Ditë më parë, saktësisht me 25 Korrik 2013, e lexova shkrimin
(kolumnen) e Ardian Gjinit me titull” Myslimanët e Kosovës duan të jenë edhe shqiptar edhe mysliman” në të përditshmen kosovare Gazeta Tribuna.
Kolumneja e Ardian Gjinit ka vlerë të rëndësishme për kohën, pasi që trajton një temë sa aktuale aq edhe kulturore, për të cilin duhet përgëzuar autorin në fjalë. Porse në shkrimin e tij hasim edhe në disa teza të shtruara të cilat janë të gabuara sepse nuk janë të mbështetura në burime faktike reale.
Kjo përgjigje le t’i shërbejë si këshillë, sugjerim, përmirësim, apo pse jo edhe kritikë, me të vetmin qëllim të mësimit dhe të kulturimit tonë, pasi që vetëm kritika është ajo që e çonë në përmirësimin dhe zhvillimin tonë kulturor si komb që jemi, në pajtim me thënien e të famëshmit Faik be Konicës:“ Ky komb nuk mësohet e nuk kulturohet nëpërmjet lavdit, por nëpërmjet kritikës”.
Teza e parë dhe kryesore e gabuar e Ardian Gjinit është kur thotë, po e citoj:” Shpesh dëgjojmë se feja islame e ka ndaluar sllavizimin e shqiptarëve. Ky është shpjegimi më i gabueshëm i mundshëm”. Por e vërteta qëndron pikërisht këtu pasi që feja islame ka qenë ajo që ka ndaluar sllavizimin  e shqiptarëve. Këtë e mbështes në faktet reale që kanë ofruar dhe dokumentuar studiues dhe historianë të ndryshëm që janë marrë me problematikën në fjalë. Më poshtë do t’i citoj vetëm disa nga studiuesit e tillë, që këtë tezë të gabuar të Ardian Gjinit e hudhin si fluskën e sapunit.
“Eksperienca e pesë shekujve ka vërtetuar se bashkimi i shqiptarëve ngusht me Perandorinë Osmane formon shansin e vetëm të shpëtimit të tyre, sepse nuk cenon as mendimet kombëtare, as gjuhën dhe as traditat e tyre, nuk transformon karakterin e tyre si popull dhe nuk kërcënon ekzistencën e tij nga pikëpamja e racës dhe kombësisë”- Pashko Vasa.
“Kështu që gjatë vendosjes së sundimit të tyre në Ballkan, osmanët duke iu përmbajtur parimeve islame nuk e praktikuan imponimin  e dhunshëm të Islamit e as asimilimin e dhunshëm etnik.” – Gazmend Rizaj
“Myslimanizmi ka shpëtuar pjesët më të rënëdishme të kombit tonë nga asimilimi, ka hedhur urat lidhëse atje ku rivaliteti ortodokso-katolik zgjeronte e thellonte hendeqet ndarëse midis shqiptarëve. Duhet t’i falenderojmë osmanët që për të mirën e shqiptarëve kanë bërë atë që duhej bërë.” – Abdi Baleta.
“Civilizimi islam ka qenë faktori kryesor i qenies kombëtare shqiptare, faktori që e përcaktoi dhe e përkufizoi arealin e Shqipëris etnike në shekujt XV-XVIII, që i dha emrin kombëtar të popullit dhe atdheut, shqiptar e Shqipërisë.” – Muhamed Pirraku.
“Po të mos kishte qenë Islami, populli shqiptar do të kishte qenë popull më i madh me numër në Ballkan, por jo edhe shqiptar.” – Faik bej Konica.
“Përhapja e Islamit ndër popullatën shqiptare është bërë në mënyrë graduale, ndaj nuk ka qenë e ekspozuar kurrfarë presionit.” – Tomas Arnold.
“Kalimi në Islam bëri diferencimin midis popullatës deriatëhere vëllazërore serbe dhe shqiptare, në këtë mënyrë shqiptarët me përfaqësimin e islamit i shpëtuan sllavizimit.” – Sima Çirkoviç.
Teza e dytë e gabuar e Ardian Gjinit është në kundërshembujt të cilët i cek, e që i përzien jasht kohës dhe hapësirës për të cilën fletë në temën e tij.
Është e vërtet se shqiptarët mysliman që u ndoqën me dhunë dhe u përzunën nga trojet shqiptare në Turqi, dalëngadal me kohë u asimiluan, u turqizuan, njashtu edhe arbreshët e ritit ortodoks u asimiluan, u italizuan, porse akoma i ruajnë kujtimet e tyre, prejardhjen e tyre e deri diku edhe gjuhën e tyre, por jo edhe për një kohë të gjatë, pasi që edhe këto gjurmët me kalimin  e kohës dhe me lindjen e gjeneratave të reja, do të treten, shuhen, sikurse në Turqi ashtu edhe Itali. Ardian Gjini harron të cek edhe një të vertetë reale dhe faktike që është, shqiptarët ortodoks në Greqi u helenizuan, sikurse edhe shqiptarët ortodoks në Malë të Zi, Serbi e Maqedoni u sllavizuan, aman asesi dhe në asnjë mënyrë shqiptarët mysliman nuk janë asimiluar, nuk janë sllavizuar në Maqedoni, Malë të Zi, Serbi, si dhe në Kosovë gjersa ishim nën sundimin serb njëshekullor. Njashtu edhe shqiptarët mysliman të mbetur të Çamërisë nuk janë asimiluar, nuk janë helenizuar, porse janë dëbuar dhe shpërngulur me dhunë në vitin 1945 për në Shqipëri.
Porse problemi më i madh qëndron tani, në kohën e tanishme, të cilin fare nuk  e cek Ardian Gjini, e ai është i diasporës së tanishme shqiptare, sepse momentalisht në diasporë jetojnë afro 2 milion shqiptar (rreth 30% të popullit shqiptar në përgjithësi), të cilët me kohë, dalëngadal dhe gradualisht i nënshtrohen procesit të asimilimit, dhe mvarësisht në vendin në të cilin jetojnë me kohë dalëngadal do të asimilohen duke u evropianizuar apo amerikanizuar.
Gjersa gjenerata e parë e shqiptarëve që në moshën madhore kanë shkuar në mërgim, akoma e mbajnë me krenari përkatësinë kombëtare, gjenerata e dytë, fëmijët të mitur që kanë shkuar si dhe ata që kanë lindur në mërgim e ndiejnë veten shqiptar, gjenerata e tretë e ndien veten me prejardhje shqiptare, ndërsa gjenerata e katërt që do të pason nuk do të çajnë kokën për prejardhjen e tyre shqiptare dhe do të asimilohen tërësisht.
Kjo është një e vërtetë e hidhur, e cila duhet të na brengos, për të cilin duhet të flitet, të shkruhet, jo vetëm nga Ardian Gjini e Faik Miftari, por edhe nga shumë analistë dhe kolumnistë tjerë, e me të cilët seriozisht duhet të merren institucionet shtetërore e nacionale sikurse në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Malë të Zi  e në Serbi.
Teza e tretë e gabuar e Ardian Gjinit është kur cek, po e citoj:” Ka forca politike (fetare) që po synojnë t’i detyrojnë shqiptarët, sidomos në Kosovë e Maqedoni, që të zgjedhin se a janë shqiptarë apo mysliman.”
Këtu Ardian Gjini shpif një të pavërtetë të madhe, duke i sulmuar forcat politike dhe fetare, duke mos i emëruar me emër cilët janë ato, por i hudh në një shportë akuzuese të gjithë sikurse në Kosovë ashu edhe në Maqedoni. Me sa e di dhe me sa e përcjell trendet aktuale politike e fetare një kohë bukur të gjatë, si në Kosovë ashtu edhe në Maqedoni, asnjë forcë politike e fetare në programet e tyre, statutet e tyre, kushtetutat e tyre, jo që i detyrojnë, por as që i parashikojnë që shqiptarët të zgjedhin në mes shqiptarisë dhe myslimanërisë, por përkundrazi të dyja këto i përforcojnë dhe i japin vlerë dhe rëndësi edhe më të madhe sikurse asaj kombëtares ashtu edhe fetares.
Në rast se e ka menduar, por nuk i ka apostrofuar me emra forcat politike dhe fetare në Kosovë e Maqedoni, lirisht mund të aludohet në Lëvizjen Islame Bashkohu, në Partinë e Drejtësisë, në Bashkësinë Islame të Kosovës, në Bashkësin Fetare Islame të Maqedonisë, apo edhe në ndonjë subjekt tjetër apo OJQ, te asnjëra nga këta nuk qëndron dhe nuk është e vërtetë kjo akuzë pa fakte e argumente të Ardian Gjinit në llogari të tyre.
Më tej Ardian Gjini hedh edhe një tezë tjetër të gabuar kur thotë, po e citoj: “ Aleanca e refuzon ekstremin dhe fuqishëm do të mbajë drejtimin kombëtar”. Këtu edhe në pikëpamje gjuhësore dhe drejtshkrimore gabon, pasi cek vetëm Aleanca, lexuesi nuk e ka të qartë, a ka menduar për Aleancën për Ardhmëri të Kosovës, Aleancën Kosova e Re, Aleancën AAK- LDK, apo çfardo Aleance tjetër. Ardian Gjini si kolumnist që shkruan duhet të cekë, se a janë këto pikëpamjet dhe tezat e tij apo janë qëndrimet zyrtare të subjektit që e përfaqëson, në rast se këto janë edhe qëndrime zyrtare të AAK-së, atëherë janë shumë të dëmshme dhe të papërgjegjshme, dhe do t’i sjellim dëme vet subjektit politik, pasi që njoh shumë anëtar të AAK-së që nuk mendojnë si Ardian Gjini dhe se përveç drejtimit kombëtar e mbajnë me krenari dhe mburrje edhe identitetin e tyre mysliman, e mos të flasim për lexuesit tjerë dhe shqiptarët tjerë në përgjithësi në Kosovë e Maqedoni.
Në fund të mos merakoset shumë Ardian Gjini për lindjen e kombeve të reja dhe të ndryshme, sikurse gjatë historisë të gjatë nga populli gjerman janë krijuar tri kombe, kombi gjerman, austriak dhe zviceran, tani edhe tek neve nga populli shqiptar po krijohen kombe të reja, përveç kombit shqiptar, kemi tani edhe kombin kosovar, e nuk është çudi që në një të ardhme të krijohet edhe kombi i tretë, nënkuptohet jo me dëshirën tonë, pasi që jam i mendimit se shumica dërmuese e shqiptarëve preferojnë një komb, një shtet, një gjuhë, të bashkuar në një shtet dhe jo të ndarë në disa shtete e kombe, por është faktori politik vendimarrës evropian e amerikan që e përcaktojnë një konfiguarcion të tillë të kombeve dhe shteteve në përgjithësi në botë, na pëlqyen neve apo jo! Mendoj se në këtë pikë pajtohemi së bashku apo jo z.Ardian Gjini!?