O shpirt i sharë!
Sa forcë të duhet të kthehesh në formën e parë?
Sa ngazëllim të mjafton dhimbjen për ta larë?
Thuhet se më rëndë është të shahesh se të prehesh me sharrë!
Por sharja është fjalë e tyre, kurse E Vërteta Fjala e Zotit Bujar!
O shpirt!
Nuk ka formulë në botë që të shpëton nga sharja,
E mos u trullos e për këtë të të shkojë mendja te varja!
Jo! Sepse njëzet përqind e njerëzve janë kundër çdo gjëje,
Ata të shajnë edhe po bëre të gjitha, edhe asgjë po të mos bëje!
E ti e di se je pemë e mirë dhe çdoherë të tillat gjuhen me gurë,
Edhe qofshin të këqinj, mes urisë dhe ngopjes së tyre qëndroju si urë!
Asnjëherë mos iu përgjigj dhe këtë bëje ligj,
Sepse s’ka dënim më të madh se të mos u flasësh hiç!
Nëse i shan edhe ti, poshtërohesh, edhe nëse do ta zbrazësh barkun,
Kur godet gabim, shigjeta ka faj, mos e shaj harkun!
Derri s’të fiton me mposhtje, prandaj ti mos ia sfido qarkun!
Shpirt!
Sodite gjendjen e vetes në mexhlisin e së vërtetës!
Nëse veshët e njerëzve s’të dëgjojnë, rrëfeju letrës!
Nëse sharjen e meriton, as e tillë nuk është me bonton,
Nëse s’e meriton, kuptoje se e do jetën tënde ai që të ofendon!
Por për shkak se nuk mundet të arrijë që ty të të përpijë,
Nuk ka çfarë të bëjë i gjori, pos të të pështyjë!
Fshije pështymën dhe ruaje në xhep për në Ditën e Gjykimit,
Para Zotit kërko kompenzim që nuk iu dorëzove zemërimit!
Pështyrësin tënd fale, por mos ia harro kurrë!
Dije se do ta vrasë ndërgjegjja, nëse është fare pak burrë,
Kurse të pamendëve dhe fëmijëve gjithmonë lëshoju udhë!
O shpirt i mirë, më kryesorja është të jemi të dëlirë!
Dhe mjafton që Zoti s’na ndëshkon për fjalët e të tjerëve.
Gjithmonë mbaje në mend një urtësi të të vjetërve:
Ai që të do edhe gabimin më të madh ta thotë lehtas në vesh,
Kurse ata që s’të duan edhe gabimet e vogla t’i qesin në shesh!
Arsim Jonuzi