Sikur vitin e kaluar, edhe sot zhvillohet aksioni që ka për qëllim për ta pastrojmë vendin tonë nga mbeturinat.
Fushata “Ta pastrojmë Kosovën” ka për qëllim mobilizimin e qytetarëve të Kosovës për ruajtjen dhe mbrojtjen e mjedisit. Fushata përmbyllet me aktivitetin i cili organizohet në tërë territorin e Kosovës. Siç raporton Koha.net, gjatë ditës së sotme synohet mobilizimi i mbi 50 mijë vullnetarëve për pastrimin e mbeturinave, duke përfshirë edhe deponitë e egra. Kjo ditë që nga viti i kaluar është shpallur Ditë tradicionale e pastrimit të mbeturinave në Kosovë.
Kjo është pjesë e fushatës “ Let’s do it World” e cila në vitin 2013 do të zhvillohet në mbi 85 shtete të botës. Në Kosovë fushata edhe në këtë vit është e organizuar nga grupi “Ta pastrojmë Kosovën”, ndërsa Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka ofruar kapacitetet e saja për të përmbyllur sa më me sukses këtë fushatë.
Ndërkohë edhe Ministria e Shëndetësisë mbështet iniciativën “Ta pastrojmë Kosovën” (“Let’s do it”), si aktivitet i përbashkët i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor me institucione dhe organizata të tjera si dhe grupet lokale të bashkuara rreth Iniciativës“ Ta Pastrojmë Kosovën ”, thuhet në njoftimin e kësaj ministrie.
Duke i dhënë mbështetje kësaj nisme, krerët e Ministrisë së Shëndetësisë, u bëjnë thirrje institucioneve shëndetësore të vendit, përkatësisht punonjësve të tyre, që duke filluar nga ora 10:00 kur nis aksioni zyrtarisht në shumë qytete të Kosovës, të dalin dhe të rregullojnë hapësirat e jashtme të institucioneve ku punojnë. /mesazhi/