Për shumicën e fëmijëve, të folurit në gjuhën amtare është një mjeshtëri që fitohet në mënyrë natyrale. Fëmija e ka këtë mundësi që nga lindja.
Nuk ka instruksione specifike. Për të pasur një zhvillim normal të të folurit dhe të gjuhës duhet që foshnja të jetë e aftë të dëgjojë, të shikojë, të kuptojë dhe të kujtojë.
Të ketë aftësi motorike për të lëvizur gojën dhe të ketë mundësi sociale për të ndërvepruar me të tjerët. Gurët themeltarë të të folurit janë universalë, pavarësisht gjuhës së përdorur, megjithatë nuk ka një kohë ekzakte të arritjes së tyre. Ka një variacion mjaft të madh, ndërmjet fëmijëve, për fillimin e belbëzimit, kuptimin e fjalëve, thënien e tyre, kombinimin gjatë 2-3 viteve të para të jetës. Çrregullimet e komunikimit të të folurit prekin rreth 20% të fëmijëve 2 vjeç, e djemtë janë 2 herë më shumë të prekur. Faktorët gjenetikë luajnë rol madhor.
Është vënë re se 30% e fëmijëve me çrregullime kanë pasur një të afërm me probleme. Dëmtimet neurologjike zënë një vend më të ulët. Çrregullimet e njohjes ( autizmi, vonesa mendore), ose disfunksionet motorike (anomali strukturale të organeve të të folurit, çrregullimet neuromotore) kanë çrregullime të gjuhës e të folurit në klinikën e tyre, por nuk hyjnë në çrregullimet parësore të gjuhës.
Shenjat paralajmëruese të problemeve me gjuhën janë:
• Nuk belbëzon, tregon me gisht ose gjeste në 10-12 muajsh.
• Nuk kupton komandat e thjeshta në 18 muajsh.
• S’thotë asnjë fjalë 18-21 muajsh.
• Nuk kombinon asnjë fjalë 24 muajsh (dua mami, etj).
• Prindërit nuk i kuptojnë asnjë fjalë 3 vjeç.
• Kuptohet me vështirësi në 4 vjeç.
• Fëmija shmang situatat me bisedë.
• Çdo regresion në gjuhë ose aftësitë sociale në çdo moshë.
/Lindita Cipi/Spitali Amerikan-Start/