Rrugë që i ngjajnë shekullit të kaluar, mungesë uji dhe kanalizmesh. Këto janë të tre gjërat elementare që prej vitesh me radhë i mungojnë fshatit Slivnik të komunës së Velesit. Banorët, të revoltuar nga vështirësitë me të cilat u duhet të ballafaqohen cdo ditë, thonë për Alsat se janë të harruar nga shteti, veçanërisht nga partitë politike shqiptare. Fshati Slivnik gjendet vetëm 13 kilometra larg nga qyteti i Velesit, mirëpo për shkak të rrugës së dëmtuar dhe përplot me baltë, banorët nuk mund të shkojnë deri atje, duke i lënë shumë punë administrative pa përfunduar.
“As kanalizime, as rrugë, as shkollë, nuk e di çka është problemi. Ku me lyp edhe ne nuk e dimë, nuk e dimë kush të na udhëzojë. Valla të lodhur jemi..150 tonë duhan prodhohet këtu, kujt ja çojmë ne, mos ja çojmë dikujt jashtë shtetit, jo, ja çojmë komunës së Velesit. Valla ato tatimet krejt i kemi paguar, rrymën secili e paguan, nuk e di çka është puna jonë, askush nuk na jep përgjigje”.
“I bëj apel në fuqi kush është, në shtet do të thotë le të vijnë të na shohin veç një herë e të na besojnë se çfarë mundimesh kemi ne.. Më shumë ne nuk ju lypim, salla sportive nuk ju lypim atyre, tenis dhe për futboll nuk na intereson menjëherë, le të vijnë ta rregullojnë rrugën, ujin dhe kanalizimin, kryesorja është ajo. Prej meje apeli është të vijnë të shohin, të mundohen të bëjnë diçka, mos të na lënë kështu të na shekullin përgjithmonë se shekulli 21 kalon a jemi pa rrugë, me 3 kilometra rrugë..ne nuk e lypim menjëherë asfalt me na bo, bile thatë të shkelim pak që mos të shkelim nëpër lloç”.
“Ne jemi jashtë unitetit popullit që jeton kudo që të shkosh, jashtë qytetit, nuk kemi as rrugë, nisen fëmijët me shkue në shkollë nuk din si do të mbërrijnë. E dyta nuk kemi kanalizim aspak, ujë nuk kemi mundohemi ashtu..Kush ka mundësi një bunar të vetin e ka bë me 2-3 mijë euro, kush nuk ka mundësi shkon në kojshi..Fshati jonë është i pari me rrymë elektrike që paguan në Komunën e Velesit, është I pari ndërsa asnjë fshat tjetër nuk paguan, gjithë ato pare shkojnë për shtetin, populli këtu janë duhanxhinj, mbi 200 tonë duhan shesin, prapë edhe aty shkon fitim për shtetin”.
Ndërkohë disa nga banorët tjerë që takuam në fshat ishin me punë në kurbet. Ata thonë se kushtet e vështira të jetesës, u bëjnë banorët të shpërngulen gjithnjë e më shumë nga fshati.
“Pa rrugë, pa ujë pa kurgjë ajo është problem, nuk na ndihmojnë kurgjë. Me çka merresh ti, a ke ndonjë punë? Tash për tash jo, verës shkojmë në kurbet”.
“Për momentin jemi me punë, punojmë në Itali edhe nganjëherë vijmë në pushim këtu, mirëpo edhe pushimin nuk mund ta bëjmë si duhet, pa rrugë pa kanalizime, pa asgjë dhe besoj se kjo nuk është as jetë për ne..Jemi të obliguar, të detyruar me shkue prej këtu se nuk ka me çka mirresh, nuk mundet gjithë të miren , gjithë populli I fshatit të miret me duhan ose me mbjell, më së tepërmi punojmë nëpër kurbet”.
Në fshatin Slivnik të komunës së Velesit jetojnë mbi 650 banorë në rreth 100 shtëpi. Përveç kushteve të vështira të lartpërmendur, banorët e tij ballafaqohen edhe me mungesë të ambulancës dhe transportit publik./Alsat-M/