Në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Luginë të Preshevës si dhe treva tjera e diasporë po shënohet sot 7 Marsi – Dita e Mësuesit.
Kjo ngjarje historike për arsimin shqip sot është ditë festive për të gjithë shqiptarët dhe shkollat shqipe. Përmes manifestimeve të ndryshme festive kulturore dhe artistike do të shënohet kjo datë në të gjitha shkollat shqiptare, në shenjë kujtimi për mësuesit e shkronjave të para.
Dita e Mësuesit lidhet me 7 marsin e  vitit 1887, ku në Korçë hapet mësonjëtorja e parë shqipe. Mësues dhe drejtori i parë i saj ishte Pandeli Sotiri. Veç tjerash kjo ngjarje ishte një fitore për popullin shqiptar ngase deri më atëherë mësimet mbaheshin nëpër shtëpi private në mënyrë të fshehtë.

Edhe pse në kushte të vështira, kur ndalohej mësimi i gjuhës shqipe, ajo qëndroi e hapur për 15 vjet. Drejtues të saj ishin figura të njohura të Rilindjes shqiptare si: Pandeli Sotiri, Petro Nini Luarasi, Nuçi Naçi, Thoma Avrami, e të tjerë. Manifestime me rastin e kësaj date do të organizojnë edhe shkolla me mësim shqip në diasporë.  (INA)