Në Mars të vitit 2011, disa nxënës sirian në qytetin Dera’a, të nxitur nga fëmijëria e tyre e pafajshme si dhe të inspiruar nga ngjarjet e vendeve përreth, në të cilat kishin filluar lëvizjet revolucionare të njohura si ‘Pranverë Arabe’, në muret e shkollës së tyre shkruan slloganin të cilin e dëgjonin për çdo ditë në lajme: ‘Populli Kërkon Rënien e Regjimit’. Një veprim i këtillë rezultoi në arrestimin, burgimin dhe  torturimin e këtyre nxënësve të mitur nga ana e zyrtarëve të regjimit gjakatar. Madje, në momentin që familjarët e tyre iu drejtuan organeve kompetente me kërkesë të lirimit të fëmijëve të tyre të torturuar padrejtësisht, përgjigja e këtyre autoriteteve sadiste ishte si vijon: “Konsideroni këta fëmijë të vdekur… Shkoni në shtëpi tek gratë tuaja dhe bëni fëmijë tjerë… E, nëse nuk jeni të aftë për një gjë të tillë, na tregoni neve, se ne e kryejmë atë punë për ju”!
Me të përhapur një lajm i këtillë, hidhërimi dhe zemërimi kaploi çdo ndërgjegje të pastër siriane, me ç’rast filluan protesta masive paqësore anekënd vendit. Pa një pa dy, protestat e këtilla u ballafaquan me maqinerinë vrasëse të një regjimi që për plotë katër dekada nuk ka rreshtur së vrari dhe torturuari popullin e vet, duke e shndërruar vendin në një burg masiv, të hekurt dhe gllabërues për çdokend të cilit i shkon ndër mend të kritikojë apo ngrejë zërin e arsyes. Ishte po ky i njejti regjim i cili, në Shkurt të vitit 1982, në një nga qytetet siriane me emrin Hamah, vrau dhe masakroi rreth 35 mijë persona civil të pafajshëm, në mesin e të cilëve fëmijë, gra dhe pleqë.
I vetmi dallim në mes ngjarjeve të vitit 1982 dhe masakrave që po ndodhin në Sirinë e sotme në dy vitet e fundit, është fakti se, masakrat e para ca viteve u ekzekutuan me urdhër të babait (kryetarit të atëhershëm sirian Hafiz el-Esed), ndërsa kësaj rradhe ato po ekzekutohen nën urdhërin e të birit (kryetarit aktual Beshar el-Esed). Ndërsa, në të dy rastet, publiku është po i njejti, gjegjësisht, opinioni botëror dyftyrësh.
Tashmë po mbushen gati dy vite të plota nga fillimi i golgotës më të re te popullit liridashës sirian. Bilanci i deritanishëm, sipas burimeve të opozitës siriane, është si vijon: mbi 100 mijë viktima; mbi 1 milion refugjatë; mbi 3 milion të zhvendosur; dhe mbi 60% e  vendbanimeve dhe infrastrukturës e shkatërruar. E, sa për të arrestuarit, të torturuarit, gratë e përdhunuara dhe fëmijët e traumatizuar, ‘fol e mos u turpëro’!
Nën hijen e këtyre shifrave rrëqethëse si dhe kësaj heshtje makabre të opinionit botëror dhe organizatave ndërkombëtare, e pashmangshme është pyetja se, a thua vallë, ku janë gjithë ata që trumpetojnë demokracinë dhe të drejtat e njeriut?! Pse vallë qendrat e vendimmarrjes botërore kanë zgjedhur heshtjen, apo, në rastet më të mira, “dënimin” e dhunës, duke barazuar shpeshherë viktimën me xhelatin?! Madje, para se të parashtrojmë pyetje të këtilla të pafundta habitore në lidhje me atë që po ndodh sot, shtrohet pyetja se, a thua vallë, kush e mbajti të gjallë një regjim të këtillë monstër për dekada me rradhë, duke tentuar që t’ia zgjas jetën edhe sot e kësaj dite?!
Përgjigja më e mirë ndaj kësaj si dhe shumë pikëpyetjeve dhe pikëçuditëseve tjera paradoksale qëndron pikërisht tek ato qarqe, shtete dhe organizata, të cilat, gjithë ekzistencën dhe mirëqenien e tyre e kanë të bazuar në gjakun e njerëzve të pafajshëm si dhe në lotët dhe djersën e të pamundurve. Janë pikërisht ato qendra, të cilat, interesat e tyre politike, ekonomike dhe gjeostrategjike i kanë vënë para çdo parimi tjetër human dhe njerëzor, qoftë edhe kur është në pyetje jeta e shumë fëmijëve.
Më tragjikja në gjithë këtë është fakti se, organizatat relevante ndërkombëtare, siç janë Kombet e Bashkuara si dhe Këshilli i Sigurimit, përpos disa deklaratave të turpshme të shprehjes së “keqardhjes”, nuk e panë të udhës të nxjerrin as një rezolutë të vetme që do të dënonte terrorin shtetëror sirian ndaj popullit të vet; rezoluta këto të cilat si të tilla me siguri se do të hasnin në barrierën e Veto’s famëkeqe.
Ajo që tashmë dihet botërisht është realiteti se, lufta që po zhvillohet në Siri i ka kaluar përmasat e një konflikti të brendshëm në mes të regjimit dhe opozitës, duke u shndërruar në fushëbetejë të një ‘lufte me autorizim’. Aty zhvillohet ballafaqim i pabarabartë në mes të popullit sirian, në krye me Ushtrinë e Lirë Siriane, si dhe regjimit gjakatar, i cili po furnizohet haptas me gjitha llojet e armatimit nga shtete të mëdha, siç janë Rusia dhe Irani, e kushedi ç’farë përkrahje tjetër fshehurazi nga shtete tjera “mike”, të cilat tjetër deklarojnë dhe ndryshe veprojnë. E, përballë kësaj aleance ‘jo të shenjtë’, qëndron blloku dinak perendimor, i cili, përpos disa deklaratave të herëpashershme dhe premtimeve boshe, si dhe në mungesë të ndonjë interesi të hëpërhëshëm i cili do ta nxjerrte atë nga recesioni i thellë ekonomik në të cilin gjendet, duket se brenga e tij e vetme mbetet mosrënia e armatimit kimik sirian në “duar të gabuara”. E sa për numrin e viktimave, një gjë e tillë duket se nuk i bën shumë përshtypje!
Në një ekuacion të këtillë, humbësi i vetëm mbetet populli sirian, ngase, ashtu sikurse në konfliktet tjera, më në fund, xhelatët do të amnistohen, palët do të detyrohen të ulen dhe të negociojnë, ndërsa për rindërtimin e vendit do të kujdesen kompanitë e huaja, me qëllim të zbutjes së papunësisë që i ka kapluar vendet e tyre. Kështu, fitues më i madh do të jenë pikërisht fuqitë e mëdha dhe grupet e interesit, edhe atë: fitues në luftë, përmes shitjes së armatimit; fitues në paqe, përmes kompanive të rindërtimit; fitues në politikë, përmes imponimit të kushteve dhe direktivave; dhe fitues në ekonomi, përmes eksploatimit të vazhdueshëm.
E, tashmë që regjimi sirian ka filluar të përdorë edhe raketa të llojit ‘Skud’, të cilat fshijnë nga sipërfaqja e dheut mëhalla të tëra me gjithçka ka në to, duke realizuar në këtë mënyrë ‘politikën e tokës së djegur’, përkrahja e vetme që po merr populli sirian si mbështetje për kauzën e tij të drejtë vazhdon të jetë ndonjë ‘like’ (pëlqim) në facebook nga ana e atyre në zemrat e të cilëve ka mbet pak njerëzi.
Është ky realiteti i hidhur i kësaj bote ‘postmoderne’ i cili është shndërruar në vend të rrezikshëm jetese!