Kryeministri i vendit Sali berisha gjatë një mbledhje të qeverisë ka bërë me dije se të gjithë bashkëkombësve shqiptarë, të cilët jetojnë  në hapësirën e Shengenit t’i jepet shtetësia shqiptare.
Në fjalën e tij, kryeministri Berisha theksoi se nga ky proces përjashtohen shqiptarët e Kosovës, për të cilën deklaroi se janë banorë të një shteti të pavarur e në proces të shëndetshëm me Bashkimin Europian.
“Qeveria miraton sot aktin për nisjen e procedurave për fitimin e shtetësisë për personat me origjinë shqiptare përveç shtetasve të Kosovës. Ky vendim është për të gjithë shqiptarët që jetojnë në hapësirën e Shengenit, në hapësirën me marrëdhënie vizash të njëjta me Shqipërinë. Pra me këtë akt Shqipëria është vendi i fundit që ofron bashkëkombësve të saj atë që të tjerët ia kanë ofruar vite me radhë në rajon. Ky akt nuk duhet të konsiderohet nga askush si një akt tjetër veçse në interesin më të mirë të shqiptarëve, të paqes dhe stabilitetit ku ata janë”, tha Berisha.
Ndërsa e cilësoi këtë vendim si të drejtë por të vonuar, kryeministri theksoi se aplikimet për të gjithë ata që dëshirojnë të marrin shtetësinë shqiptare do të nisë nga data 1 gusht.
“Është një qëndrim i drejtë tepër i vonuar pasi këtë vendim e kam dekretuar në 17 korrik të 92. Ministria e jashtme, ministria e brendshme duhet të marrin të gjitha masat të instalojnë në datën 1 gusht në të gjitha pikat e parashikuara shërbimin për aplikimin e qytetarëve me shtetësi për të marrë shtetësinë shqiptare.  Dhënien e shtetësisë për ata që investojnë 200 mijë dollarë në Shqipëri bëhet i paqenë pasi ky projekt vendim shtrihet në hapësirën e Shengenit dhe i intereson të gjithë shqiptarët. Shqipëria duhet të miratojë një ligj tjetër për rezidentët sepse e ka jashtë standardeve. Shqipëria duhet të miratojë ligjin në të cilin paraqitja dhe qëndrimi duhet të ketë hapësirat më të mira të mundshme”, tha kryeministri.
/Shekulli Online/