithë ndodhitë.
Me këtë shkrim nuk pretendoj që ta ndal asnjë shqiptarë që e ka bërë nijet që të shkojë në luftë në Siri për idealin e tij. Njeriu ka mundësi të zgjedh se si dëshiron të vdesë dhe ku të vdesë. Nëse ata që shkojnë në luftë e duan vdekjen më shumë se jetën ky është lajm i vjetër. Shqiptarët këtë e kanë dëshmuar me kohë. Për këtë do të jap edhe një rast konkret. Këtë javë pata mundësi që të jem në Çanakkale ku qëndrojnë varet e shumë shehidëve shqiptarë. Mirëpo në mes shehidëve të Çanakkales dhe të atyreve që vriten në Siri ka një dallim të madh. Shehidët shqiptarë të Çanakkales e deshën vdekjen më shumë se jetën pasi që ata luftonin armikun në mbrojtje të besimtarëve mysliman dhe shtetit osman (që si burim të së drejtës e kishte Islamin), përderisa palët në luftën në Siri janë myslimanë dhe të dy ato palë pretendojnë se e mbrojnë popullatën. Ushtarët sirian luftojnë me pretendimin për ta mbrojtur shtetin nga rebelët të nxitur nga Izraeli, përderisa forcat rebele siriane, krahë të cilëve ka edhe disa shqiptarë, luftojnë për të marrë pushtetin nga dora e një diktatori sekular. Se cila palë ka të drejtë në atë luftë qytetare nuk është temë e këtij shkrimi. Mirëpo ne si shqiptarë mund ta kuptojmë më së miri këtë luftë, jo vetëm nga përvoja jonë me luftërat qytetare në ish-Jugosllavi, mirëpo edhe nga përvoja e burrështetasve tanë osman-shqiptare. Pashko Vasa Efendi dhe Ismail Qemal bej Vlora i administronin ata territore gjatë Perandorisë Osmane. Ismail Qemal bej Vlora në kujtimet e tija sqaron përpjekjet e tija për t’i balancuar ndasitë dhe konfliktet në mes grupeve apo medhhepeve të muslimanëve në atë rajon. Nga kujtimet e lartpërmendura kuptojmë që lufta sektare në Siri është shumë më e vjetër se sa këta dy vitet e fundit. Mirëpo për ata që e njohin historinë islame e kanë të qartë që lufta sektare në mes muslimanëve ka filluar me vrasjen e kalifit Omer r.a dhe e ka arritur kulmin me vrasjen e kalifit Ali r.a dhe më pas të djalit të tij Huseinit në Qerbela. Të gjithë këta u vranë nga muslimanët në luftën për pushtet. Kjo luftë më shumë se 1300 vjeçare vazhdon deri në ditët e sotme. Prandaj dhe ai shqiptarë që mendon se me kontributin e tij luftarak në Siri, do t’i jap fund vuajtjes së popullit të Sirisë, është mirë që ta lexoje historinë islame edhe nga ndonjë burim tjetër!
Arsyeja kryesore që e motivon një të ri jo-sirian që të shkoj në luftë në Siri është padyshim mbrojtja e civilëve. Është fakt se nga sulmet e ushtrisë siriane vriten shumë civil. Kjo ndodh sidomos pasi që ata përdorin artilerinë dhe aeroplanët ushtarak. Mirëpo edhe forcat rebele shkaktojnë vrasjen e civilëve edhe pse në numër më të vogël. Kjo ndodh nga shpërthimet me bomba apo me autobomba në vende të populluara. Gjatë tentimit të vrasjes së kryeministrit të Sirisë në rrugë apo gjatë vrasjes së klerikut islam në xhami, me siguri që u vranë edhe shumë civil. Dhe çka është më e rëndësishmja, nëse perëndimi intervenon ushtarakisht në Siri (sikurse rasti i Libisë), me siguri që pastaj numri i civilëve të vrarë do të jetë më i madh nga pala e “pushtetmbajtësve”.
Për shumë shqiptarë përkrahja e Rusisë që i jep pushtetit të sotëm në Siri është një motivim më tepër për t’i ju dalë në mbështetje opozitës siriane. Mirëpo përderisa forcat rebele janë të mbështetura nga perëndimi dhe aleatëve të tyre, pushtetarëve (shiit) nuk u mbetet alternativë tjetër përveç se të bashkëpunojnë me Rusinë. Kjo për arsye se Rusia si faktor diplomatik posedon të drejtën e vetos në Këshillim e Sigurimit të OKB-së dhe nëpërmjet mbështetjes së saj mund të mbrohen interesat e palës siriane në pushtet.
Edhe pse përkrahja e drejtpërdrejt e Iranit kundrejt pushtetit sirian e ka shndërruar këtë luftë në luftë sektare, kjo nuk është edhe aq e thjeshtë. Kjo pasi që në krah të pushtetit (e që dominohet nga elita alevite) luftojnë edhe të krishterët edhe disa sunitë. Nga ana tjetër kurdët, e që janë sunitë, nuk janë të involvuar në konflikt dhe presin që të pozicionohen kur do të jetë situata më e përshtatshme për interesat e tyre. Ka dhe komunitete tjera sikur që janë drusët dhe turkmenët e të cilët ende nuk janë pozicionuar qartë. Po ashtu ndarje sektare kemi edhe në mes forcave të rebelëve. Jo të gjithë ata janë sunitë hanefij pasi që ka edhe shumë vahabinjë. Të përkrahur nga qendrat e tyre shpirtërore, financiare dhe mediatike shumë vahabinj apo selefij vinë nga jashtë si vullnetar në këtë luftë. Nëse këta sot i luftojnë alevitët apo nusajria, e të cilët i konsiderojnë jomusliman, nesër mund të ndodh që t’i luftojnë edhe hanefijt. Për ne shqiptarët përsëri historia duhet të na jetë mësim. Kjo pasi që gjatë Perandorisë Osmane ishin forcat shqiptare-osmane që me në krye Mehmet Ali Pashën dhe djalin e tij Ibrahim Pasha e shujtën me dhunë rebelimin vahabi në Nexhd (Arabia Saudite). Prandaj dhe në të ardhmen një konflikt tjetër sektar në këtë rajon është i mundshëm.
Anketat e opinionit publik në Turqi dëshmojnë që popullata turke për çdo ditë e sheh me skepticizëm më të madh involvimin e Turqisë në Luftën në Siri. Kjo rezultoi që lideri i opozitës turke (i cili është alevite) ta quaj kryeministrin e Turqisë vrasës dhe krye-terrorist i luftës së Sirisë. Turqia ishte nga shtetet e para që përkrahu ndërrimin e pushtetit në Siri duke shpresuar në një përfundim të shpejt. Mirëpo në krah të pushtetit sirian përveç një pjese të popullatës u reshtuan edhe qeveritë shiite të Iranit, Irakut dhe Libanit. Mbështetja diplomatike e Rusisë për Sirinë po ashtu është faktor i rëndësishëm në mbijetesën e pushtetit. Irani me mbështetjen e regjimit të Sirisë i mbron interesat e veta. Siria është mundësia e vetme e Iranit për eksportimin e naftës nëpërmjet Detit Mesdhe. Irani këtë mund ta arrij me ndërtimit të naftësjellësit që nëpërmjet Irakut të dalë në Siri.
Mirëpo pasi që plani për rrëzim të shpejt të pushtetit në Siri nuk u realizua siç që pritej nga disa qendra, tani tentohet që nëpërmjet forcave sunite të merren në kontroll disa territore të Sirisë dhe me ndihmën e sunitëve në Irak (të cilët shtrihen në territor në kufi me Sirinë) të mund të parandalojnë shtrirjen e ndikimit shiit (të Iranit) në këtë pjesë të Mesdheut. Si duket realizimi i këtij plani ka fituar dhe mbështetjen e kurdëve, të cilët me ndihmën e vazhdueshme të ShBA-së u bënë faktorë në këtë rajon. Në këtë mënyrë Arabia Saudite i mbron disa interesa të saj për sa i përket tregut të naftës, përderisa territori i Turqisë vazhdon të mbetet jetik për kalimin e naftësjellësve dhe gazsjellësve për furnizimin e Evropës me energji.
Roli i Iranit në këto trazira kuptohet që është i madh. Ajo nxitën shiitët të rebelohen në Bahrain, Jemen, Arabi Saudite, Liban, pjesërisht në Turqi, ka ndikim në qeverinë Irakiane dhe përkrahën financiarisht pushtetin sirian. Me këtë rast edhe iniciativa diplomatike e Iranit që nëpërmjet popullatave shiite në Lindjen e Mesme të risë ndikimin e saj në rajon ka mundësi që të dështoj në shumë aspekte. Mirëpo koha do ta tregojë rezultatin përfundimtar.
Në librin tim “Mendime politike” të botuar para se të filloj e ashtuquajtura pranvera arabe, për sa i përket temës për demokratizimin e Lindjes së Mesme kam shkuar: “[…]u përqendruan me të gjitha resurset që ta realizojnë këtë “demokratizim” të Lindjes së Mesme nga qeveritë autoritare. Por ky demokratizim në realitet ka të bëjë me planin e Izraelit dhe të politikës së jashtme amerikane për Lindjen e Mesme (të udhëhequr nga jahudit amerikan), e që konsiston në shndërrimin e Izraelit në forcë të vetme ushtarake në Lindjen e Mesme”. Deri më sot nuk kam hasur në ndonjë arsye që ta ndërroj mendimin e publikuar para disa viteve.
Nga luftërat në mes muslimanëve mund të përfitojnë vetëm jomuslimanët. Prandaj dhe xhihadi i vërtet i çdo myslimani do të ishte përpjekja dhe përkrahja e zgjedhjes së këtyre konflikteve nëpërmjet negociatave.
EDITOR
11 years ago
previous article
Qyteti nën hijen e çadrave shumëngjyrëshe
next article
Tezat e gabuara të Ardian Gjinit
you might also like
JO KRIME, NË EMËR TË NDERIT! – Dr. Bashkim Aliu
2 years ago
Agjërimi shkollë e durimit
3 years ago
Një vazo me shumë lule!
3 years ago